<b>Heshtja</b> e Qeverisë për aferën e ambasadorit Berishaj, skandal në vete

Heshtja e Qeverisë për aferën e ambasadorit Berishaj, skandal në vete

22.04.2022 15:03

Qeveria e Kosovës ka zgjedhur heshtjen përballë skandalit të ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, i cili dyshohet se është përfshirë në një skandal të shpëlarjes së parave.

Kanë kaluar gati 24 orë nga raporti i gazetës Nacionale dhe medieve sllovene për përfshirjen e ambasadorit të Kosovës në këtë aferë, por Qeveria e Kosovës dhe as Ministria e Punëve të Jashtme nuk kanë bërë asnjë reagim.

Heshtja e kryeministrit Albin Kurti ndaj këtij skandali ka habitur shumë njohës të rrethanave politike në vend.

Ata kanë kërkuar që kryeministri i vendit të shpjegohet për këtë rast. 

“Si njeri i afërt me Albin Kurtin dhe i nominuar politik për ambasador nga partia Vetëvendosje, duke i ofruar nënshtetësinë e Republikës së Kosovës pak ditë para dekretimit të tij nga presidentja Vjosa Osmani, e bënë këtë aferë shumë serioze dhe ngritën shumë pyetje”, ka shkruar në profilin e tij në Facebook analisti Afrim Halili.

Tutje, Halili ngre pikëpyetje për lidhjen e Berishajt me kryeministrin Kurti dhe mos deklarimin e të njëjtit. “Pra, cilat janë financimet tjera nga ky shtet? Pse nga i gjithë kuadri diplomatik Kosovar, për ambasador do duhej të nominohej një qytetar i Malit të Zi duke ia dhuruar edhe nënshtetësinë e Kosovës? A është kjo shpresa me të cilën partia në pushtet na ka shurdhuar që 17 vite?”, ka shkruar ai.

Edhe analisti politik Xhemal Ahmeti e ka cilësuar si skandal në vete heshtjen e qeverisë së Kosovës ndaj skandalit të ambasadorit kosovar në Kroaci, Martin Berishaj.

Në profilin e tij në Facebook, ai ka shkruar se çdo minutë që Berisha qëndron në atë pozitë vetëm sa i ngrit dyshimet për skandalin.

“Janë të shumta pikëpyetjet që ngritën për këtë rast. Heshtja e institucioneve të Kosovës për këtë skandal është skandal në vetvete. Çdo minutë që Berishaj qëndron në atë pozitë vetëm sa i ngrit dyshimet që ato qindra mijëra euro të bartura nga Berishaj nga Mali i Zi në Slloveni, kanë mundur të kenë më shumë se sa një adresë”, ka shkruar Ahmeti.

Kërkohet shkarkimi i ambasadorit Berishaj

Analisti Jusuf Thaçi ka reaguar ashpër ndaj përfshirjes së ambasadorit Martin Berishaj, në një skandal financiar në Slloveni.

Ai ka kërkuar urgjentisht shkarkimin e ambasadorit Berishaj. “Derisa situata me skandalin në Slloveni të qartësohet dhe të vendoset nga organet kompetente gjyqësore mund të marrë kohë. Prandaj, ambasadori i Kosovës në Kroaci duhet të shkarkohet urgjentisht”, ka shkruar në profilin e tij në Facebook Thaçi.

Ambasadori Berishaj sot ka hedhur poshtë të gjitha akuzat, duke paralajmëruar edhe padi ndaj portalit slloven.

“Pavarësisht nga fushata parazgjedhore në Slloveni dhe ballafaqimi i fundit i mbrëmshëm në mes aktorëve kryesorë politik, i z. Janša dhe z. Golob, ku u mohua shkrimi i Planet TV lidhur me emrin tim, nga sot, padia ime kundër portalit ne fjalë, hap rrugë për fjalën e fundit gjykatës. Nuk është e drejtë të jemi thjesht të sigurt në drejtësi dhe në të vërtetë. Duhet edhe ta mbrojmë drejtësinë dhe te vërtetën. Përndryshe shpifjet bëhen normale”, ka shkruar ambasadori Berishaj.

Presidentja Vjosa Osmani, në një konferencë për media, ka folur për këtë çështje vetëm kur është pyetur nga gazetarët.

“Kjo s’është pyetje, është konstantim. Është për keqardhje se si ju konstatoni një gjë për një ambasador të Republikës së Kosovë se cila nuk është konstatuar nga asnjë organ i drejtësisë, por është shkruar nga një media për të cilën ambasadori e ka mohuar në tërësi dhe do t’i ndjekë rrugët ligjore”, është shprehur Osmani në konferencë.

Çfarë ka ndodhur?

Televizioni slloven, në kronikën e transmetuar, ka treguar se në xhirollogarinë MB Consulting, e regjistruar në Mal të Zi, nga një kompani serbe, janë derdhur në baza të rregullta prej 5 mijë deri në 50 mijë euro, për çdo muaj. Pronari i vetëm i kompanisë MB Consulting, në bazë të dokumentacionit zyrtar, është Martin Berishaj.

Televizioni slloven ka raportuar se një pjesë e dokumentacionit të siguruar tregon se ngjarja në fjalë është shtrirë në vitet 2019 dhe 2020.

“Pagesat janë kryer nga dega për Serbi e GEN (kompani energjetike) te kompania private MB Consulting në Mal të Zi, me të cilën kompani GEN ka marrëveshje për këshillime. Janë realizuar pagesa mujore prej 5 deri në 55 mijë euro në muaj, ose gjithsej mbi gjysmë milioni euro”, raporton media sllovene.

Ajo çfarë mund të konstatohet është që në të dhënat e regjistrimit të biznesit, MB Consulting është edhe numri i njëjtë edhe email-i i njëjtë i z. Berishaj, të cilat ai i ka në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës dhe në faqen e tij të Facebook-ut.

“Televizioni Planet ka mësuar se kompania malazeze (ajo ku pronar është Berishaj) është themeluar vetëm 10 ditë përpara se të bëhej pagesa e parë e parave nga kompania GEN e Beogradit.”

Media sllovene tregon që gjëja që e ka tërhequr më së shumti vëmendjen e hetuesve ka qenë fakti që pothuajse 600 mijë euro nga kompania MB Consulting rregullisht janë tërhequr në kesh.

Tjera nga autori:
1