Përkundër sulmeve e përçarjeve brenda opozitës, është një kauzë që i ka bërë bashkë
Përkundër sulmeve e përçarjeve brenda opozitës, është një kauzë që i ka bërë bashkë. Hetimi mbi subvencionimin e energjisë elektrike ka bërë bashkë opozitën, e cila ka paralajmëruar bojkotimin e Kuvendit të Kosovës deri në miratimin e një komisioni parlamentar për këtë çështje. Për shumë çështje, opozita nuk ndan të njëjtin unitet. Për shembull, Fondi i Sigurisë, i themeluar nga Qeveria Kurti ka ndarë PDK e AAK, të cilat kanë mendime të kundërta nëse duhet apo jo të kontribuohet në të.
Sipas opozitës, komisioni hetimor, fillimisht i propozuar nga PDK, ka për qëllim që të shikonte të gjitha masat e marra gjatë periudhës së shpalljes së gjendjes emergjente për energjinë, për të cilën, Kuvendi kishte votuar në fundin e vitit të kaluar.
Kjo kauzë e opozitës pati zhvillime u bë edhe më frontale pasi në seancën plenare të 19 prillit, Kuvendi dështoi që të votonte kërkesën e partive opozitare Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës që të votohej për një mocion procedural që të futej në rend dite pika e formimit të komisionit parlamentar.
Për këtë çështje deputetët e tri partive opozitare lëshuan sallën.
Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, argumentoi se opozita kishte bërë shkelje ligjore, pasi nënshkruesit e kërkesës për këtë çështje, nuk mund ta kryesojnë komisionin hetimor.
Sipas Ligjit për hetim parlamentar për të inicuar themelimin e një komisioni hetimor parlamentar duhet nënshkrimi i gjashtë deputetëve, ndërkaq për themelimin e një komisioni të përhershëm parlamentar kërkohet përkrahja e një të tretës së deputetëve të Kuvendit të Kosovës që ka 120 ulëse, gjë që opozita nuk e ka.
Në PDK deklarojnë se arroganca e numrave të pushtetit po e pamundëson një gjë të tillë, por sipas tyre e vërtetë nuk mund të fshehët.
Pas zhvillimeve në Kuvend, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, në një konferencë për media, bëri të ditur se kjo është hera e dytë që VV-ja nuk po e lejon që të formohet një komision i tillë
“Është hera e parë në historinë parlamentare të Kosovës që pushteti i shumicës e shkel brutalisht të drejtën e pakontestueshme për hetim parlamentar si një e drejtë kushtetuese dhe ligjore për të mbikëqyrur punën e qeverisë dhe institucioneve të tjera nga ana e Kuvendit të Kosovës”, tha Krasniqi.
Edhe në AAK thonë se Qeveria po pengon Kuvendin për themelimin e këtij komisioni.
Ndërkaq, në një konferencë të ndarë për media, kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj akuzoi Qeverinë se ka penguar Kuvendin që të votojë për themelimin e komisionit hetimor, që sipas tij, ka për qëllim të hetojë shpenzimet dhe subvencionet për sektorin e energjisë.
Madje dje, përmes një statusi në Facebook, ku Haradinaj iu drejtua me disa pyetje Kurtit e Osmanit, e ndërlidh hezitimin e VV-së për ta themeluar këtë komision me skandalin e Ambasadorit Martin Berishaj për të cilin mediat sllovene zbuluan një skandal të madh financiar, ku është i përfshirë Robert Golob, kryetar i Partisë së Lirisë.
Sipas Haradinajt, institucionet e rendit dhe drejtësisë duhej të merreshin me këtë skandal pasi që ai dyshon se prapa fshihet një aferë korruptive.
Edhe kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, mos themelimin e këtij komisioni e ndërlidh pikërisht me skandalin e ambasadorit Berishaj.
Në nja shkrim në Facebook, aty ku edhe më së shumti bën opozitën, Abdixhiku tha ky skandal është arsyeja e rezistencës së pushtetit për ta themeluar komisionin që heton çështjen e energjisë.
"Shpërthimi i skandalit me ambasadorin në Slloveni dhe tani zgjerimi i tij edhe në rajon, është arsyeja e vërtetë e rezistencës së pushtetit ndaj formimit të Komisionit Hetimor në Kuvend”, shkruante Abdixhiku, transmeton Nacionale.com.
“Sa më i zëshëm refuzimi i tyre, aq më i domosdoshëm bëhet insistimi ynë. Sot, hetimi parlamentar nuk ka alternativë. Ky skandal, dhe të tjera skandale të renditura në shpenzimin e plot 120 milionë eurove edhe shtrenjtimin e faturave deri në 100%, duhet të gjejnë dritë. Kriza energjetike është një piramidë keqmenaxhimi, neglizhence, e tani dhe krimi. Këtë piramidë duhet dhe do ta shembim të gjithë”, vazhdonte ai në shkrimin e tij.
Mirëpo në Vetëvendosje kërkesën e opozitës për themelimin e këtij komisioni e quajnë në shpërputhje me ligjin, kështu të paktën deklaronte Kryetarja e Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari – Lila.
“Sot ishte përpjekja e dytë e opozitës që në kundërshti me rregullat për formimin e komisionit hetimor parlamentar tentuan që të vendosin para aktit të kryer seancën plenare të Kuvendit. Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje refuzoi të bëhet pjesë e kësaj ndërmarrjeje që shkel mbi normat e ligjit për hetimin parlamentar”, tha Kusari-Lila.
Ajo tha se Lëvizja Vetëvendosje nuk ka asgjë për të fshehur në raport me kërkesat për hetim parlamentar për masat e marra gjatë gjendjes së jashtëzakonshme në sektorin e energjisë.
“Megjithatë, ne nuk mund t’ia bëjmë numrat opozitës në këtë rrethanë, veçmas jo në situatën kur parashohin që të bëjnë shkelje në raport me normat ligjore, e gjithashtu krahas tyre të pranojmë etiketimet, fyerjet dhe paragjykimet që çdokush që është në pozitë sillet njëjtë sikurse dikur është sjellë opozita e sotme”, tha Kusari-Lila.
Kuvendi i Kosovës më 29 dhjetor të vitit 2021 kishte miratuar masat emergjente të Qeverisë së Kosovës lidhur me furnizimin e energjisë elektrike.
Këto masa përfshinin: vendosjen e kufizimeve në furnizim me energji për konsumatorët dhe vendosjen e obligimeve të veçanta për ndërmarrjet e energjisë.
Për shkak të mungesës me furnizim me energjinë dhe rritjen e çmimeve të importit, Zyra e Rregullatorit për Energji Elektrike (ZRRE) prezantoi tarifat me rritje dhe Qeveria e Kosovës u zotua se do të subvenciononte me 90 milionë euro konsumatorët që shpenzojnë mbi 800 kilovatë energji elektrike.
Mirëpo, së fundmi, Gjykata Themelore ka vendosur për pezullimin e tarifave të reja të energjisë elektrike.
Për këtë çështje, Partia Demokratike e Kosovës, e cila duket më e zëshme se subjektet tjera opozitare, ka dorëzuar në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, kallëzim penal ndaj anëtarëve të Bordit të ZRrE-së.
Partia më e madhe opozitare ka dorëzuar kallëzimin penal për moszbatim të aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, për shtyrjen, përkatësisht pezullimin e zbatimit të vendimit për shtrenjtimin energjisë për qytetarët e Republikës së Kosovës.
Në një prononcim për Gazetën Nacionale, avokati i angazhuar nga PDK, Faton Fetahu, ka sqaruar se për çfarë arsye e paditën ZRrE-në.
“Siç edhe e kam potencuar në Konferencën për medie në prokurorinë speciale, ashtu siç ka paralajmëruar Partia Demokratike, e kemi bërë kallëzimin penal me pretendimin që Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) nuk e ka zbatuar vendimin e Gjykatës, vendim i cili ka pezulluar vendimin e ZRrE-së për shtrenjtimin e energjisë elektrike”, tha ditë më parë Fetahu për Nacionale.