<b></b> Humolli pas ‘vakisë’ në Kuvend: I zhgënjyer që PDK e AAK e bënë punën të vijë VV në pushtet

Humolli pas ‘vakisë’ në Kuvend: I zhgënjyer që PDK e AAK e bënë punën të vijë VV në pushtet

14.06.2022 14:12

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmir Humolli, nuk e ka përkrahur ndryshimin e Ligjit për Pagën Minimale, që përjashton veteranët.

Madje, ai pas votimit të këtij ligji në lexim të parë, e lëshoi sallën, teksa u pa shumë i nervozuar.

Në një prononcim për gazetën Nacionale, Humolli ka qenë i ashpër duke e akuzuar Vetëvendosjen për bashkëpunim me Listën Serbe.

“Komenti është që u gëzova se Lista Serbe u bë konstruktive dhe e votoi një ligj që është kundër veteranëve të luftës”, tha Humolli për Nacionalen.

Humolli i pyetur nëse do të largohet nga Lëvizja Vetëvendosje dhe grupi parlamentar, theksoi “jam duke i shikuar mundësitë më produktive”.

Duke folur për mundësinë e protestave, Humolli tha se i përkrah veteranët në kërkesat e tyre, por që duhet të shterren edhe mundësitë tjera.

“Jam në përkrahje të protestave të drejta, por gjithmonë duhet me i shterrë mundësitë, për arsye se veteranët po përballen me policë e bashkëluftëtarë të vet nëpër protesta. Kjo për shkak të burokratëve që punojnë kundër vlerave të luftës”, u shpreh Humolli.

Nacionale e pyeti Humollin nëse është i zhgënjyer nga Lëvizja Vetëvendosje. Përgjigjja ishte e ashpër për partinë në pushtet.

“Nuk kam pritë mrekulli prej VV-së, sepse jam i zhgënjyer prej bashkëluftëtarëve tanë që e kanë pru punën me ardhë në pushtet kjo kategori”, tha Humolli për Nacionalen.

Me 68 vota për, është miratuar ndryshimi i Ligjit për Pagën Minimale në Kuvendin e Kosovës.

Pavarësisht thirrjeve, partia në pushtet ka pasur mjaftueshëm vota për ta kaluar këtë ligj që mundëson rritjen e pagës minimale, por pa përfshirë veteranët.

Pro këtij ndryshimi kanë votuar edhe deputetët e Listës Serbe, raporton gazeta Nacionale.

Kundër votimit të versionit aktual të Ligjit, ka qenë shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri.

“Ky Ligj të tërhiqet. Të ulemi të diskutojmë e të ecim tutje. Kjo kërkesë është legjitime. Kërkesë e cila është minimale me krejt çështjet që i kemi pasur. S’ka të bëjë me një pozicion opozitar e as politikë, me një koncept të aspektit të pagës minimale dhe reformës sociale. Propozimi im është që ta largojmë nga temat, të vazhdojmë me të tjerat, e të ulemi të diskutojmë. Bëjmë gabim shumë të madh”, ka thënë Tahiri në seancën e Kuvendit.

Gjatë votimit të ndryshimeve janë dëgjuar edhe deputetë të opozitës, duke iu drejtuar pushtetit me fjalët si “marre, marre”.

Seancën e sotme e ka bojkotuar Partia Demokratike e Kosovës, kurse LDK-ja dhe AAK-ja nuk kanë marrë pjesë në votim.

Memli Krasniqi nga PDK-ja ka thënë se është turp ajo që po ndodh me Ligjin për Pagën Minimale.

“Në vend se të kishim sot debat për nivelin e pagës minimale për të vendosur pak më shumë drejtësi, qeveria ka vendosur që të bëjë padrejtësinë më të madhe e më të turpshme ndaj atyre që janë pjesë e dinjitetit tonë kombëtar e historik. Prandaj, injorimi dhe mospërfshirja e kompensimit të veteranëve të UÇK-së në ligjin për pagën minimale është një turp, pjesë e të cilit ne nuk do të bëhemi kurrë dhe do ta kundërshtojmë fuqishëm"

"Mbi këtë bazë, Partia Demokratike e Kosovës sot nuk do të marrë pjesë në seancën e Kuvendit. Para se e njëjta të fillojë, dua që nga këtu t’i bëj thirrje edhe një herë qeverisë që ta kthejë prapa këtë projektligj dhe mos ta procedojë tutje për miratim", theksoi kryetari i PDK-së në konferencë për media.

Në anën tjetër, Organizata e Veteranëve të Luftës, ka njoftuar se të enjten do të mbahet protestë mbarëpopullore.

Organizatat e dala nga lufta kanë njoftuar se ditën e enjte, më 16 qershor do të mbajnë protestë gjithëpopullore.

Kjo pasi Kuvendi vendosi për rritjen e pagës minimale, duke përjashtuar veteranët.

“Kuvendi i turpit të Kosovës, deputetët e pushtetit (me ndonjë përjashtim) së bashku me pakicat, të rrethuar me forca policore, miratuan në lexim të parë projektligjin për ndryshimin e ligjeve, me anë të të cilit u përjashtuan veteranët e luftës së UÇK-së edhe nga paga minimale”, thuhet në njoftim.

“Për shkak të këtij turpi të deputetëve të Kuvendit, Organizatat e dala nga Lufta e UÇK-së, ftojnë protestë gjithëpopullore para institucioneve (Kuvend e Qeveri) me datën 16 qershor 2022 prej orës 09:30. Dalja sa më masive në protestë, nënkupton mbrojtje të institucionit më të lartë, luftës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe kategorive të saj”, njoftojnë veteranët.

Ditë më parë OVL-UÇK-ja kishte organizuar një protestë, e cila kishte eskaluar edhe në përleshje fizike me njësitet e Policisë në afërsi të Kuvendit të Kosovës.

Tjera nga autori:
1