<b></b> I bien pishman - Këshilli Drejtues i Universitetit të Mitrovicës heq dorë nga blerja e telefonave me para të shtetit

I bien pishman - Këshilli Drejtues i Universitetit të Mitrovicës heq dorë nga blerja e telefonave me para të shtetit

20.05.2022 14:27

Më datën 3 dhjetor të vitit 2021, Këshilli Drejtues i Universitetit të Mitrovicës "Isa Boletini", mori vendim për blerjen e telefonave mobilë, për anëtarët e Këshillit Drejtues të këtij universiteti.

Këshill ky i cili përbëhet nga kryesuesi, zëvendëskryesuesi dhe 5 anëtarë të tjerë. Që do të thotë, gjithsej 7 persona.

Por, që nga data e vendimit, që janë bërë më shumë se 5 muaj, asnjë tender nuk ishte shpallur nga ky universitet në webfaqen e tyre.

Gjatë ditës së djeshme, gazeta jonë ka pyetur kryesuesin e këtij Këshilli se çfarë ka ndodhur me vendimin dhe se a janë blerë telefonat. Por, një ditë pas kësaj bisede me Salem Lepajën, zyra për Informim e Universitetit tha se "Vendimi për blerjen e këtyre telefonave mobilë është anuluar".

Sipas zyrës për Informim, të njëjtit vetë e kanë marrë vendimin, vetë e kanë anuluar sot, me arsyetimin që nuk dëshirojnë t’i marrin telefonat.

“Sot, ky vendim është anulu në mbledhjen e Këshillit Drejtues nga ta. Shumica e anëtarëve janë shprehë se nuk po dojnë me i pranu këta telefona. Vetë kanë marrë vendim në herën e parë, vetë sot i kanë refuzu. Ligji ua lejon me anulu”, thanë nga Zyra për Informim e universitetit "Isa Boletini".

Ndërsa Salem Lepaja i cili e dha nënshkrimin e mbi këtë vendim si kryesues i Këshillit Drejtues, tha se ai dhe zëvendësi i tij kishin hequr dorë që disa kohë nga marrja e telefonave.

Arsyetimi i tij ishte se ai dëshironte t’i shmangej çdo keqinterpretimi apo keqpërdorimi, anipse në fillim i njëjti kishte pranuar dhe nënshkruar vendimin.

"Unë dhe zëvendësi im kemi hjekë dorë nga marrja e këtyre telefonave. Janë mjete të punës që në fund kthehen. U kam thanë se s'kam nevojë për telefon, pasi që e kam celularin tim. Në mënyrë që t'i shmangem çdo keqinterpretimi apo keqpërdorimi kam hjeke dorë”, tha Lepaja për Nacionalen.

Por, Lepaja duket se nuk ka fort besim në menaxhmentin e këtij universiteti, pasi që i njëjti thotë se menaxhmenti i këtij universiteti është grup mafioz dhe janë të profesionalizuar për të futur pika të ndryshmë në rend të ditës.

“Nuk më kujtohet që e kam nënshkru atë vendim. Por nuk po e mohoj. A qenka ndonjë vepër penale me nënshkru a? Ekziston mundësia, e di, edhe qysh ka dalë ai propozim në pikën e rendit të ditës, të ndryshme. Ata janë grup mafioz dhe të profesionalizum për me futë pikat. Procesverbalet i këqyri më shumë sesa provimet e studentëve, sepse fusin gjëra që nuk thuhen në mbledhje. S'kanë ku me m'u kapë mu në Universitet, e tash nashta kapen për do telefona. Pse po iu intereson bash çështja e celularëve?”, tha kryesuesi i Këshillit.

Ky vendim ishte marrë në mbështetje të nenit 18 nga Këshilli Drejtues i Universitetit "Isa Boletini", në mbledhjen e datës 3 dhjetor të vitit 2021.

Vendimi kishte të bëjë me lejimin e mjeteve për furnizim me telefona mobilë për anëtarët e Këshillit Drejtues të UIBM.

Në fillim të muajit korrik të vitit 2021, Ministria e Arsimit kishte marrë vendim për të emëruar katër anëtarë të rinj të Këshillit Drejtues.

Ku në emrat e rinj ishte edhe kryesuesi i tashëm Salem Lepaja, zëvendës-kryesues Gazmend Kaçaniku, si dhe anëtarë Agron Dida e Ilir Mazreku.

Tjera nga autori:
1