I punon djali në Kryeministri: Raporti i çuditshëm i kryenaftëtarit me kryeministrin Albin Kurti - NACIONALE

I punon djali në Kryeministri: Raporti i çuditshëm i kryenaftëtarit me kryeministrin Albin Kurti

1 vit më parë

nga NACIONALE

Çmimet e naftës kanë shkuar në qiell në Kosovë, derisa përplasjet mes Qeverisë së Kosovës dhe Shoqatës së Naftëtarëve duken – e pakta të thuhet – të çuditshme. Por, një jarani (me konflikt potencial interesi) duket në sfond - edhe pse, ndoshta jo aq e madhe sa ajo e skandalit në Ministrinë e Liburn Aliut: djali i kryetarit të shoqatës së Naftëtarëve punon në hiç më pak se Zyrën e Kryeministrit të Kosovës, derisa raporti mes kryenaftëtarit dhe kryeministrit nuk mund të ishte më i çuditshëm.

Dillon Berjani ka qenë ndër të parët që e ka dorëzuar deklarimin e pasurisë së tij në Agjencinë kundër Korrupsionit më 21 janar të këtij viti.

Prej asaj kohe e këndej, çmimet e naftës në vend po rriteshin vazhdimisht dhe tashmë kanë prekur pikën më të lartë në 1 euro e 85 centë.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka akuzuar Qeverinë Kurti II për shkak të mosveprimit të saj të cilin e kanë quajtur kriminal, duke e akuzuar se po rrit fitimet në kurriz të qytetarëve.

Në këtë kontekst, përplasja mes Qeverisë dhe tregtarëve të naftës në vend - dhe pazaret që kanë bërë - dukej e duken të paevitueshme.

I biri i tregtarit të naftës në Qeveri

Dillon Berjani tashmë del se punon në Zyrën e Kryeministrit të Kosovës. Babai i tij është Fadil Berjani, një tregtar i famshëm i naftës që mban po ashtu edhe funksionin e përfaqësimit të interesave të tregtarëve tjerë në rolin e kryetarit të Shoqatës së Naftëtarëve.

Dilloni ka deklaruar në AKK 10 mijë euro para të gatshme dhe dhe një shtëpi në vlerë të 250 mijë eurove (jo në pronësi të babait, por në pronësi të tij).

Së fundi, më 9 qershor, tregtarët e naftës, të prirë nga z. Fadil Berjani i dërguan edhe një letër kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, duke i kërkuar uljen e akcizës.

“Qeveria, nëse me të vërtetë është e interesuar të mbrojë konsumatorin, do të ishte e pritshme të reagonte njëlloj me Qeveritë e vendeve të rajonit dhe BE-së, nëpërmjet uljes së akcizës dhe/ose TVSH-së për produktet e naftës”, thuhej në letër.

Krye-tregtari ndërron fjalët

Babai i këshilltarit politik që punon në Zyrën e Kryeministrit, përkundër letrës publike të cilën mund ta gjeni më lart, duket se ka ndërruar fjalët.

Ai i ka thënë gazetës Nacionale në një prononcim se nuk ka kërkuar ASNJËHERË heqjen e akcizës, duke u treguar shumë solidar me kryeministrin e vendit, në zyrën e të cilit punon i biri.

“Sa i përket akcizës, unë si kryetar i shoqatës asnjëherë nuk kam kërkuar heqjen e saj, qysh prej se kanë qenë qeveri të ndryshme dhe tash që është Albin Kurti. Kjo Qeveri është duke u përballur një kohë të gjatë me rritje ekstreme të derivateve në berzë”, ka thënë ai për gazetën.

Më pas, ai është futur edhe në politikën ditore – temë që ndoshta do të duhej ta preokuponte më shumë të birin e tij – duke u shprehur si vijon:

“Këtë situatë janë duke e shfrytëzuar edhe partitë politike për poena politikë. Ne s’mund të garojmë me shtetet evropiane, dhe dihet se Kosova ka një buxhet 2.7 miliardë.”

Pazaret

Përkundër përplasjeve që kanë pasur vazhdimisht në publik me Qeverinë e Kosovës, naftëtarët e udhëhequr nga Fadil Berjani, kanë pasur edhe një afërsi të çuditshme me Ekzekutivin e vendit.

Shoqata e Naftëtarëve më 5 mars të këtij viti kishte pretenduar se kishte arritur marrëveshje me Ministrinë e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë, për ndryshimin e marzhës tregtare për çmimet e derivateve të naftës.

“Kemi qenë kundër vendimit të mëparshëm, por kemi qenë tek ministresha (Rozeta Hajdari) në takim (të premten, 5 mars) dhe e falënderojmë për mirëkuptim. Vendimi do të ndryshohet. Vendimi do të jetë: 2 për qind për importues, ndërsa 8 për qind për pikat e karburantit”, kishte thënë në atë kohë Fadil Berjani për gazetën Nacionale.

Një pazar i tillë më pas nuk ishte konfirmuar nga ana e ministrisë, por diskutimet kishin vazhduar duke ilustruar kësisoj një raport mjaft të përçudshëm mes palëve - e ku si duket ka edhe konflikt interesi.

Fadil Berjani asnjëherë gjatë komunikimit me gazetarët tanë nuk ka treguar se i biri i punonte në Zyrën e Kryeministrit të Kosovës.

Siç mund ta shihni më poshtë, edhe zv. Kryeministri i Kosovës (në zyrën e të cilit që përfshihet brenda Zyrës së Kryeministrit raportohet se punon Dilloni, përkundër që në AKK nuk jepen të tilla informata) i kishte komentuar duke e uruar për pozitën e fituar.

Në lidhje me çështjen e naftës është deklaruar edhe Besnik Bislimi, i cili u shpreh se nuk do të hiqet akciza e naftës.

Por, Hekuran Murati ka përdorur pikërisht kolegët e babait të këshilltarit të Kurtit, tregtarët e naftës, për të kundërshtuar Avdullah Hotin dhe LDK-në në akuzat e tyre se po përfitonin në kurriz të qytetarëve duke mos ulur akcizëm.

"Thirrjet për ulje të akcizës së naftës janë thirrje për trashje të fitimit të tregtarëve", tha ministri Murati, ndoshta edhe duke mos e ditur që kreu i shoqatës së tregtarëve të naftës ishte babai i këshilltarit politik në Zyrë të Kryeministrit.

Murati në një status të djeshëm tha se partitë opozitare përmes reagimeve të tyre të ashpra që kërkonin reagimin e qeverisë, në të vërtetë po kërkonin të forconin tregtarët e naftës.

Lajme të ngjashme