<b></b> I 'shkunden' dritat Kurtit: VV thoshte se marrëveshjet që do t'i zbatojë

I 'shkunden' dritat Kurtit: VV thoshte se marrëveshjet që do t'i zbatojë "legalizonin ndikimin serb"

21.06.2022 11:58

Në Bruksel gjatë ditës së sotme u nënshkrua udhërrëfyesi për zbatimin e Marrëveshjeve të viteve 2013 dhe 2015 për Energjinë nga Kosova dhe Serbia. Që të jemi më precizë, nga pushteti i Albin Kurtit dhe pushteti i Aleksandër Vuçiqit. Por, kryeministri ynë kishte qëndrim ashpërsisht të kundërt me partinë në të kaluarën për po atë marrëveshje që u zotua ta zbatonte.

Pa u hequr asnjë pikë dhe asnjë presje, zv. Kryeministri i Kosovës Besnik Bislimi tha që do të zbatoheshin dy marrëveshjet e arritura nga Qeveria Thaçi II (2013) dhe Qeveria Mustafa (2015).

Sot u arrit marrëveshja për një udhërrëfyes që përcakton mënyrën se si kompania serbe Elektrosever do të kryejë operacionet që do të duhej t’i kryente KEDS-i dhe KOSTT-i në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Reagimet e Vetëvendosjes për marrëveshjet e Energjisë kishin qenë jashtëzakonisht të ashpra në kundërshtim të tyre.

Bazikisht, Vetëvendosje konsideronte që këto marrëveshje e rrisnin varësinë e Kosovës nga Serbia.

“Sa i përket çështjes së energjisë Serbia e do rrjetin, e do nënstacionin e Vallaqit, e do hidrocentralin dhe e do tërë liqenin e Ujmanit. Ndërkaq pozicioni i Kosovës, formaliteti i pronësisë së KEDS-it përmbi asetet e distribuimit të energjisë atje, kompania virtuale (Elektroserveri) e cila do të merr përsipër faturimin e energjisë elektrike, do ta merr përsipër edhe blerjen e energjisë elektrike, edhe furnizimin me energji elektrike, edhe do të ketë pronësi asetet, dhe si e tillë pra do ta merr çështjen e energjisë në duar të veta, për sa i përket asaj pjese. Serbia po insiston që ta ketë rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike, por edhe gjenerimin e energjisë elektrike në pjesën e liqenit të Ujmanit, është që ta shtrijë kontrollin ekonomik përmbi atë pjesë të Kosovës, si dhe t’i përdorë resurset që gjenden në atë pjesë të Kosovës.” shkruante Vetëvendosje në komunikatën e 9 shtatorit 2013 të quajtur “Nga marrëveshja me Serbinë tek lista “Srbija”.

Në një komunikatë tjetër të quajtur “Shthurja”, të botuar vetëm dy ditë më vonë, më 11 shtator 2013, shkruhej si vijon:

“...kjo marrëveshje është pranim i sovranitetit të Serbisë mbi Kosovën. Këtë e konfirmon teksti në vijim i dokumentit zyrtar të marrëveshjes për telekomin dhe energjinë ku thuhet: “Secila palë zotohet të mos e mbulojë kufirin administrativ të palës tjetër në mënyrë të qëllimshme”. Kufiri mes dy shteteve të pavarura kurrë nuk mund të quhet administrativ.”

Kundërshtimet e ashpra kishin vazhduar edhe më tej nga Vetëvendosje me postimin e mëposhtëm që konsideronte se ato "po legalizonin ndikimin serb". 

Dejona Mihali më 26 nëntor 2016 fliste në mënyrë specifike për kompaninë “Elektroserver” dhe dëmin që marrëveshja përmes saj mund t’i shkakonte Republikës së Kosovës dhe sovranitetit të saj.

“‘ElektroSever’ është rezultati i marrëveshjeve për energjinë. Ai s'është një operator i thjeshtë. Me Marrëveshje, Qeveria e Kosovës i ka dhënë kompetenca të cilat i kanë vetëm Zyra e Rregullatorit (ZRRE) dhe Operatori i Sistemit të Transmetimit (KOSST-i). Ndërsa e kanë bërë palë negociuese për energjinë e Kosovës ‘Elektroprivreda Srbije’ dhe këtë jo me Qeverinë e Kosovës, por një kompani private siç është KEDS-i. ‘ElektroSeveri’ është projektuar si kompani me kompetenca e veprim të fuqishëm për të qenë pjesë e ‘Zajednicës’. Të ardhurat prej tij do të shkojnë në buxhetin dhe për fuqizimin e saj,” – kishte thënë ajo, për të vazhduar më pas:

“Ka mbërritur puna deri atje se në mënyrë të paligjshme ZRRE-ja na i faturon të gjithëve ne në faturat tona koston e mospagimit të energjisë në veri të vendit,”

Nëse do të ketë reagime fajësuese ndaj Besnik Bislimi nga kritikët e asaj kohe – përfshirë kryeministrin Kurti – mbetet të shihet.

Tjera nga autori:
1