<b></b> Infermierët ultimatum Ministrit: Na kthe përgjigje deri në ora 16:00 ose ikim nga Kosova

Infermierët ultimatum Ministrit: Na kthe përgjigje deri në ora 16:00 ose ikim nga Kosova

25.05.2022 09:53

Kanë nisur protestën e tyre në shenjë pakënaqësie ndaj shtetit, infermierët dhe stafi mbështetës i angazhuar në luftën ndaj pandemisë COVID-19. Ata për një orë do të protestojnë para objektit të Ministrisë së Shëndetësisë. E nëse Ministria e Shëndetësisë sot s’u kthen përgjigje këtyre punonjësve shëndetësorë, ata kanë një paralajmërim aspak të mirë.

“Zoti Ministër, na ktheni përgjigje deri në ora 16:00, se kemi kurs të gjermanishtes në ora 17:00”, “Ju të gjithë krenoheni për menaxhim të pandemisë, ne ishim ARSYEJA”, “Rrezikova veten dhe familjen time, për të të shpëtuar ty dhe familjen tënde, DHE SI U SHPËRBLEVA”, ishin disa nga pankartat që mbanin në duar personeli shëndetësor.

Nurie Uka, përfaqësuese e infermierëve në QKUK, ka thënë në një deklarim para gazetarëve, se protesta do të vazhdojë deri sa të marrin një përgjigje konkrete nga Ministria e Shëndetësisë.

Ajo ka thënë se disa punëtorë shëndetësorë e kanë bojkotuar punën shkaku i pamundësisë financiare.

“Qëllimi i protestës është për mosekzekutimin e pagave dhe asnjëherë nuk kemi marrë një përgjigje zyrtare. Momentalisht nuk largoheni prej këtu pa marrë përgjigje zyrtare. Kemi bërë kërkesa, shkresa email-a, po asnjëherë nuk kemi marrë përgjigje, përveç dje që e kemi zhvilluar një takim me shefin e kabinetit, Kujtim Salihu, krejt çka na ka thënë është që ka optimizëm.

Ne punën e vazhdojmë njëjtë. Ka disa kolegë që e kanë bojkotuar. Arsye është pamundësia financiare për zhvillimin e mëtutjeshëm të punës”, ka thënë ajo.

Kur dhe për çka janë angazhuar këta profesionistë shëndetësorë?

Në muajin gusht të vitit 2021, Ministria e Shëndetësisë pati hapur konkurs për angazhimin e përkohshëm të profesionistëve shëndetësorë dhe stafit mbështetës gjatë pandemisë COVID-19. Me anë të këtij konkursi, Ministria e Shëndetësisë synonte të punësonte 1 mijë e 116 pozita në shtatë Spitalet Rajonale, në Qendrat rajonale të IKSHPK-së, Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare nëpër komuna dhe Inspektorë Sanitarë.

“Bazuar në Ligjin Nr. 07/L-006 Për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19 në territorin e Republikës së Kosovës, Rregulloren (SHËNDETËSI) Nr.05.2020 Për angazhimin e përkohshëm të profesionistëve shëndetësor dhe stafit mbështetës gjatë pandemisë COVID-19 dhe Vendimin e Qeverisë nr.03/27 të dt.18.08.2021 së Republikës së Kosovës, Ministria e Shëndetësisë, shpall K O N K U R S”, thuhet në njoftimin MSH-së për konkursin në fjalë. /Nacionale.com/

Tjera nga autori:
1