<b></b> Inflacioni pamundëson zbatimin e disa projekteve, komunat i kërkojnë Qeverisë rishikim të buxhetit

Inflacioni pamundëson zbatimin e disa projekteve, komunat i kërkojnë Qeverisë rishikim të buxhetit

05.06.2022 16:50

Rritja e inflacionit po vështirëson implementimin e disa projekteve në nivelin komunal. Kryetarët e komunave kanë treguar për gazetën Nacionale se rritja e çmimeve po pamundëson edhe fillimin e këtyre projekteve. Ata kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që t’i ndihmojë duke rishikuar buxhetin

 

Disa komuna të Kosovës, për këtë vit nuk ishin përfituese të buxhetit të shtetit nga ministritë për fillimin e projekteve të natyrave të ndryshme. Në këtë mënyrë kryetarët e komunave detyrohen që me buxhetin e varfër të cilin e posedojnë  të funksionalizonë projektet që i kanë si prioritet.

Por, buxheti që kanë po iu paraqet ndonjëherë telashe të mëdha në kryerjen e projekteve që kanë nisur dhe fillimin e projekteve të reja.

Këto probleme, janë shtuar me rritjen e çmimeve për produkte të ndryshme.

Kryetari i komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, ka thënë për Nacionalen se projektet me kontrata dy vjeçare në komunën e tij ende nuk kanë filluar së zbatuari, shkaku i çmimeve të larta.

“Projektet me kontrata dy vjeçare që janë kanë nuk kanë fillu hala, për shkak të ndryshimit të çmimeve të mdhaja.”, tha Muharremaj.

Prandaj, i pari i Suharekës kërkon nga Qeveria rishqyrtimin e buxhetit. Sipas tij, rishikimi duhet të lejohet kur komunat kanë probleme.

“Po kur ka komuna probleme, pse mos me e leju rishqyrtimin”, thotë  Muharremaj.

Të njëjtën kërkesë për Qeverinë, e ka edhe kryetari i Malishevës, Ekrem Kastrati, i cili është për herë të parë kryetar në këtë komunë.

Kryetari që vije nga subjekti politik Nisma Socialdemokrate, thotë se rishqyrtimi i buxhetit do t’i ndihmonte shumë komunat në përfundimin e projekteve të cilat i kanë premtuar në fushatat zgjedhore, e që ndonjëherë iu pamundësohen për shkak të buxhetit.

Rishqyrtimi i buxhetit kishte me qenë mundësi ideale e sidomos për komunën tonë që nuk kemi përfituar asnjë cent nga ministritë, nga buxheti i shtetit. Rishqyrtimi do ta ndihmonte punën e komunave në ato projekte që janë prioritare e që duhen të nisen menjëherë”, tha Kastrati.

Ndërsa, Asociacioni i Komunave të Kosovë ka vlerësuar se Qeveria e Kosovës duhet të u dalë në ndihmë komunat në këtë situatë.

Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave, Sazan Ibrahimi, ka thënë për gazetën Nacionale se komunat po dëmtohen me pamundësinë e rishikimit të buxhetit.

Sipas tij, për shkak të inflacionit dhe ngritjes së çmimeve disa projekte kapitale nuk mund të zbatohen.

“Komunat dëmtohen me mos mundësinë e rishikimit sepse ka inflacion dhe ka ngritje të lartë të çmimeve e që për pasojë edhe disa projekte kapitale nuk mund të zbatohen. Rreth ngritjes së çmimeve komunat nuk kanë faj. Rritja e buxhetit të shtetit, automatikisht ka edhe rritje të buxheteve Komunale në baze te formulave për ndarjen e granteve komunat përfitojnë mjete shtesë financiere e që këto mjete mund të rishikohen në buxhetet komunale”, tha.

Me tej, Ibrahimi ka shtuar se mosrishikimi i buxhetit, mund të ndikojë që në shumicën e komunave mos të shpenzohen mjetet e ndara për investime kapitale.

 “Sidomos kjo pengesë është më e madhë për kryetarët e komunave që janë zgjedhur për herë të parë dhe që kanë nevojë zbatimin e projekteve  që i kanë premtuar gjatë fushatës e që nëse nuk rishikohet, atëherë duhet të vazhdojnë me zbatimin e projekteve nga paraardhësit e tyre”, tha Ibrahimi për gazetën.

Tutje Asociacioni i Komunave, u ankua për moskomunikim të qeverisë me ta. Sipas Ibrahimit, ministri i Financave ka kohë që nuk po pranon të takohet me drejtoritë e financave dhe Asociacionin.

Nacionale ka kontaktuar edhe Qeverinë e Kosovës për të marrë informacione se si e shohin kërkesën e komunave për ri-shqyrtim të buxhetit dhe nëse po punohet diçka në këtë aspekt, por të njëjtit nuk janë përgjigjur.

Ditë më parë, Instituti GAP ka publikuar raportin në të cilin tregohej se sa para ua ka ndarë Qeveria komunave.

Sipas këtij raporti, Komuna e Kamenicës në krye me Kadri Rahimaj nga Vetëvendosje është komuna e cila renditet e para me 27 euro investime për kokë banori. Pas saj radhiten komunat e Vitisë në krye me Sokol Halitin nga LDK dhe e treta me 15.65 euro është Podujeva me kryetarin Shpejtim Bulliqi nga Vetëvendosje, me 14.54 euro.

Ndërsa, komunat të cilat do të përfitojnë më shumë për nga mjetet financiare, janë Prizreni me rreth 1.9 milionë euro,  Prishtina rreth 1.5 milionë euro,  Podujeva rreth 1.2 milionë euro si dhe e Gjakova me  1 milion euro.

Mbi 86.6 milionë euro apo 89% e projekteve të ministrive në komuna janë vazhdim i viteve të kaluara, ndërsa rreth 10.3 milionë euro janë projekte të reja.

Tjera nga autori:
1