<b></b> Intervistë | Maliqi: Frustrimi i aleatëve me qasjen e Kosovës në politikë të jashtme është në rritje

Intervistë | Maliqi: Frustrimi i aleatëve me qasjen e Kosovës në politikë të jashtme është në rritje

19.06.2022 11:27

Politologu Agon Maliqi ka deklaruar se shqetësimet e Kosovës ndaj iniciativës rajonale Ballkani i Hapur nuk mund të adresohen duke ikur nga tavolina e takimeve.

Ai ka thënë se në këtë mënyrë Kosova po barrikadohet në pozicion konfrontues me rajonin dhe aleatët.

Në këtë intervistë dhënë gazetës Nacionale, Maliqi ka vlerësuar se Kosova nuk duhet të frikësohet nga kjo nismë, duke shtuar se Qeveria e Kosovës ka mundësi të parashtrojë kushte për pjesëmarrjen e saj në këtë iniciativë.

Maliqi ka bërë me dije se frustrimi i aleatëve me këtë qasje të Kosovës në politikë të jashtme është në rritje.

Në këtë intervistë, ai ka folur edhe për dialogun Kosovë-Serbi dhe për qasjen e politikës së jashtme të përqendruar së tepërmi në mbështetjen e Gjermanisë dhe pa raport të bashkërendimit strategjik me SHBA.

Nacionale: Në samitin e fundit të Ballkanit të Hapur në Ohër kanë marrë pjesë edhe Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina. Kosova edhe kësaj radhe refuzoi ftesën për pjesëmarrje. Si e keni parë kundërshtimin e  Kosovës ndaj kësaj nisme?

Maliqi: Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovnia mbeten në nivel të vëzhguesve dhe akoma nuk janë nënshkruese të asnjërës prej marrëveshjeve. Për më tepër, nuk dihet nëse ka konsensus të mjaftueshëm në këto dy shtete për hapa më përmbajtësor. Në Mal të Zi psh. kemi qeveri të pakicës të mbështetur nga opozita e cila nuk është pro-Ballkanit të Hapur. Sidoqoftë, simbolikisht takimi i Ohrit u pa si interesim për pjesëmarrje në një nismë e cila akoma nuk është e qartë se çfarë është, por që synon të kthehet në forum apo mekanizëm qëndror rajonal të shteteve të cilat shohin interes nga integrimi më i shpejt ekonomik se sa ai që po zhvillohet brenda kornizës së Tregut të Përbashkët Rajonal. Kosova ndërkohë është bërë lidere rajonale në kampin kundërshtues të nismës, duke llogaritur në aktorë të tjerë rajonal me fuqi të vetos si psh. Milo Djukanovic, por mbetet gjithmonë edhe më e izoluar në këtë pozitë. Shqetësimet e Kosovës janë deri diku legjitime dhe skepticimi i arsyetuar, por çfarëdo qofshin ato nuk mund të adresohen duke ikur nga tavolina dhe duke u barrikaduar në pozicion konfrontues me rajonin dhe aleatët, sisomos në një kontekst kur duhen parë edhe mundësitë dhe përfitimet nga përfshirja.   

Nacionale: Sa janë të argumentuara qëndrimet e institucioneve dhe partive opozitare kundër Ballkanit të Hapur?

Maliqi: Që të jesh kundër diçkaje së pari duhet të dish se çfarë ajo është. Ne akoma nuk e dimë se çka është Ballkani i Hapur përveç një serie takimesh simbolike dhe një serie (deri tani krejt minore) marrëveshjesh për lehtësimin e qarkullimit në rajon – lehtësime të cilat Kosova tashmë i ka bilateralisht me disa prej shteteve. Në thelb ajo që është arritur deri tani brenda Ballkanit të Hapur është madje më pak ambicioze se Tregu i Përbashkët Rajonal të cilin qeveria e Kosovës së paku në retorikë e mbështet. Prandaj sot për sot e kemi vetëm një përfytyrim mitologjik të Ballkanit të Hapur të prodhuar nga narracionet e interesave politike, e që në Kosovë janë kryesisht negative dhe të mbushura me simbolizma dhe referenca paragjykuese të tipit “Jugosllavi e re”. Fakti që nisma akoma nuk është definuar qartë në fakt përbën mundësi në këtë fazë për ta formësuar atë sipas interesave tona. Kosova pra ka mundësi të parashtrojë kushte dhe në këtë kuptim e ka si përparësi faktin se pa pjesëmarrjen e saj dhe të gjitha vendeve të Ballkanit (me të cilat Kosova ndan shqetësime) nisma e ka të vështirë materializimin, teksa edhe vetë SHBA-të e kanë vënë theksin te gjithpërfshirja.

Kundërshtimet ndaj nismës në Kosovë deri tani mund të ndahen në të paarsyeshme dhe të arsyeshme. Në plan të parë po vihen të paarsyeshmet që kanë të bëjnë me kundërshtimin e nismëtarëve dhe protagonistëve të nismës  – që është paradoksale ndërkohë që me po të njëjtët aktorë Kosova pranon të ulet në formate të tjera. Pra e paarsyeshme është se si nisma po personalizohet dhe kthehet në tabele qitjeje në debatet mes liderëve në Kosovë dhe Shqipëri, kryesisht për nevoja të politikës së brendshme. Gjithsesi imazhi i Ballkanit të Hapur është edhe rezultat i komunkimit të gabuar të idesë dhe përvetësimit të saj në fillim nga Rama, Vuçiq dhe Zaev, apo edhe asociimit të saj me Marrëveshjen e Uashingtonit dhe Grenellin. Në anën tjetër, shqetësimet mbi nismën të cilat janë të arsyeshme janë ato që po bien në plan të dytë në opinion publik:  si do të sigurohet barazia e Kosovës; cilët do të jenë mekanizmat e sigurimit të zbatimit të marrëveshjeve; si do të sigurohen standardet institucionale të BE si pjesë e integrimit rajonal; si do të parandalohen në një bllok të mundshëm tregtar investime nga shtete armiqësore dhe autoritare si Rusia, etj? Askush nuk ka iluzione se sa problematike është Serbia e sotme për t’u konsideruar si partner ose palë bashkëpunuese për çkado – por rajoni ynë është ky që është dhe Serbinë nuk mund ta spostojmë diku. Të gjitha këto shqetësime Kosova ka fuqi dhe peshë për t’i adresuar duke u ulur në tavolinë bashkë me shtete mike si Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, të cilat Kosova po i largon prej vetes me qasjen e saj, duke ua shpërfillur interesat. Gjithashtu, Kosova nuk po i merr parasysh edhe përfitimet prej integrimit rajonal të cilat nuk janë të pakta, për të mos thënë janë qenësore. Ato janë ekonomike: sot Kosova është ajo që përballet më së shumti barriera tregtare në rajon dhe pjesën më të madhe të eksporteve i ka pikërisht në CEFTA. Për më tepër, krijimi i një tregu 20 milionësh e bën gjithë rajonin më konkurues për investime serioze të cilat nuk vinë sot në Kosovë për shkak të tregut të vogël. Përfitimet mund të jenë edhe politike: në mungesë të perspektivës europiane për rajonin për së paku 10-20 vitet e ardhshme, ka humbur edhe instrumenti vendimtar i jashtëm që do ta siguronte normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, prandaj Ballkani i Hapur mund të shërbejë edhe si levë presioni dhe kushtëzimi ndaj Serbisë (bashkë me dialogun në Bruksel) për zhbllokimin ndërkombëtar të Kosovës, rrugën tonë drejt NATO-s, etj. Tregu rajonal gjithashtu do t’i forconte lidhjet ekonomike mes hapësirave shqiptare në rajon sepse aty do të ndodhte shkrirja e parë. Në kontekstin numerik shqiptarët janë kombi i dytë më i madh në këtë bllok të mundshëm tregtar dhe me peshë politike përcaktuese në katër shtete, kështu që frika për mbisundim nga Serbia duket e paarsyeshme - buron nga pasiguria e thellë dhe mungesa e vetëbesimit (për të mos thënë racizmi ndaj vetevetes).  E fundit por edhe jo më pak e rëndësishme, Kosova nuk po e merr parasysh edhe prizmin gjeopolitik dhe gjeekonomik prej të cilit e shohin projektin aleatët tanë perëndimor, mbi të gjitha shqetësimin nga ndikimi i Rusisë dhe Kinës në një rajon kaq ekonomikisht dhe institucionalisht të brishtë. Ballkani i Hapur apo edhe Tregu i Përbashkët Rajonal nuk është shkop magjik për këto probleme por i vetmi proces që krijon mundësi dhe rrugëdalje prej sfidave.

Nacionale: Me përafrimin e Malit të Zi dhe Bosnjës me këtë nismë, Kosova po mbetet vendi i vetëm në rajon që po e refuzon pjesëmarrjen. Çfarë do të thotë për Kosovën një izolim i tillë?

Maliqi: Për refuzimin e Kosovës nuk mund të flitet si për një fenomen të izoluar.  Ai është pjesë e një trendi në rritje, qysh prej vitit 2014 e tutje, i refuzimit dhe keqkuptimit të çdo nisme që buron në rajon dhe nga aleatët dhe vështrimin e saj me dyshim dhe (do të thoja) paranojë. Serbia mbetet faktori më problematik i rajonit dhe për këtë nuk ka dyshim askund në perëndim. Por vihet re gjithmonë e më shumë një habi dhe frustrim te shtetet aleate me qasjen apriori refuzuese të Kosovës ndaj nismave diplomatike, aq sa për shumë prej tyre Kosova sot shihet si problem thuajse po aq i madh sa Serbia.  Qeveria jonë për shembull pretendon se mbështet nismën e Tregut të Përbashkët Rajonal që është pjesë e procesit të Berlinit, por vitin e kaluar shumëkush në perëndim, përfshi edhe në Berlin, ia la fajin pikërisht Kosovës për dështimin e katër marrëveshjeve rajonale të këtij procesi, për shkak të insistimit të qeverisë sonë që të hapeshin temat që i takojnë dialogut të Brukselit. Në rrethana të tilla, dhe kjo është e dukshme edhe nga gjuha e shteteve të Kuintit në lidhje me aplikimin në Këshillin e Europës, frustrimi me qasjen e Kosovës është në rritje, dhe kur flasim për izolimin duhet thënë se po flasim për një kontekst ku nuk mund ta presim llojin e mbështetjes perëndimore i cili na duhet për të shpërthyer dhe arritur aty ku duhet në politikën e jashtme.

Nacionale: Me pjesëmarrjen e zyrtarëve të lartë amerikan dhe evropiane në këtë samit u qartësua mbështetja për këtë iniciativë. A duhet të ketë Kosova një reflektim pas zhvillimeve të djeshme?

Maliqi: Pjesëmarrja e tyre tregon mbështetje në parim për bashkëpunim rajonal, por jo edhe për çfarëdo produkti përfundimtar. Duhet kuptuar se të gjitha këto zhvillime po ndodhin duke e pasur në sfond luftën në Ukrainë dhe një paqartësi se çfarë të bëhet me Ballkanin Përëndimor kur ai nuk ka perspektivë të afërt anëtarësimi në BE dhe mbetet i brishtë nga zhvillimi i ngathët dhe shqetësimet e sigurisë. Në këtë kontekst, SHBA-të me gjasë e shohin me sy më pozitiv projektin sepse e shohin nga prizmi gjeoekonomik i karrotave për Serbinë dhe integrimi i saj i mundshëm tregtar dhe poliitk me rajonin, i cili është kryesisht në NATO dhe i lidhur (në të ardhmen) me burime energjetike joruse të cilat do ta shkpëusnin Serbinë prej kësaj varësie. Por SHBA-të e shohin te integrimi rajonal dhe te shtensionimi i raporteve shqiptaro-serbe (ku rol prijës ka marrë Kryeministri Rama) edhe levën e ndikimit dhe mekanizmin për njohjes së Kosovës, i cili si bashkëprodukt automatik edhe uljen e ndikimit politik të Rusisë mbi Serbinë. Përpjekja ruse për ta zhvlerësuar dhe minuar nismën e Ballkanit të Hapur përmes Lavrovit (i cili doli në mbështetje pikërisht me synimin për t’u dhënë municion kundërshtarëve) është pikërisht tregues i frikës së Rusisë nga humbja e ndikimit në rajon, i cili simbolikisht u dëshmua me bllokimin e vizitës së tij nga vendet fqinje të NATOs. Në BE ndërkohë ka zëra si komisari për zgjerim Varhely si dhe kryetari i këshillit Charles Michel të cilët janë shprehur mbështetës por duket sikur janë duke “freelance” me këto pozicione, sepse BE-ja nuk ka pozicion zyrtar për këtë çështje. Gjermania për shembull duket skeptike, me gjasë nga frika e humbjes së ndikimit politik në këtë format bashkëpunimi rajonal dhe frika se çfarë do të thotë kjo nismë për proceset integruese, duke qenë se ajo nuk është e “ankoruar” në standarde institucionale të BE. Por në anën tjetër edhe në Berlin ka një ndjenjë realizmi se integrimet nuk po ecin për shkak të vendeve kundërshtuese si Franca, dhe mund ta shohim një përpjekje për sintetizim të proceseve dhe nismave të deritashme si pjesë e projektit më të gjërë për ristrukturimin e BE-së apo krijimin e asaj që Macron e quan “Komuniteti Politik Europian”, që nënkupton një strukturë rrathësh koncentrik, ku Ballkani Perëndimor mbetet i lidhur me BE-në si bllok.

Nacionale: Në një shpjegim tuajin, ju flisni për një luftë psikologjike të Serbisë brenda Kosovës, nëpërmjet të cilës, Serbia e bën më të parealizueshëm dialogun meqë na vendos në një grackë për të mbrojtur koncepte si dinjiteti dhe integriteti.  A mund ta shpjegoni më gjerësisht këtë mendim tuajin?

Maliqi:  Mendoj se Serbia vitet e fundit ndihet shumë komode me qasjen e politikës zyrtare të Kosovës në raport me zhvillimet rajonale dhe me dialogun. Serbia ka interes strategjik në thellimin mosbesimit ndaj proceseve diplomatike dhe përcarjeve në Kosovë, por edhe në qasjen sa më të ngurtë dhe konfliktuale të Kosovës në raport me aleatët. Kjo sepse e vetmja mënyrë se si Kosova e ka thyer asimetrinë e fuqisë në raport me Serbinë ka qenë kur ka vepruar e bashkërenduar me aleatë. Serbia ka arritur ta thyejë këtë bashkërendim me ndihmën e elitës sonë politike. Mekanizmi se si Serbia e arrin këtë gjë është i thjeshtë por edhe shumë perfid: ajo e përdor plagën tonë të luftës, aktivisht na provokon dhe kërcënon për të na qitur prej taktit dhe për ta bërë uljen me Serbinë në tavolinë, apo çfarëdo bashkëpunimi me Serbinë, shumë të vështirë për cilindo lider të Kosovës, shpesh duke arritur të prodhojë reagime histerike nga ana e jonë. Kështu duke e ngujuar Kosovën në pozicione iracionale dhe konfliktuale me aleatët, Serbia e heq presionin prej vetes dhe presioni ndërkombëtar shkon drejt nesh. Një fushatë të tillë destabilizimi e kam dokumentuar në tetor të vitit 2020 kur qeveria e brishtë e Hotit ishte afër përparimit në dialog të Brukselit: nga Serbia nja dy javë rresht vinin lajme dhe deklarat që e minonin procesin dhe e bënin të pamundur për cilëndo qeveri të Kosovës të arrinte çfarëdo marrëveshje. Serbia është pala që ka më së shumti interes nga zhagitja e dialogut në Bruksel por këtë shërbim sot po ia bën Kosova. Kjo sepse në diskursin tonë publik jemi bërë të paaftë t’i artikulojmë interesat tona, por busull orientuese e kemi bërë kundërshtimin e Serbisë. Mbi të gjitha, me këtë strategji Vuciq ia ka rritur pazarin dhe peshen vetes duke u vulosur si i patejkalueshëm në rajon. Liderëve tanë nuk po iu mbyllet goja duke u ankuar për Serbinë para ndërkombëtarëve, duke reaguar për çdo deklaratë dhe nismë që vjen prej andej. Pse duhen ndërkombetarët pra të flasin me neve kur në fakt i gjithë shqetësimi ynë është se çka thotë dhe bën Serbia? Më e lehtë dhe efektive për ta është që të shkojnë dhe të flasin drejt me burimin e obsesionit tonë.

Nacionale: Tashmë ka kaluar një vit nga koha kur qeveria Kurti mori pushtetin ekzekutiv të vendit, si e vlerësoni punën e tyre në tërësi në politikën e jashtme?

Maliqi: Kosova po e ndjek një politikë të jashtme relativisht autiste dhe në shpërputhje me realitetin dhe mundësitë - të përqëndruar mbi idenë se njohjet bilaterale mund të sigurohen ndaras prej procesit të dialogut. Kjo do të jetë rrugë qorre, siç po dëshmon edhe përpjekja për sigurimin e njohjes prej Greqisë. Kosova gjithashtu po e ndjek një politikë të jashtme të përqëndruar së tepërmi në mbështetjen e Gjermanisë dhe pa raport të bashkërëndimit strategjik me SHBA, të cilin e dëshmon edhe niveli i ulët i vizitave. Siç tregoi së fundi edhe aplikimi për në Këshillin e Europës, pa marrë parasysh se sa është e rëndësishme, Gjermania e vetme nuk mund të na shtyjë përpara nga pika ku jemi dhe nuk e zëvendëson dot për ne funksionin e SHBA. Kur strategjia është e gabuar atëherë nuk ia vlen shumë të flitet për zbatimin e saj. Gjithsesi, mund të këtë shumë gjëra të mira që po bëhen – emërimet në diplomaci, për shembull, kanë qenë përgjithësisht mjaft të mira – por gjithçka zhvlerësohet nga qasja e gabuar, veçanërisht në raport me dialogun. Duhet thënë gjithashtu se duke e pasur parasysh rëndësinë e politikës së jashtme për Kosovën, që është më e madhe se për shtetet e tjera normale marrë parasysh problemin tonë të njohjes, qeveria ka mundur ta emërojë një ministre të jashtme më kompetente. Znj. Gërvalla nuk është treguar në nivel të detyrës dhe Kosova (përshi shumica aktuale) ka pasur figura shumë më të përshatshme dhe kompetente për këtë pozitë. 

Nacionale: Nëse kalojmë në një temë të veçantë të politikës së jashtme të Kosovës, atë të dialogut me Serbinë. Cili është vlerësimi i juaj për qasjen e kësaj qeveria ndaj dialogut?

Maliqi: Është gabim strategjik që Kosova të insistojë në zhagitjen e dialogut dhe ta ngujojë atë në një proces dialogu teknik për çështjet si targat, sepse kjo zhagitje po i shkon për shtati Serbisë dhe po ia heq presionin perëndimor. Kosova po e ushqen njëfarë iluzioni sikur ajo nuk ka nevojë për dialogun dhe po e bën vetëm për hatër të ndërkombëtarëve, kur në fakt dialogu është interes jetik i Kosovës si instrumet të cilin aleatët na e kanë krijuar mes tjerash edhe për zhbllokimin tonë ndërkombëtar. E kisha shkruar para disa ditësh në media sociale: Kosova nuk duhet të jetë pala që i ndihmon Serbisë për ta zhagitur dialogun por duhet të insistojë që dialogu i Brukselit të përmbyllet brenda një afati të afërt (fund të vitit?) sipas parimit “nuk ka marrëveshje për asgjë pa u arritur marrëveshje për gjithçka”. Duhet shfrytëzuar momenti i harmonisë SHBA-BE, i pamundësisë së Rusisë për t’u imponuar shumë në proces si mbështetëse e Serbisë dhe i opozitës e cila ka premtuar të jetë konstruktive. Në këtë kontekst mendoj se mund të shfrytëzohet si levë kushtëzuese edhe procesi i integrimit rajoal. Mendoj se Kosova në kontekst aktual ka mundësi të dalë me një marrëveshje pozitive e cila ndoshta nuk do të rezultonte me njohjen e drejtpërdrejtë prej Serbisë, por që do ta siguronte njohjen prej 5 vendeve të BE dhe katër vendeve të NATO, që do të na hapte rrugën drejt NATO-s, Këshillit të Evropës, etj. Është gjynah të humbet ky kontekst i favorshëm.

Nacionale: SHBA-ja dhe BE-ja kanë kërkuar nga Kosova dhe Serbia rezultate konkrete nga procesi i dialogut. A mund të presim një dinamikë të re të këtij procesi?

Maliqi: Pres një dinamikë të re më serioze ndoshta ndoshta pas shtatorit. Por nuk pres që Kosova do t’i shfrytëzojë mundësitë që po na ofrohen, dhe pres që Vuciç dhe Serbia me sukses do ta sabotojnë procesin sërish. Synimi i tyre kryesor është që ta sabotojnë dialogun dhe ta vonojnë konsolidimin e shtetësisë Kosovës, por që mundësisht ta bëjnë këtë duke na lënë fajin neve. Fatkeqësisht dyshja Kurti dhe Osmani duken të disponuar që t’ia japin Serbisë këtë mundësi dhe nuk po e tejkalojnë dot diskursin populist opozitar.  

Tjera nga autori:
1