<b></b> Intervistë | Mustafi: Serbia të na lejojë që ta ngrisim flamurin kuq-e-zi, Kosova të na ndihmojë

Intervistë | Mustafi: Serbia të na lejojë që ta ngrisim flamurin kuq-e-zi, Kosova të na ndihmojë

09.06.2022 19:55

Kryetar i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve të Luginës së Preshevës, Ragmi Mustafi, ka kritikuar qasjen e autoriteteve të Serbisë ndaj përdorimit të flamurit kombëtar shqiptar. Ai ka deklaruar se paditë gjykatave serbe nuk do ta zmbrapsin në betejën e tij për drejtësi.

Në këtë intervistë për gazetën Nacionale, ai ka thënë se diskriminimi shtetëror serb ndaj shqiptarëve të Luginës ekziston në çdo fushë. Sipas tij, Serbia ata vazhdon t’i konsiderojë si armiq të shtetit.

Kryetar i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve të Luginës së Preshevës, Ragmi Mustafi, ka treguar se nuk e frikësojnë paditë e gjyqeve serbe për çështjen e ngritjes së flamurit kombëtar shqiptar.

Ai ka kërkuar nga Qeveria e Serbisë që të ndryshojë Ligjin për përdorimin dhe shfaqjen publike të simboleve nacionale, duke e harmonizuar atë me Kushtetutën.

Në këtë intervistë dhënë gazetës Nacionale, Mustafi ka deklaruar që Serbia është i vetmi shtet që nuk respekton të drejtën dhe lirinë e përdorimit të simboleve kombëtare.

Mustafi ka bërë me dije se diskriminimi i Serbisë ndaj shqiptarëve të Luginës ekziston në çdo fushë të jetës publike.

Sipas tij, kjo është vërejtur edhe në zgjedhjet e fundit nacionale.

Nacionale

Z.Mustafi, për herë të katërt me radhë jeni paditur nga një gjykatë serbe, për, siç thuhet, “kryerjen e veprës kundërvajtje ngritja e flamurit kombëtar” në selinë e Këshillit Kombëtar Shqiptar më 28 nëntor 2021. Cili është komenti juaj për këtë padi?

Mustafi:

Tashmë për herë të katërt me radhë kam pranuar ftesë nga Gjykata në Vranjë, departamenti në Bujanoc, në bazë të kërkesës së Kryepolicit në Stacionin Policor - Ministrisë së Punëve të Brendshme - Goran Saviq. Si i paditur në cilësinë e kryetarit të Këshillit Kombëtar Shqiptar, për siç thuhet “kryerjen e veprës kundërvajtje, ngritja e flamurit kombëtar” në selinë e Këshillit Kombëtar Shqiptar më 28 nëntor 2021.
Shihet qartë se po rriten çdo ditë e më shumë, jo vetëm presioni, por edhe përndjekja politike dhe ligjore e pushtetit në Beograd ndaj shqiptarëve në Serbi e në Luginën e Preshevës. E akuza e ripërsëritur për “kryerjen e veprës për kundërvajtje, ngritja e flamurit kombëtar” nuk mund të kuptohet ndryshe përveç si përndjekje politike.

Përdorimi i simboleve kombëtare nga shqiptarët në Serbi është e drejtë e tyre njerëzore, kombëtare dhe ekzistenciale. Siç i përdorin ligjshëm simbolet e tyre kombëtare minoritetet e tjera në rajon, edhe shqiptarët në Serbi kanë me i përdorë simbolet e tyre kombëtare. Nga kjo e drejtë nuk do të mund të na privojë asnjë regjim. Nuk ka mundur as regjimi i Millosheviqit, nuk do të mundet as ky.

Nacionale:

A kanë ndonjë bazë këto padi?

Mustafi:

E drejta e përdorimit të simboleve kombëtare për minoritetet jo vetëm se është e drejtë e garantuar me të gjitha konventat ndërkombëtare, por edhe me frymën dhe germat e Kushtetutës së Serbisë.
Megjithatë, paditë e ngritura nga Gjykata e Vranjës janë të motivuara politikisht. Ajo bazohet nën pretendimin e shkeljes së nenit 41 të Ligjit për shfaqjen dhe përdorimin e stemës, flamurit dhe himnit të Republikës së Serbisë, që parasheh dënim nga 50.000 deri në 500.000 dinarë.

Nacionale:

Çka tregojnë këto padi për një shtet si Serbia?

Mustafi:

Ndalimi i përdorimit të lirshëm të flamurit kombëtar për komunitetin shqiptar flet për karakterin demokratik të vetë shtetit, një shteti ku nuk ka të drejta të barabarta për të gjithë qytetarët, në shpërputhje edhe me konventat për të drejtat e njeriut dhe të minoriteteve, të nënshkruara nga vetë ai.

Serbia nuk mund ta përzgjedhë flamurin e shtetasve të saj shqiptarë. Atë e përzgjedhin vetë shqiptarët!

Pra, në vend se t’i shtypë shqiptarët në emër të shtetit ligjor, Serbia ta respektojë Kushtetutën e saj dhe të fillojë demokratizimin e saj duke u shkëputur nga politikat diskriminuese ndaj minoriteteve. Të çlirohet nga politikat shtypëse duke e ndryshuar Ligjin për përdorimin dhe shfaqjen publike të simboleve nacionale, për ta përputhur me Kushtetutën e saj dhe standardet demokratike.

Nacionale:

Me tri paditë e para, çka ka ndodhur?

Mustafi:

Kot e kanë. Edhe mund të më dënojnë, por nuk mund të më të zmbrapsin nga beteja për drejtësi! Sepse konsideroj që (sh)përdorimi i ligjit është simbol i shtypjes! Flamuri kombëtar për shqiptarët e Luginës së Preshevës është ligj i barazisë!

Pasi në të gjitha rastet janë ngarkuar edhe si person juridik dhe si person dhe privat, pasojat e dënimit të parë i kam bartur gjatë këtij viti, e dyta është në proces për ekzekutim, e treta është në 

shqyrtim.
Megjithatë, tashmë jemi në një fazë kur recidivizmi i veprës së kundërvajtjes do të provohet të kthehet edhe në çështje penale.

Nacionale:

Cilat do të jenë veprimet tuaja ndaj kësaj padie?

Mustafi:

I jam përgjigjur të gjitha ftesave të gjykatës me rregull. Mbrojtjen e kam bërë me shkrim. Ashtu si në tri rastet paraprake do të kërkoj përsëri hedhjen poshtë të kërkesës për fillimin e Procedurës për Kundërvajtje në bazë të nenit. 184 parag. 2. pikë. 6. të Ligjit për Kundërvajtje. Sepse kam vepruar në përputhje me vendimet e Këshillit Kombëtar Shqiptar, përkatësisht vendimin mbi shfaqjen dhe përdorimin e flamurit shqiptar në territorin e Republikës së Serbisë nr. 277/12 dhe Vendimin mbi caktimin e festave të komunitetit shqiptar nr. 279/12, të datës 20.01.2012. Të cilët janë të bazuar në nenin 79 të Kushtetutës së Republikës së Serbisë ku shprehimisht thuhet se pjesëtarët e pakicave kombëtare kanë të drejtë: të ruajnë, kultivojnë, zhvillojnë dhe shprehin publikisht veçoritë kombëtare, etnike, kulturore dhe fetare; të përdorin simbolet e tyre në vende publike. Në nenin 16, paragrafët 1, 2, 3, Ligji për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Pakicave Kombëtare që rregullon përdorimin e simboleve kombëtare, ku thuhet se pjesëtarët e pakicave kombëtare kanë të drejtë të zgjedhin dhe përdorin simbolet dhe flamujt kombëtarë. Dhe nenin 10 paragrafi 1 pikat 4 dhe 5 të Ligjit për Këshillat Kombëtarë të Pakicave Nacionale ku thotë se Këshillat Kombëtare, në përputhje me ligjin dhe statutin e tij, nëpërmjet organeve të tij në mënyrë të pavarur: vendos për emrin, simbolet dhe vulën e këshillit kombëtar, si dhe përcakton propozimet për simbolet kombëtare, flamujt dhe festat e pakicave kombëtare.
Ndryshe, vazhdimisht kam ftuar qeverinë serbe që të ndjekë shembullin e shteteve fqinje, si Maqedonia e Veriut, Kosova e Mali i Zi. Sepse nuk i takon shtetit t’i përzgjedhë veçoritë identitare të bashkësive të ndryshme etnike/kombëtare.

Ndryshe nga shtetet e tjera në rajon, Serbia shtetërore mbetet e kufizuar brenda mendësisë nacionaliste e fashiste. E jo pak shqiptarë të Luginës nuk mund të jetojnë në vendlindje për shkak të ngritjes së flamurit kombëtar shqiptar. Shumë të tjerë përballen me procese gjyqësore, ashtu siç jam duke u përballur edhe unë.

E gjithë kjo politikë në emër të shtetit ligjor është në fakt politikë e dëbimit dhe mosnjohjes së tjetrit. Serbia duhet të ndryshojë ligjin, të mos mbetet i vetmi shtet që nuk respekton të drejtën dhe lirinë e përdorimit të simboleve kombëtare.

Nacionale:

Në zgjedhjet e fundit në Serbi, shqiptarët e Luginës për herë të parë mbeten pa përfaqësues në Parlamentin e Serbisë. Pse ndodhi kjo?

Mustafi:

Ndryshe nga para dy viteve, kur të gjitha subjektet politike kishin dalë në zgjedhjet parlamentare me një listë, kësaj here kanë garuar me dy lista. Më pas refuzimi i pjesëmarrjes nga dy subjektet politike nga Lugina në dy takimet e ftuara nga zyra e kryeministrit të Republikës së Kosovës për harmonizimin e qëndrimeve sa u përket zgjedhjeve parlamentare në Serbi, ishte i pakuptimtë dhe me shumë gjasë ndihmoi për krijimin e një hapësire për të pamundësuar edhe përfaqësimin në Parlamentin Republikan.
Më pas edhe pasivizimi i adresave të një numri shumë të konsiderueshëm të shqiptarëve të Luginës nga Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë, sigurisht pati edhe impaktin e uljes së numrit të pjesëmarrjes në këtë proces zgjedhor.
Dhe krejt në fund, ngritja e proceseve gjyqësore ndaj të zgjedhurve politikë në Medvegjë (ku mbajtën edhe zgjedhjet lokale) me pretekst ekologjik, parullat “Djegni shtëpitë e shqiptarëve” (palite kuće šiptarima) në Leskovc, demolimi i dritareve të një subjekti politik shqiptar, arrestimet e tre punonjësve komunalë në Bujanoc para zgjedhjeve të 3 prillit. Si dhe kjo e fundit me arrestimin e avokatit të komunës së Bujanocit, nuk mund të kuptohen ndryshe përveç përndjekje politik për qëllime elektorale.
Pra, pas 15 viteve shqiptarët mund të mbesin pa përfaqësues në Parlamentin e Serbisë si pasojë e (mos)koordinimit brenda subjekteve politike shqiptare, e përcjellë nga presioni dhe tensionimi i situatës në Luginë nga institucionet/mekanizmat e instrumentalizuara nga kreu shtetëror serb.

Nacionale:

Gjithashtu, autoritetet serbe atje bënë gjithçka, duke u ankuar në çdo institucion, për të mos lejuar që z. Kamberi të jetë deputet. Çfarë mesazhi po dërgon te shqiptarët shteti serb me këto veprime?

Mustafi:

Në vend se të avancojë në implementimin e të drejtave të njeriut dhe gjithëpërfshirjes, Qeveria e Republikës së Serbisë, përkundrazi po thellohet edhe më tepër në nxitjen e pasigurisë dhe frikës kolektive si emërues të përbashkët të sistemit aktual në Serbi, përmes instrumentalizimit politik të organeve ligjzbatuese kundrejt shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

Respektimi i pakicave është edhe detyrim ligjor dhe kushtetues i Qeverisë së Republikës së Serbisë. Pranimi i tjetrit është parakusht i një shoqërie demokratike. Aty edhe i kanë arsyet pse nuk pranohen me të drejtë në Bashkimin Evropian.

Shqiptarët nuk kanë faj pse Qeveria e Serbisë nuk ka kapacitete demokratike. Pse shqiptarët nuk e ndiejnë me të drejtë Serbinë si shtet të tyre. Adresa është në Beograd. Në Qeverinë e Serbisë. Ku edhe gjuha ofenduese ndaj shqiptarëve përveç se është instrumentalizuar, është bërë e zakonshme. Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë, përdor lirshëm termin ofendues e kriminalizues "Siptari". E njëjta ministri që po vazhdon pasivizimin e adresave duke fshirë shqiptarët, e duke mohuar të drejtat themelore të njeriut!

Shqiptarët e Luginës shihen si armik i shtetit serb, për këtë dëshmon edhe ky procesi i fundit i zgjedhjeve parlamentare.

Nacionale:

Cili duhet të jetë roli i Shqipërisë dhe Kosovës në mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në Luginë?

Mustafi:

Shqipëria dhe Kosova duhet të rreshtohen në mbrojtjen dhe avancimin e shqiptarëve në Luginë jo vetëm si nevojë por domosdoshmëri e kohës. Ruajtja e substancës kombëtare, realizimi i të drejtave individuale dhe kolektive, si dhe përmirësimi i pozitës së shqiptarëve në Luginën e Preshevës si imperativ i domosdoshëm.
Deri më tani, në 20 vitet e fundit, nuk kemi pasur qasje serioze, si dhe vullnet politik të qeverisë në Beograd, ndaj zgjidhjes së çështjes politike të Luginës së Preshevës. Edhe në inaugurimin e betimit të presidentit të ri/të vjetër, zotit Vuçiq, me dashje apo pa dashje, ai përmendi të gjitha pakicat që do të përfshihen në qeveri përveç shqiptarëve. Pra, përballë diskriminimit e shtypjes nga Beogradi, refuzimit të vazhdueshëm të integrimit, përfaqësimit të pamjaftueshëm në institucionet rajonale dhe republikane të komunitetit shqiptar, procesit të pasivizimit e tendencës për ta paraqitur atë si një problem ekonomik dhe jo si një situatë e trashëguar nga lufta e UÇPMB-së nga viti 2001.

Shqipëria dhe Kosova në bashkërendim e bashkëpunim me Luginën duhet që përmes një qasjeje strategjike e programatike në një platformë të përbashkët të japin përgjigje.
Injorimi dhe neglizhimi i problemit politik të Luginës së Preshevës është po aq i papranueshëm sa edhe durimi/pritja për demokratizimin e Serbisë dhe përballja me të kaluarën.

Shqiptarët e Luginës duan të jenë të barabartë dhe të lirë dhe këtë e pamundëson mungesa e drejtësisë. Andaj, me të drejtë, Lugina edhe duhet të jetë pjesë e marrëveshjes përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë për të siguruar realizimin e aspiratave politike.

Tjera nga autori:
1