<b></b> Intervistë | Rukiqi: Kosova s’ka argumente të qëndrueshme kundër Ballkanit të Hapur

Intervistë | Rukiqi: Kosova s’ka argumente të qëndrueshme kundër Ballkanit të Hapur

08.06.2022 18:22

Kryetari i Odës Ekonomikë të Kosovës, Berat Rukiqi, ka kritikuar pushtetin dhe opozitën për mungesë të qëndrimeve ndaj iniciativës rajonale Ballkani i Hapur.

Ai ka thënë se argumentet e qeverisë dhe partive opozitare nuk i qëndrojnë kohës.

Në këtë intervistë dhënë gazetës Nacionale, Rukiqi ka thënë se Kosova duhet të shkojë në takimet e kësaj nisme dhe ta tregojë qëndrimin e vet.

Ai ka bërë me dije se Kosova nuk ka nevojë të bëjë kurrfarë kompromisi për t'iu bashkuar Ballkanit të Hapur. Sipas tij, nëse Kosova izolohet nga kjo nismë, do të shndërrohet si vrimë e zezë për investimet e huaja.

 

Nacionale:

Z. Rukiqi, Ballkani i Hapur është bërë sërish temë diskutimi. Cili është qëndrimi juaj për këtë nismë rajonale?

Rukiqi:

Ne për kohë të gjatë jemi pjesë e rrjeteve të ndryshme ndërkombëtare dhe e odave ekonomike. Zakonisht kemi diskutuar me kolegët tonë në rajon për mundësinë e eliminimit të sa më shumë pengesave në tregtinë rajonale. Ne e kemi CEFTA-n, e cila nuk i ka dhënë rezultatet e pritura dhe gjithmonë është diskutuar edhe në kuptim të asaj që duhet të krijohen edhe disa parakushte që tregtia e mallrave dhe shërbimeve me pasë sukses, në mënyrë që vendet të ndihen komod në kuadër të këtyre iniciativave rajonale.
Vazhdimisht theksi ka qenë te pritjet e gjata në kufi, liria e lëvizjes, njohja e certifikatave të ndryshme, eliminimi i barrierave tarifore, e kështu me radhë. Për herë të parë, në kuptimin konceptual, për Mini-Schengenin qysh është quajtur atëherë, kam dëgjuar në tetor të vitit 2020 në një takim me Jim O'Brien, një njohës i mirë i çështjes së Ballkanit, i cili ka qenë i përfshirë në të gjitha proceset që ka kaluar Kosova. Ai ma ka prezantuar opsionin që në mungesë të progresit në rrugën e integrimit evropian, por jo si zëvendësim i këtij procesi, është mirë që vendet e Ballkanit me pasë një iniciativë të vetën, ku thelbi do të jetë zbatimi i katër lirive të lëvizjes: lëvizjes së lirë të njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit. Kjo do të bëhet në mënyrë që të krijohet një klimë më pozitive, që pastaj kjo klimë të mund të shfrytëzohet edhe në proceset tjera më të dobishme politike. Më pas, e kamë parë që z. Jim edhe kur i është ndërruar emri i kësaj iniciative në Open Balkan, ka qenë ndër hartuesit kryesorë të dokumenteve. Po ashtu, ka qenë një ndër panelistët në Shkup në samitin ku është ndërruar emri i iniciativës.

Nacionale:

Pra, amerikanët kanë qenë të përfshirë qysh në fillim?

Rukiqi:

Jim O'Brien, z. Eskobar, që tani është i dërguar i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, dhe gjithë ky estabilishment i administratës amerikane, që janë edhe miq të Kosovës, kanë qenë të përfshirë në këtë proces. Jim O'Brien tani ka pozicion të rëndësishëm ku është përgjegjës për sanksione në kuadër të administratës së Biden. Nëse e shikon këtë orgjinë konceptuale të kësaj iniciative e sheh që prej fillimit ka pasur një involvim të njerëzve që tani kanë pozicione shumë të rëndësishme në administratën e Bidenit. Ky është një fakt që ne nuk mund ta injorojmë. Për mu kjo ka qenë indikative që ne duhet të shqyrtojmë seriozisht këtë iniciativë dhe ta bëjmë një debat të mirëfilltë.  

Nacionale:

A po ndodh ky debat tani në shoqërinë kosovare?

Rukiqi:

Debatet për këtë çështje bëhen kur kryeministri Rama apo Vuçiqi bëjnë ndonjë deklaratë. Nuk është debat proaktiv, i nxitur nga brenda. Është me tepër debat i nxitur nga faktorët e jashtëm.
Pra, nuk ka debat rreth përmbajtjes dhe nuk debatohet rreth strukturës. Domethënë se çka do të jemi në atë strukturë dhe cila mund të jetë e ardhmja e kësaj iniciative. Po ashtu, nuk ka debat se çka është përmbajtja e kësaj iniciative. Unë ende nuk e kam dëgjuar një argument serioz pro apo kundër përmbajtjes. Pra, nuk është diskutuar se çka po ndodh aty, për çka po merren vesh liderët rajonalë. 

   

Nacionale:

Në aspektin ekonomik, a përfiton Kosova diçka nga kjo iniciativë?

Rukiqi:

Ne edhe mund të jemi kundër. Mund ta ndërtojmë argumentin kundër, sepse nuk është mëkat me qenë kundër.
Në aspektin ekonomik, unë kam tentuar t’i jap argumentet e mia. Këtë e kam bërë edhe në takime me kryeministrat gjatë kësaj periudhe sa kam qenë në pozicionin e kryetarit të odës. Disa prej tyre më kanë pyetur se si e shoh në aspektin ekonomik këtë iniciativë.

Përgjigjja ime ka qenë se ato që i parasheh Open Balkan në kuptimin e këtyre katër lirive, Kosova i ka pothuajse të plotësuara të gjitha. Një element që është diskutuar, është një studim i Bankës Botërore për pritjen e kamionëve në kufij. Studimi tregon se kjo pritje shkakton mijëra orë në vit humbje kohe për bizneset, që janë edhe humbje financiare. Ne këtë pritje në kufij nuk e kemi problem, kamionët hyjnë shpejt, zhdoganimi kryhet shpejt, ne i pranojmë certifikatat dhe dokumentacionet e vendeve tjera. Pra, nuk kemi ne ndonjë shkallë të barrierave jotarifore, pastaj tjerët nuk kanë probleme me tranzitin. Në Kosovë të gjithë munden me hy me letërnjoftim.

Pra, nëse e shikojmë përmbajtjen në tërësi, ne nuk kemi nevojë me lëshu pe, apo me bë kompromis për diçka, sepse ato ne vetëm i zbatojmë ende pa i bë Open Balkan. Ndërsa, ne me të tjerët i kemi problem këto gjera. Pozicioni ynë ka qenë ky: nëse Open Balkan arrin me i eliminu ato barriera që tjerët na i vendosin ne, atëherë ne kemi edhe përfitime ekonomike nga kjo.  

Nacionale:

Si e ke parë qëndrimin kundërshtues të institucioneve të Kosovës ndaj kësaj nisme?

Rukiqi:

Nëse flasim për pozicionin e qeverive, unë jam për atë që qeveritë, institucionet tona dhe opozita të kenë qëndrime. Vetëm refuzimi nuk është qëndrim, ose vetëm me qenë bllanko “për” nuk është qëndrim. Nuk mundesh me u thirrë vetëm në hegjemoni, apo në terma të përgjithshëm. Ose nëse të ftojnë me qenë anëtarë të kësaj iniciative është mirë me i përcaktu kushtet, me të cilat ti po do me qenë anëtar. Pra, me qenë specifik. Aty tash duhet me u diskutu formati, formati i udhëheqjes, formati simbolik i flamujve, formati i mekanizmave të zgjidhjes së problemeve, formati i përfaqësimit në nivel të kryeministrave. Të gjitha janë këto çështje të cilat ti duhesh me i parashtru, por jo me qenë i ndikuar nga masa për me dhënë një qëndrim të caktuar.  

Nacionale:

Sipas jush, pozita dhe opozita po e kundërshton pa argumente Ballkanin e Hapur?

Rukiqi:

Nuk po shoh argument të qëndrueshëm, i cili i qëndron kohës. Është parashtruar ky argumenti rus, por aty nuk e pamë asnjë rus në tavolinë këto dy ditë. Aty pamë shumë amerikanë dhe europianë, të cilët i dhanë përkrahje kësaj iniciative. Pastaj, është shtruar çështja e mosnjohjes së Kosovës nga Serbia. Ne jemi ne CEFTA, në Tregun e Përbashkët Rajonal, në Procesin e Berlinit dhe në procesin e integrimit europian, ku edhe aty nuk e kemi zgjidhur problemin e njohjes apo të mosnjohjes. Këtë problem nuk do ta zgjidhë Open Balkan. Ndërsa për pjesën ekonomike, e thashë që nuk shoh ndonjë problematikë, sepse ne jemi mjaftueshëm të hapur dhe nuk besoj se kanë me na kërku t'ia hapim edhe pak krahun dikujt. 

Nacionale:

Meqenëse Kosova është më e varfër se vendet tjera të rajonit, a mund të na kushtojë?

Rukiqi:

Në raport me të gjitha vendet ne vërtet jemi më keq. Por, këto vende tjera edhe pa Open Balkan kanë arritur me tërheqë shumë më tepër investime. Nuk ka me qenë Open Balkan që ka me i bë më atraktive, qoftë Shqipërinë, qoftë Serbinë, qoftë Maqedoninë, sepse ato kanë një shkallë të lartë të investimeve. Madje disa prej këtyre vendeve kanë filluar me refuzu investime ku kërkohen resurse humane, sepse nuk kanë njerëz të mjaftueshëm me i punësu nëpër ato kompani që po kërkojnë numër të madh të njerëzve.

Duke parë që ka një involvim serioz të aktorëve ndërkombëtarë, duke parë që tani katër vendet janë zyrtarisht pjesë e kësaj iniciative, kurse Bosnja shumë shpejt mund të bëhet anëtare, atëherë atë që e shoh unë është se herët apo vonë ne do të përfundojmë aty. Mirëpo rreziku do të jetë së gjatë kohës kur është gatuar kjo nismë ne kemi qenë jashtë procesit. Ndërsa, nëse bashkohemi më vonë, do të na servohen ato që janë të gatshme dhe ku pastaj do të kemi shumë pak mundësi me e negociu pozicionin tonë. Ky mund të jetë rreziku i parë. Rreziku tjetër mund të jetë se mund të përsëritet situata që kemi pasur me CEFTA-n, kur kemi debatuar se a duhet me qenë apo jo pjesë e saj. Ata që na kanë dashur të mirën edhe atëherë na kanë thënë se Kosova mund të rrijë anash, por nëse vetëm Kosova mbetet jashtë, atëherë në kuptim të tregtisë vendi mund të shihet si një vrimë e zezë. Nëse pesë shtete shkojnë në një drejtim të caktuar dhe ne nuk jemi pjesë e atij drejtimi, nuk do të jetë mirë.     

Nacionale:

Sa mund të ndikojë kjo te investitorët e jashtëm që mund të vijnë në Kosovë?

Rukiqi:

Absolutisht po. Nëse Kosova nuk ecë në hap të njëjtë në integrimet rajonale sikur të tjerët dhe nëse në mbesim jashtë këtyre tregjeve rajonale, atëherë rreziku është goxha i madh që ne të kemi edhe më pak atraktivitet për investime rajonale se sa që kemi tani për tani. 

Nacionale:

Çka mendoni se ka ndikuar në mosbesimin ndaj kësaj iniciative?

Rukiqi:

Një çështje që duhet të adresohet është ky protagonizimi i tepruar i Ramës dhe i Vuçiqit. Ky protagonizëm ka ndikuar në ulje të besimit ndaj kësaj nisme. Nëse e sheh qëndrimin e skenës sonë politike në raport me Open Balkan, e sheh që më shumë është çështje besimi sesa që është çështje përmbajtësore.

Dhe tani kur kryediplomati Llavrov, si diplomat i karrierës, e lëshon në deklaratë, e cila nuk e ka për qëllim ta përkrahë Open Balkan, por ka për qëllim ta minojë komplet bashkëpunimin rajonal. 

Nacionale:

Të kthehemi edhe pak te aspekti ekonomik. Ka disa argumente të ekonomistëve të cilët argumentojnë se ekonomia e Kosovës nuk është gati për këtë nismë?

Rukiqi:

Ne nuk kemi tarifa doganore me këto vende, sepse janë rregulluar me CEFTA; ne nuk kemi barriera jotarifore që u vendosim tjerave, sepse jemi duke mbrojtur diçka, përkundrazi të tjerët kanë në raport me neve; ne nuk kemi ndonjë politikë proteksioniste, nga e cila na kërkohet me heqë dorë që me e mbrojtë ndonjë industri të caktuar; ne kemi Marrëveshje të Stabilizim Asocimit me BE-në; kemi Marrëveshje të Tregtisë së Lirë me Turqinë, kemi Marrëveshje të Tregtisë së Lirë me CEFTA-n. Pra, nuk është se ne po heqim dorë nga të hyrat doganore. Argumenti që ne mund të dëmtohemi ekonomikisht, sepse dikush do të futë mallra më shumë në Kosovë dhe do ta dobësojë prodhimin vendor, nuk qëndron. Sepse ne këtë çështje e kemi rregulluar. Ne jemi të hapur, ne po kërkojmë që të tjerët të hapen, po kërkojmë që të kalojmë pa komplikime tranziti në Serbi për të arritur tregun e BE-së, po kërkojmë që profesionistët tonë të mund të punojnë në secilin vend të rajonit, po kërkojmë që certifikatat e tyre kualifikuese të njohin në gjithë rajonin dhe ne po kërkojmë që të mos të kemi viza për Bosnje. Pra, po kërkojmë ta eliminojmë çdo problem që na pengon me qenë më konkurrues në vendet  e rajonit.

Nacionale:

Ekziston një bindje se më së shumti nga kjo përfiton Serbia?

Rukiqi:

Nga perspektiva ekonomike Serbia, Mali i Zi e Maqedonia janë liderë rajonalë në numrin e investimeve që i kanë. Pozicionin e tyre në këtë aspekt nuk do ta ndryshojë Open Balkan. Ata nuk do të marrin më shumë investime apo më shumë fruta të pjekura nga kjo nismë. Unë nuk i di motivet e Serbisë dhe nuk i komentoja, nuk i komentoj as motivet e Shqipërisë. Ne duhet t'i shikojmë motivet dhe interesat tona. Ne duhet ta largojmë kompleksin e inferioritetit në raport me vendet tjera të rajonit. Ne duhet t’i shohim vetëm motivet dhe interesat tona. 

       

Nacionale:

Kryediplomati rus Sergey Lavrov tha se kjo është nismë ruse. Cili është komenti juaj për këtë deklaratë?

Rukiqi:

Deklarata e Lavrovit ka pasur për qëllim ta minojë komplet procesin e bashkëpunimit rajonal. Ai e ka bërë këtë sepse e di se qëllimi kryesor i BE-së dhe i SHBA-së në këtë pjesë të botës është bashkëpunimi rajonal dhe fqinjësia e mirë. Deklarata e tilla ka qenë e kotë. Unë nuk besoj që është projekt rus. Nëse e sheh rrjedhën e këtyre dy ditëve të samtit, e sheh që qëllimi i Lavrovit ka qenë me e i nda këto vende.   

Nacionale:

Pas kësaj deklarate të kryediplomatit rus, kemi parë reagime të ndryshme të vendorëve?

Rukiqi:

Nëse e sheh se kush ishte dje dhe sot në Ohër, dhe kush e kishte fjalën kryesore, e sheh që ne nuk kemi ditur ta lexojmë mirë situatën. Kjo po na ndodh me shumë procese, por me rendësi është që ajo deklaratë të lexohet saktë.
Unë e kam thënë disa herë që ne nuk kemi nevojë me dëgju se çka thotë Rama, Vuçiqi apo Lavrovi. Ne duhet ta shohim qëndrimin e aleatëve tonë në raport me këtë nismë. Ne duhet t'i formësojmë qëndrimet tona duke diskutuar me aleatët, por ne duhet ta kemi edhe qëndrimin tonë të bazuar në një debat përmbajtësor.

Nacionale:

Çka duhet të bëjnë tash institucionet?  

Rukuqi:

Askush nuk të lidh për një tavoline apo iniciative, ajo nismë është e hapur. Kosova mund të shkojë të ulet t'i parashtrojë argumentet. Unë e kisha inkuraju kryeministrin që të shkojë, ai e ka pasë një ide për SEFTA-n. Ndoshta ajo është e duhura dhe më adekuate se kjo që po propozohet. Pra, ideja është që të shkohet me propozime, të bisedohet me administratën amerikane dhe BE-në. Pra, të shkohet të parashtrohen argumentet tona, të dëgjohen argumentet e tjerëve, nëse nuk na pëlqen pozicioni në tavolinë, ne mund të largohemi. Mendoj se kjo do të duhej të ishte rrugëdalja nga ky diskutim.   

Nacionale:

A mendoni se këto ditë është qartësuar kjo nismë?

Rukiqi:

Mendoj se këto debatet e ditëve te fundit i kanë dhënë një lloj qartësie se kah po shkon ky proces. Tani balanci i forcave është kthyer në favor të atyre që kanë qenë pro Ballkanit të Hapur. Involvimi edhe direkt i administratës Biden, me z. Eckobar dhe z. Hill, e bënë shumë serioze si temë. Prandaj, mendoj se ne seriozisht duhet ta kemi një qëndrim institucional, ta kemi një debat me shoqërinë civile, me komunitetin e biznesit dhe të shohim se cila do të jetë e ardhmja e jonë për këto nisma rajonale.

Tjera nga autori:
1