<b></b> Java: ‘Krejt’ Kosova në Amerikë dhe një aplikim optimist

Java: ‘Krejt’ Kosova në Amerikë dhe një aplikim optimist

15.05.2022 08:34

Kjo javë që mbaron sot nisi pa dy prej krerëve kryesorë të shtetit në Kosovë, por ngjarjet e rëndësishme në vend megjithatë nuk u ndalën. Në këtë tekst do t’i përflasim disa prej më të rëndësishmeve që mund t’i keni humbur.

Po e nisim pikërisht me vizitën e kryeministrit Kurti në ShBA.

Takim në korporata

Përgjatë këtyre nëntë ditëve në shtetin më mik të Kosovës, ai ka zhvilluar një varg vizitash të ndryshme por pa ndonjë rëndësi të veçantë. Ai u takua me përfaqësues nga korporata të fuqishme të teknologjisë informative – si Microsoft, Linkedin, Uber - por me asnjë zyrtar të rëndësishëm të administratës amerikane.

Këto vizita janë të çuditshme veçanërisht për shkak të qëndrimeve të mëhershme të Kurtit dhe Vetëvendosjes që i dilnin kundër korporatave. 

Në anën tjetër, nuk dihet se për çfarë arsyesh Kurti nuk ka pasur ndonjë vizitë të rëndësishme me ndonjë zyrtar të lartë amerikan. Është përmendur si mundësi që ai të takohet ditëve në vijim me zv.presidenten e ShBA-ve, znj. Kamala Harris, gjë që mbetet për t’u parë.

Kurti ka qenë në përgatitje të këtij takimi të paktën prej vjeshtës së vitit të kaluar.

Edhe presidentja...

Edhe presidentja Vjosa Osmani ka zhvilluar një varg vizitash zyrtare nisur nga vende të Amerikës Latine.

Ajo u ndal vetëm kalimthi në Shtetet e Bashkuara, ku ndër tjerë u takua edhe me udhëheqësen e Senatit, Nancy Pelosin.

Edhe Ramush Haradinaj...

Edhe ish kryeministri Ramush Haradinaj bëri vizita në Shtetet e Bashkuara njësoj si dy të parët.

Ai ishte ankuar që Ambasada e Kosovës në ShBA e kishte shpërfillur (sic) me direktiva të kryeministrit Kurti. Sidoqoftë, edhe Haradinaj ia doli të kishte vizita zyrtare me zyrtarë amerikanë. Për një kohë të gjatë ishte folur rreth mundësisë që kryetari i AAK-së të vendosej në listën e zezë të ShBA-ve. Shkaku i një gjëje të tillë vlerësohej se mund të ishte kundërshtimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit.

Edhe të tjerë...

Edhe njerëz të tjerë të jetës publike të Kosovës kishin zgjedhur bash këto ditë që të shkonin në ShBA. Ky ishte rasti, ta zëmë, me afaristin Shkëlqim Devolli dhe me ish presidenten Atifete Jahjaga.

Një aplikim

Pas 200 mijë aplikimeve të qytetarëve të Kosovës për viza pune në Gjermani i erdhi radha edhe Kosovës që të aplikonte diku. Ministrja Donika Gërvalla Schwarz dorëzoi aplikimin e vendit tonë për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Ndër argumentet përmendi edhe optimizmin karakteristik për shoqërinë kosovare.

Sidoqoftë, optimiste nuk ishte Franca. Ky shtet i doli kundër këtij aplikimi, gjë që ngriti pikëpyetje në lidhje me strategjinë të cilën po e ndiqte vendi.

Qëndrimi mos-përkrahës i Francës mund të inkurajojë edhe votimin kundër nga shtete të tjera anëtare në Këshill të Evropës. Për fat të mirë, na duhen vetëm 2/3 e votave, dhe shumica dërmuese e vendeve anëtare (46 sosh pas përjashtimit të Rusisë) e njohin Pavarësinë e Kosovës.

Të tjera

Mes ngjarjeve tjera duhet të veçojmë dështimin e votimit të pagës minimale në Kuvendin e Kosovës. Mazhoranca nuk po arrin që nuk po arrin të bindë deputetët e saj të marrin pjesë në seancat plenare.

Një debat i madh ndodhi edhe për çështjen e ndarjes së 17 hektarëve për Sunny Hill Festival. Siç ndodh rëndom me secilin veprim që ndihmon bizneset nga institucionet, reagimi kundërshtues ndaj këtij vendimi ishte i madh. Ju propozojmë që të lexoni KËTË opinion nga Burim Pacolli për ta kuptuar më mirë çështjen.

Një zhurmë e vogël na erdhi edhe nga Kuvendi i Shqipërisë. Mazhoranca Socialiste nuk e mbështeti për arsye të polarizimeve politike me opozitën demokrate një rezolutë që dënonte gjenocidin serb në Srebrenicë. Si zakonisht, as për këtë çështje nuk munguan koret nacionaliste në Kosovë.

Gjithashtu zhurmë u bë edhe pas vizitës së kryeministrit të Shqipërisë që ia bëri ish-presidentit Hashim Thaçi në Hagë. Pas kësaj edhe Kurti tha se nuk e ka problem që t’i vizitojë ish-krerët e UÇK-së që gjenden në paraburgim në Gjykatën Speciale.

Tjera nga autori:
1