<b></b> Java e erës naftë, djersës së luftës dhe e pasurive marramendëse të politikanëve

Java e erës naftë, djersës së luftës dhe e pasurive marramendëse të politikanëve

19.06.2022 09:26

Javën që po e lëmë pas pati zhvillime nga më të ndryshmet. Era naftë ngase çmimet e naftës ‘fluturuan’, protesta e veteranëve për kompensim të djersës së tyre në luftë, e pasuria e politikanëve që veç shtohet, ishin disa nga ngjarjet që mund t’i lexoni më poshtë.

Era naftë

Çmimet e naftës në Kosovë pësuan rritje drastike. Asnjëherë në vendin tonë një litër e derivateve të naftës nuk ka kushtuar 1.92 cent.

Çmimi i lartë aktivizoi Qeverinë e Kosovës e cila me anë të një vendimi po tenton që të zbutë paksa çmimet e larta të naftës.

Por menjëherë pasi qeveria bëri të ditur për vendimin që pritet të marrë, Shoqata e Naftëtarëve e Kosovës mbajti mbledhje nga e cila dolën disa kërkesa dhe një kërcënim – mbyllja e pompave.

Mirëpo, në krejt këtë, u njoftuam që djali i kryetarit të Shoqatës së Naftëtarëve, Dillon Berjani, punon si këshilltar në Zyrën e Kryministrit.

Specifikisht, ai punon si këshilltar politik në Zyrën e Zv. Kryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimin, e të cilin më herët e kishte edhe profesor. Ai është emëruar në këtë pozitë në muajin janar të këtij viti, në kohën kur Kosova u pllakos nga kriza e derivateve dhe shoqata e udhëhequr nga babai i tij po negocionte me Qeverinë për të arritur një ujdi në lidhje me marzhën e fitimeve për shitjet me pakicë dhe shumicë të derivateve.

Derisa çmimet e naftës po rriten gati në baza të përditshme duke varfëruar qytetarët, ka një çakërdisje të plotë mes naftëtarëve, konsumatorëve dhe qeverisë për hapat që duhet ndërmarrë.

Protesta e veteranëve

Të enjten më 16 qershor, veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës [UÇK] morën rrugë për t’i bllokuar dyert e Kuvendit të Kosovës dhe Qeverisë, për të protestuar pas kalimit të projektligjit për pagën minimale, ligj ky i cili i la ata jashtë.

Kësisoj veteranët duke u shprehur të diskriminuar për mospërfshirjen e tyre në projektligjin e pagës minimale, dolën në protesta.

Protesta e tyre, përfundoi pasi u ndërpre seanca e Kuvendit dhe pasi pranuan ftesë për takim nga kryeministri Kurti.

Pas kësaj, një letër nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti për t’u takuar, bindi veteranët që të shpërndahen të qetë.

Letra e Kurtit kishte të bënte për takim. Por as ky takim nuk doli të jetë i frytshëm. Kryetari i Organizatës së Veteranëve, Faton Klinaku ka thënë se me Kurtin nuk kanë arritur të dakordohen dhe se përsëri do të protestojnë.

S`kemi marrëveshje, me Kurtin nuk u dekoduam, kërkuam të kthehet pika 3.1 që e ka ndryshuar kjo Qeveri bashkë me Kuvendin, pika 3.1 që i largon benificionet e veteranit të luftës, që nuk mund të jetë pensioni më e ulët se paga minimale”, ka thënë Klinkau.



Kurdo që të ketë seancë të Kuvendit ne do të vazhdojmë me protesta”, ka theksuar ai ndër të tjera.

Protesta e veteranëve ngriti përsëri debatin për ‘veteranët e rrejshëm’ duke u kërkuar që të bëhet sa më parë pastrimi i listave.

Deri më tani nuk ka ndonjë lajmërim se kur do të ketë përsëri protesta.

Pare pare pare

Agjencia Kundër Korrupsion javën që lëmë pas publikoi deklarimet e pasurive të zyrtarëve shtetëror.

Në deklarimet, vërejtëm që dikujt i shtua pasuria edhe kur ekonomia ishte e mbyllur, e disa të tjerëve nuk i ndryshoi fare.

Për shembull, deputetët e VV-së kanë mbi 24 milionë euro pasuri, plus gati 1 milionë nëpër banka.

Ndërkohë, Partia Demokratike e Kosovës, njëherësh partia më e madhe opozitare në vend, ka katër deputetë që në pasuri të paluajtshme e kalojnë milionëshin.

Teksa kryetari i kësaj partie, Memli Krasniqi, ka treguar se ka investuar edhe NFT pas investimeve në Bitcoin.

Ndërsa, Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka deklaruar 15 mijë euro para të gatshme teksa pasuri të paluajtshme ka rreth 400 mijë euro.

Më pasuri i opozitë del të jetë kryeari i AAK-së, Ramush Haradinaj. E gjithë pasuria e paluajtshme e ish-kryeministrit Haradinaj kap vlerën e 1 milion e 64 mijë e 300 euro. Para të gatshme në bankë Haradinaj ka deklaruar se 24 mijë e 327 euro.

Ndërsa nga kabineti i Qeverisë Kurti, ministri më i pasuri del te jetë ai i Shëndetësisë, Rifat Latifi ndërsa më kursimtarja, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli e cila ka para të gatshme në bankë 200 mijë euro.

Edhe ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla është njëri ndër ministrat më të pasur. Ai ka një shtëpi në vlerë 600.000.00 euro, të deklaruar si trashëgimi nga prindi.

Ministri Mehaj ka deklaruar pasuri të paluajtshme në vlerë prej 807 mijë euro.

Besnik Bislimi, ka deklaruar të hyra vjetore familjare që e kalojnë shumën prej 80 mijë euro. Bislimi po ashtu ka deklaruar edhe 440 mijë euro patundshmëri dhe mbi 20 mijë euro vetura.

Ndërsa, zëvendësministri, Hysen Durmishi që ankohej se nuk po ia del të jetojë me një rrogë, ka blerë veturë 23 mijë euro, ndërkaq ministri Liburn Aliu, ka dy banesa në lagjen luksoze “Marigona Hill”.

Zhurmë e madhe gjatë kësaj javë u bë për zhvendosjen e Sunny Hill për në Tiranë.

Dukagjin Lipa babai i këngëtarës me famë botërore, Dua Lipa, bëri të ditur se për shkak të zvarritjes së punëve nga Qeveria e Kosovës, ka vendosur që të largojë Sunny Hill-in nga Prishtina në Tiranë.

Në Kosovë, kjo punë nxiti reagime. Qeveria ka thënë se kërkoi dokumente shtesë ndërkaq, Komuna e Prishtinës ka akuzuar qeverinë për ikjen e Sunny Hill.

Krejt kjo për 17 hektarë tokë për krijimin e hapësirës për mbajtjen e festivalit.

Përveç këtyre ngjarje që i nënvizuam më lartë, mund të theksojmë vizitën e kryetarit të Kuvendit, Glakuk Konjufca në Hagë, i cili do të takojë ish-krerët e UÇK-së.

Gjithashtu në Kosovë gjatë kësaj jave u rritën shpresat për liberalizimin e vizave, me këtë rast edhe shampanjat janë gati.

Tjera nga autori:
1