<b></b> KESCO s’e zbaton vendimin e Apelit – opozita kërkon shkarkimin e Bordit të ZRrE-së

KESCO s’e zbaton vendimin e Apelit – opozita kërkon shkarkimin e Bordit të ZRrE-së

23.05.2022 14:31

Partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës [PDK] dhe Lidhja Demokratike e Kosovës [LDK], kanë kërkuar shkarkimin e Bordit të Zyrë së Rregullatorit të Energjisë [ZRrE] pasi Gjykata e Apelit e mori vendim si të pabazuar shtrenjtimin e energjisë elektrike në Kosovë dhe për këtë kanë disa arsye.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka thënë pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit se po pret që Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti të rekomandojë shkarkimin e Bordit të ZRrE-së.

Ky bord duhet të shkarkohet për shkak të mungesës së saktësisë në menaxhimin e krizës së energjisë elektrike, kjo për shkak të lajthitjes së një besimi të dhënë nga Kuvendi, pasi Kuvendi i ka zgjedhur ata.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë me procesin për caktimin e tarifave të reja ka qitur në lajthitje institucionet e vendit”, ka thënë Gashi pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.

Ndërsa Shefi i deputetëve të PDK-së, ka bërë të ditur se kanë dorëzuar kallëzim penal kundër Bordit të ZRrE-së, pasi sipas tij, vendimet e këtij Bordi përbëjnë veper penale.

Kemi marrë njoftim zyrtar nga Prokuroria Speciale që një çështje e tillë është duke u trajtuar”, ka thënë Tahiri.

Në anën tjetër, deputeti i Vetëvendosjes, Armend Muja, komentoi kërkesën e opozitës për shkarkimin e Bordit të ZRrE-së.

Është në vazhdën e traditës së tyre. Çdo bord që s’u shkon për shtati, këta lypin me e shkarku”, ka thënë Muja.

Ndërkohë, Bordi që po kërkohet të shkrakohet ka raportuar të hënën në Kuvend në Komisonin për Ekonomi me dyer të mbyllura.

Kryesuesi i këtij komisionit, Ferat Shala, ka thënë se “kërkesa e bordit të ZRrE-së ka qenë që ta kemi një takim konsultativ”, kërkesë të cilën e kanë pranuar.

Pas mbylljes së dyerve, pati edhe reagime. Është ish-kryeministri Avdullah Hoti, që kritikoi raporimin e Bordit të ZRrE-së me dyer të mbyllura.

Hoti ka pyetur se “çfarë sekreti shtetëror janë vendimet e ZRrE-së për tarifat energjetike?!”, për mbajtjen e mbledhjeve me dyer të mbyllura.

Kjo praktikë e raportimeve me dyer të mbyllura është e re dhe duhet të ndalet”, ka kërkuar Hoti.

Kujtojmë se Vendimi i muajit shkurt me të cilin u shtrenjtua çmimi i rrymës nga ZRrE-ja, është pezulluar. Pas vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, një vendim të tillë e ka konfirmuar edhe Gjykata e Apelit.

Apeli e ka refuzuar ankesën e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, për vendimin e Themelores, e cila i kishte vënë masë të përkohshme shtrenjtimit të çmimit të energjisë.

ZRrE-ja, në vazhdën e krizës globale energjetike, ka miratuar faturat me rritje më 8 shkurt, për të cilat ka thënë se do të jenë të vlefshme deri më 31 mars 2023.

Me këto tarifa, konsumatorët që shpenzojnë mbi 800 kilovatë rrymë në muaj, paguajnë më shtrenjtë.

ZRrE e respekton vendimn e Apelit - KESCO jo

Pas vendimit të Apelit, nga ZRrE thanë se do ta zbatojnë këtë vendimi të cilin ia ka dërguar që ta zbatojë edhe KESCO.

ZRrE më datë 18 maj 2022, ka pranuar nga Gjykata e Apelit Aktvendimin AA. nr. 364/2022 me të cilin, Gjykata ka refuzuar ankesën e ZRrE-së dhe ka vërtetuar Aktvendimin e Gjykatës Themelore për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit për tarifat me pakicë të energjisë elektrike, të aprovuar nga ZRrE, derisa Gjykata të vendosë me vendim përfundimtar gjyqësor, përkitazi me padinë e paditëses”, u bë e ditur në komunikatë.

Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike [KESCO], ka bërë të ditur se e kanë pranuar vendimin e ZRrE-së, mirëpo ka thënë se ka paqartësi se si duhet të veprojnë ata si operatorë.

Për të shmangur keqkuptimet të cilat potencialisht mund të prekin konsumatorët, ne kemi kërkuar sqarime nga ZRrE. Sapo të marrim një përgjigje dhe sqarim nga rregullatori se si të veprojmë, ne do të ndjekim udhëzimet në tërësi”, thuhet në komunikatën e KESCO.

Në bazë të vendimeve të organeve kompetente, ne si kompani ekzekutive do të veprojmë me përgjegjësi ashtu siç kemi vepruar në çdo rrethanë”, thuhet ndër të tjera.

E për këtë deklaratë, deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, i ka parë këto si tendca jo të mira të KESCO-s, të cilat ZRrE duhet t’i ndalojë.

Ajo çfarë është shqetësuese është se lexojmë lajme se KESCO ka paqartësi për tarifimin e energjisë, pas vendimit të Gjykatës së Apelit. Këtu, ZRrE-ja duhet ta ndalë çfarëdo tendence që duket që ka të qartë që të mos respektohet ky vendim”, ka thënë Tahiri.

Kujtojmë se ZRrE-ja, në vazhdën e krizës globale energjetike, ka miratuar faturat me rritje më 8 shkurt, të cilat ka thënë se do të jenë të vlefshme deri më 31 mars 2023.

Me këto tarifa, konsumatorët që shpenzojnë mbi 800 kilovatë rrymë në muaj, paguajnë më shtrenjtë

Për të kuptuar se çfarë duhet të veprohet pas bllokimit të shtrenjtimit të çmimit të rrymës, klikoni KËTU.

Tjera nga autori:
1