<b></b> Kafkaesk apo berlinez: Çka është Procesi i Berlinit me të cilin Kurti po kundërshton Ballkanin e Hapur?

Kafkaesk apo berlinez: Çka është Procesi i Berlinit me të cilin Kurti po kundërshton Ballkanin e Hapur?

12.05.2022 14:58

Procesi i Berlinit i stërpërmendur nga Albin Kurti kohët e fundit për të kundërshtuar Ballkanin e Hapur nuk është kuptuar sa duhet nga qytetarët. A mund të jetë ai thjesht si Procesi i personazhit të Franz Kafkës, Jozef K.-së – një rrugëtim i pafundmë drejt dyersh të mbyllura – apo diçka më mirë?

“Procesit [evropian] të Berlinit” s’i shihet fundi, e “Ballkani i Hapur” amerikan nuk po i pëlqen Kurtit. Kosova e izoluar dhe kryefortë me të gjithë – si shprehja popullore – as me shehër as me Barilevë.

E rrethuar nga katër shtete që duan ta formojnë Ballkanin e Hapur, Kosovës po i luten për anëtarësim, por zemra gjeografike e organizatës assesi s’po ha llaf.

Kosova nuk është zemra e saj vetëm se qëndron në mes të katër shteteve ‘anëtare’ të këtij mini-shengeni, por njëjtë si zemra që e furnizon gjithë trupin me gjak, Kosova mund të furnizojë Ballkanin me mallra përmes infrastrukturës së saj rrugore – më të mirën në rajon.

Edhe pse nuk shihet dritë në fund të tunelit disa dekada të gjatë, Kosova e Kurtit e vendosur po i beson procesit evropian, duke e injoruar projekt-planin amerikan për të cilin ishte zotuar.

“Procesi i Berlinit” është nismë e Gjermanisë që mbështetet nga disa shtete të BE-së. Qëllimi është që t’u ndihmojë vendeve të rajonit për zhvillim dhe në këtë mënyrë të përgatiten për integrim drejt BE-së.

Megjithatë, “Procesi i Berlinit” s’është nismë që përfshihet brenda kornizave të BE-së. Shtetet e rajonit trajtohen në mënyrë të njëjtë nga BE-ja, por kjo s’vlen për Kosovën, sepse pesë shtete anëtare brenda bllokut s’e kanë njohur Kosovën.

Frika se Kosova mund të mbetet jashtë BE-së nëse anohet dika tjetër, ka bërë që kryeministri të thotë se Kosova drejt BE-së do të futet përmes Procesit të Berlinit dhe jo përmes nismave nga lindja, siç e quan ai Ballkanin e Hapur.

Këtë deklaratë, Kurti e tha pas takimit me kancelarin gjerman, Olaf Scholz.

Për neve Evropa është kontinenti ynë dhe BE është fati ynë. Të gjitha nismat rajonale i mbështesim. Të gjitha iniciativat paralele që dëshirojnë ta hapin Ballkanin nga lindja ne nuk i mirëpresim. Kosova dhe Ballkani janë të hapura për BE dhe NATO, për Gjermaninë edhe kjo është më se e mjaftueshme”, theksoi Kurti.

E para se një shtet të bëhet pjesë e BE-së, fillimisht duhet t’i plotësojë kriteret për ta marrë statusin e ‘shtetit kandidatit’, e pastaj të fillojnë negociatat.

Megjithatë, BE-ja nuk ka plane për zgjerim. Por, edhe sikur të kishte, negociatat e një shteti kandidat me BE-në mund të marrin dekada kohë.

Kroacia për shembull, më 2003 mori statusin e kandidatit dhe filloi negociatat me BE-në. Por, në BE u fut më 2013, pas plot dhjetë vjet negociatash.

Mund ta imagjinoni edhe sa dekada i duhen Kosovës për t’u futur në BE, kur kihet parasysh fakti se Kosova nuk është as shtet kandidat e as në plan të bëhet.

Kosova e rrethuar nga Ballkani i Hapur

Ardhja e kryeministrit të ri në Mal të Zi ka ndryshuar edhe kufijtë e Open Balkan-it i cili mund të themelohet shpejt.

Qëndrimet e Dritan Abazoviq ndryshojnë nga ato të pararendësit të tij rreth shengenit të ri ballkanik, që lë të kuptohet se Mali i Zi do të bëhet ‘anëtari’ i katërt i këtij projekt-propozimi amerikan.

Kryeministri i Malit të Zi e luti Kosovën të bëhet pjesë e Ballkanit të Hapur, sepse sipas tij është në interesin tonë.

Ballkani i hapur është bërë për gjashtë vende, jo për pesë e gjysmë apo tre e gjysmë, por për gjashtë vende. Çdokush që merr pjesë përfaqëson veten dhe vendin e tyre. Sipas mendimit tim, e që mund të jetë i gabuar, është në interes të rajonit që Kosova do të jetë në çdo nismë rajonale”, tha Abazoviq.

Kosova refuzon projektin amerikan për të cilin u zotua:

Përkundër që ky projekt-plan vjen nga aleati më i madh i Kosovës, SHBA-ja, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, beson se anëtarësimi në këtë organizatë do ta minonte “Procesin e Berlinit”.

Bile, fajtore për këtë është Serbia, për të cilën thotë se duhet të ndryshojë para se të nisen të tilla iniciativa.

Kur thuhet Ballkan i Hapur, i hapur për kë? Sepse ne duhet të jemi pjesë e Bashkimit Evropian, jo e Federatës Ruse apo Kinës. Ne e kundërshtojmë këtë lloj tendence. Për të pasur një Ballkan të hapur dhe të lirë, Serbia duhet së pari të ndryshojë”, thoshte Kurti.

Por, Kosova nuk ka qenë gjithmonë refuzuese në këtë çështje. Vetëm para Kurtit, Kosova ishte zotuar brenda Shtëpisë së Bardhë në Uashington se do të jetë pjesë e Ballkanit të Hapur, atëkohë të quajtur “Mini-Schengen”.

Në Marrëveshjen e Uashingtonit, kryeministri i Kosovës, atëkohë Avdullah Hoti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq nënshkruan dokumentin ku palët obligohen të futen në “mini-Schengen”.

Të dyja palët (Kosova dhe Serbia) do t’i bashkohen “zonës së mini-Schengenit”, të shpallur nga Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut në tetor të vitit 2019 dhe do t’i shfrytëzojnë plotësisht përfitimet nga ajo”, thuhej në marrëveshjen e nënshkruar.

Çka është Ballkani i Hapur?

Nisma “Ballkani i Hapur”, që fillimisht quhej “mini-Schengen”, u themelua në tetor të vitit 2019. Në atë kohë, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, dhe dy kryeministrat, i Shqipërisë dhe ai i Maqedonisë së Veriut, Edi Rama dhe Zoran Zaev, u takuan në Novi Sad, tetëdhjetë kilometra në veri të Beogradit, ku nënshkruan një deklaratë me qëllim themelimin e ‘mini-Schengen-it‘ mes tri vendeve.

Ideja e deklaratës, siç shpjeguan nënshkruesit, ishte që i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor të fillojë të funksionojë mbi katër liritë kryesore të Bashkimit Evropian - lirinë e lëvizjes së kapitalit, mallrave, shërbimeve dhe njerëzve.

Që atëherë janë mbajtur disa takime të përfaqësuesve më të lartë të tri shteteve. Takimi i fundit u organizua në dhjetor të vitit 2021, në Tiranë, ku delegacionet nënshkruan marrëveshje që lehtësojnë marrjen e letrave për punëtorët nga Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria.

Në takimet e mëparshme, delegacionet e këtyre tri vendeve vendosën që lëvizja e lirë e qytetarëve të tyre të bëhet me letërnjoftime dhe që nga 1 janari 2023, të hiqen kontrollet doganore. Gjithashtu, u nënshkruan marrëveshje për bashkëpunim për parandalimin dhe eliminimin e pasojave të fatkeqësive natyrore.

Ndonëse nismëtarët e “Ballkanit të Hapur” kanë përsëritur vazhdimisht se kjo nismë është “përfshirëse” dhe u kanë bërë thirrje vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor t’i bashkohen asaj, vendet fqinje - Bosnje e Hercegovina dhe Kosova – nuk e shohin me entuziazëm këtë ide.

Përfaqësuesit politikë në Bosnje e Hercegovinës vazhdojnë të mbajnë qëndrimin se nuk duhet të bëhen pjesë e nismave që mund të shihen si alternativë për rrugën e tyre drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

Ideja e Macornit që ta lë Ballkanin Perëndimor jashtë BE-së

Toby Vogel, analist dhe ekspert për BE-në dhe Ballkanin Perëndimor me bazë në Bruksel, vlerëson se ideja e presidentit Macron nuk do të përkrahet nga shtetet e bllokut.

Është e qartë se zgjerimi [i BE-së] nuk po shkon askund, sigurisht jo për Ballkanin Perëndimor dhe një nga arsyet për këtë është presidenti [Emmanuel] Macron. Ka qenë ai i cili ka bllokuar, për shembull, hapjen e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë”, thotë Vogel.

E, duke folur në Strasburg më 9 Maj në Ditën e Evropës, Macron, kur iu referua kërkesës së Ukrainës për anëtarësim të shpejtë në BE, tha se mund të duhen dekada për të ndodhur diçka e tillë.

“Tani, ajo që vërtet dyshoj se qëndron pas idesë së Macronit është si të thuash: ne do t'ju japim statusin e kandidatit, por më pas do t'ju lëmë në harresë ku ju në të vërtetë nuk jeni anëtar, por gjithashtu nuk jeni krejtësisht jashtë BE-së... Kjo do të ishte një mënyrë për të mbajtur jashtë [BE-së] Ballkanin Perëndimor dhe Ukrainën dhe të gjithë të tjerët, gjë që unë dyshoj se në fund është ajo që ai [Macron] dëshiron në të vërtetë”, thekson Vogel.

Tjera nga autori:
1