Kaloi oqeanin për të takuar investitorë, por 300 të tillë po e prisnin në Prishtinë - NACIONALE

Kaloi oqeanin për të takuar investitorë, por 300 të tillë po e prisnin në Prishtinë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Rrafsh 20 ditë rresht, kryeministri i vendit, Albin Kurti, udhëtoi nëpër shtete të ndryshme të Amerikës duke vizituar korporata amerikane në fushën e teknologjisë dhe biznese të shqiptarëve në diasporë, në një tentim të tijin për të sjellë investime në Kosovë.

Vazhdoi më pas në Zvicër për disa ditë me tentativën e njëjtë, por kur u kthye në Kosovë, ku 300 biznesmenë shqiptarë në diasporë, Kosovë e Shqipëri, po e prisnin në një sallë hoteli në qendër të Prishtinës. Aq shume kishte mysafirë, sa nuk i zinte salla. Organizatorët i lëvizën mysafirët në një sallë tjetër, për ta përcjellë ceremoninë në transmetim direkt në TV.

Paradoksin udhëtimit në Amerikë në kërkim të investimeve dhe gjetjen e qindra investitorëve të ulur në një sallë, si duket e kuptoi edhe vetë kryeministri, andaj në fjalën hapëse të “Forumit të Bizneseve të Diasporës”, që po mbahet në Prishtinë, ai vendosi që të “arsyetohet” para bizneseve, duke përsëritur për të disatën herë gjërat e njëjta për “frytet” e vizitës në SHBA.

Ripërsërit marrëveshjen me MCC, takimet e tij që i ka publikuar gjithkah gjatë këtyre dy javëve.

Ai vazhdonte t’i mbante ligjërata biznesmenevë mbi “suksesin e vizitës së tij”, teksa e prezantonte Kosovën si një vend që ka ndryshuar drastikisht për të mirë në vitin e fundit, normalisht falë Qeverisë së tij.

"Kemi pasë rritje ekonomike... kemi pasë rritje të eksportit të drurit dhe metalit, ushqimit, të pijeve, tekstilit dhe IT-se", tha kryeministri. Fjalimin e vazhdoi duke lavdëruar Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, privatizimin e të cilit e kishte kundërshtuar fuqishëm.

Biznesmenët tashmë kishin filluar të mërziteshin duke kthyer vëmendjen kah telefonët e tyre. Pak për shkak të nxehtësisë së madhe në sallën e mbushur me 300 njerëz, por pak më shumë për shkak të fjalimit të tij të mërzitshëm.

Por tek kah fundi ai bëhet pak interesant, pasi komplimenton biznesmenët nga diaspora duke i cilësuar si "ambasadorë" e "Ambasada" para se Kosova të ishte shtet. Pastaj në fund bën një deklaratë me intonacion të një inovatori ekonomik.

"Eksporti duhet të jetë kryefjala e zhvillimit ekonomik", tha Kurti, me një ton definitiv, por kjo nuk i bëri përshtypje askujt aty. Ndoshta pse shumica e tyre ishin biznesmenë dhe e dinë këtë fakt të thjeshtë ekonomik.

Zeinah Salahi, drejtoreshë e misionit të USAID në Kosovë, konfirmon “faktin e thënë nga kryeminsitri”, por si diçka që nuk dihet, teksa menjëherë u drejtohet bizneseve.

"Kërkoni nga Qeveria juaj atë që keni nevojë, dialogoni me të dhe tregoni se çka ju duhet dhe si duhet të ndikojë që t’jua lehtesojë punën", tha Salahi, e cila nga 300 pjesëmarrësit ishte e vetmja që mbante maskë.

Lazim Destani, kryetar nderi i Rrjetit të Bizneseve të Diasporës Shqiptare, foli për vlerën ekonomike të bizneseve shqiptare në diasporë, dhe foli për një nevojë aktuale.

"Duhet të unifikohemi më shumë, t’i ndihmojmë njëri-tjetrit më shumë", tha Destani teksa e mbyll fjalimin.

Por kryeminsitri Kurti nuk qëndroi aq sa së paku të fliste ose të dëgjonte kërkesat dhe nevojat e investitorëve potencialë. Kurti mezi e priti përfundimin e fjalimeve ceremoniale për të ikur nga sallla.

Ai nuk qëndroi as për të dëgjuar prezantimin e 5 kompanive të mëdha të diasporës e as panelin me kryetarët e 4 komunave. Thjesht e mbajti një takim në të cilin foli për takimet e tija dhe iku. Kjo për disa biznesmenë të ndryshëm ishte një mungesë e fokusit të kryeministrit për investitorë. Por asnjë prej tyre nuk pranon të komentojë me emër e mbiemër ndjesinë që ua dha kryeministri dhe fjalimi i tij.

Lajme të ngjashme