<b></b> Kancelari gjerman me mesazhe të qarta për Kosovën e Serbinë: Duhet njohje reciproke

Kancelari gjerman me mesazhe të qarta për Kosovën e Serbinë: Duhet njohje reciproke

10.06.2022 21:14

Kancelari gjerman Olaf Scholz filloi vizitën e tij në Ballkanin Perëndimor në Kosovë, por që nuk ishte ndalesa e fundit. Pas Prishtinës, ai udhëtoi për në kryeqytetin e Serbisë, Beogradin. Në të dy vendet, ai takoi udhëheqësit e lartë të shtetit të Kosovës dhe Serbisë.

Scholz-in mëngjesi me shi e zbardhi në Prishtinë, kryeqendrën e shtetit kosovar. Në aeroportin “Adem Jashari”, atë doli ta priste kryeministri Albin Kurti, me të cilin realizoi edhe një takim në objektin kryesor e Qeverisë së Kosovës.

E pas takimit Kurti dhe homologu i tij gjerman, mbajtën një një konferencë të përbashkët për media, e që zgjati gati një orë.

Kurti tha se gjatë bisedës me Scholz-in ka kërkuar bashkëpunimin e Gjermanisë në rrugën e anëtarësimit në institucionet e Bashkimit Evropian (BE).

Mbështetja nga Gjermania për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës ka hasur në mirëkuptim të plotë, do të vazhdojmë edhe me aspiratën tonë për statusin e kandidatit në Bashkimin Evropian, ku planifikojmë të aplikojmë në fund të këtij viti”, tha kryeministri Kurti.

Ndërsa, kancelari gjerman theksoi se vizita e tij këtë të premte dhe ajo e Kurtit muajin e kaluar, tregojnë se sa të afërta janë marrëdhëniet e dy vendeve.

Kancelari gjerman rikonfirmoi se Gjermani është e përkushtuar për të ndihmuar Kosovën në përmirësimin e lidhjeve me Serbinë, duke përmendur se njohja reciproke ishte thelbësore për çdo vend që të anëtarësohej.

“Pra, është diçka ku në fund kërkohet edhe pragmatizëm, në mënyrë që çështjet finale të zgjidhen në kuadër të dialogut. Qëllimi është edhe përafrimi me shtete e BE-së”, tha Scholz.

Në lidhje me dialogun, kryeminstri Kurti e fajësoi shtetin serb, pasi sipas tij është Serbia ajo që po bllokon marrëveshjen për targa.

Kosova ka treguar zgjidhje kreative, por që Serbia po e bllokon marrëveshjen për targa”, theksoi Kurti.

Sa i përket nismës rajonale të “Ballkanit të Hapur”, Scholz deklaroi se Gjermania i kushton një fokus të lartë tregut rajonal, ndërsa nënvizoi se është e rëndësishme që të arrihen përparime.

Është shumë e rëndësishme që të dërgohet një sinjal i ri i besimit dhe shpresës se ky proces i pranimit dëshirohet nga BE-ja me seriozitet të madh dhe se kjo gjithashtu ka mundësi realiste, nëse të gjithë bëjnë përpjekje”, tha kancelari gjerman.

Pas Kosovës, kancelari gjerman ka vizituar edhe Serbinë, ku pas takimit të tij me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq. Bashkë presidenti serb e kancelari gjerman dolën në një konferencë për media, ku qartësisht treguan qëndrimet e tyre.

Gjatë konferencës, të dyja palët diskutuan për situatën politike në Evropë, me fokus të veçantë në Ukrainë.

Nëse Serbia është serioze për hyrjen në BE, kancelari gjerman Olaf Scholz ka sugjeruar që ajo duhet të braktisë qëndrimin e saj balancues midis BE-së dhe Rusisë dhe të zbatojë sanksionet perëndimore.

“Ne presim që këto sanksione të mbështeten nga të gjithë ata që janë kandidatë për anëtarësim në BE”, tha Scholz të premten në Beograd pas një takimi me presidentin serb Aleksandar Vuçiç.

Pas takimit me Scholz, Vuçiq u shpreh se ishte i tronditur që Scholz dëshironte njohjen reciproke të pavarësisë së Kosovës, duke pretenduar se një kërkesë e tillë nuk ishte bërë kurrë më parë nga palët e BE-së.

Për këtë deklaratë reagoi, Renata Alt, deputete e Bundestagut gjerman e cila e quajti skandal reagimin e Vuçiqit përmes një postimi në Twitter.

Madje ajo kërkoi që bisedimet mes Serbisë dhe Bashkimit Evropian të stopohen pasi që, sipas saj, Vuçiq po i mashtron të gjithë.

“Reagimi i Presidentit të Serbisë gjatë konferencës për media mbi kërkesën për njohjen e Kosovës është skandaloz. Negociatat e anëtarësimit me BE-në duhet të ngrihen. Vuçiq na ka mashtruar për një kohë të gjatë” shkroi ajo në Twitter.

Tjera nga autori:
1