<b></b> Kërkohet riformatimi i Qeverisë, ndryshimi në disa sektorë shumë i nevojshëm

Kërkohet riformatimi i Qeverisë, ndryshimi në disa sektorë shumë i nevojshëm

01.06.2022 17:01

Thirrjet për riformatim të Qeverisë janë shtuar ditëve të fundit. Kur kabineti i Kurtit po e kalon çerekun e mandatit të tij, partneri qeverisës, Lista Guxo, dhe njohësit e rrethanave politike, po i shohin si të nevojshme ndryshimet në Qeveri. Sipas tyre, ministrat që kanë performuar dobët gjatë kësaj kohe, duhet të zëvendësohen

Në kohën kur Qeveria Kurti II ka kaluar çerekun e mandatit të saj, nevoja për riformatimin e kabinetit qeveritar po bëhet e qartë. Përveç Listës Guxo, ndryshimin në qeveri po e kërkojnë edhe njohësit e rrethanave politike.

Ata kanë deklaruar për gazetën Nacionale se riformatimi i qeverisë në disa sektorë është shumë i nevojshëm.

Analisti politik Imer Mushkolaj, ka vlerësuar se ndryshimet në qeveri janë normale në çdo vend demokratik.

“Riformatimi i qeverive është një praktikë normale në botë, edhe kjo nuk do të duhej të ishte përjashtim as për qeverinë e Kosovës”, deklaroi Mushkolaj për Nacionalen.

Ai ka treguar edhe për sektorët ku do të ishin më të nevojshme ndryshimet.

“Unë mendoj që ka nevojë për njëfarë riformatimi të qeverisë, jo në të gjithë sektorët. Por besoj që prej marrjes së pushtetit në këta muaj, kryeministri duhet ta ketë një pasqyrë të qartë se cilët ministra ia vlen me qenë ose me vazhdu menaxhimin në sektorë të caktuar, e cilët jo. Për fat të keq, gjatë kësaj kohe kemi pa disa ministra, të cilët nuk është se e kanë kryer punën si duhet”, ka deklaruar Mushkolaj.

Riformatimi në vështrimin e Mushkolajt duhet të jetë i kufizuar, duke përfshirë vetëm sektorë të caktuar.

“Riformatimi nuk nënkupton, qysh e shoh unë, ose nuk do të duhej të nënkuptojë ndëshkim apriori për këta njerëz, por përpjekje që me u punu më shumë. Për shembull, vërejtjet më të mëdha që unë i kam, janë për Ministrinë e Shëndetësisë, për shkak se konsideroj që zgjedhja e tij ka qenë e gabuar. Me këtë nuk po dëshiroj të them se ai nuk është profesionist, nuk është profesor i mirë, por menaxher në perspektivën time është shumë i dobët dhe me një sektor siç është shëndetësia, besoj që është dashtë me qenë ose duhet të jetë dikush që është shumë më dinamik dhe që ka një vizion ndryshe nga zotëria në fjalë”, ka vlerësuar Mushkolaj.

Domosdoshmërinë për një riformatim të kabinetit qeveritar e sheh edhe analisti tjetër politik Gazmir Raci.

Ai ka thënë për gazetën Nacionale se qeverisë i nevojiten ndryshimeve sidomos në kohë të krizave.

“Pas problemeve që kishim me krizën e çmimeve në disa sektorë, si pasojë e luftës në Ukrainë, para tre muajve kam propozuar riformatim të disa ministrive, kjo për shkak të performancës së dobët në menaxhimin e situatës, por edhe për mungesën e një qasjeje proaktive brenda këtyre sektorëve. Sektorët të cilët duhet riformatuar janë Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, Ministria e Ekonomisë dhe Financave dhe Ministria e  Shëndetësisë, e gjithë kjo me qëllim të shtimit të efikasitetit në këta sektorë”, ka thënë Rraci.

Riformatimi, sipas Rracit, duhet të përfshijë edhe një rritje të numrit të Ministrive, nëpërmjet ndarjes së ministrisë së Mjedisit dhe Infrastrukturës.

“Ndërsa edhe Ministria e Mjedisit duhet të ndahet me Infrastrukturën, se është e qartë se në praktikë ka probleme në efikasitet, sepse e njëjta ministri miraton apo lëshon licenca dhe e njëjta i monitoron dhe zbaton politikat infrastrukturore”, është shprehur Rraci.

Lista Guxo me qëndrime të ndryshe rreth riformatimit

Udhëheqësit e partnerëve të koalicionit qeverisës nuk kanë treguar nëse kjo çështje është diskutuar në mes tyre. Zyra e Kryeministrit dhe Lëvizja Vetëvendosje kanë heshtur përballë kërkesave për ndryshim në kabinetin qeveritar. Ushtruesja e detyrës së kryetares së Grupit Parlamentar të LV-së, Mimoza Kusari-Lila, dhe zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, nuk janë përgjigjur në interesimin e gazetës Nacionale për këtë çështje.

Ditë më parë deputeti i Listës Guxo, Haxhi Avdyli, ka shprehur nevojën për një riformatim të ekzekutivit.

Do të ishte mirë të ndodhë një riformatizim i qeverisë. Aty ku mungon energjia, pse mos të ketë riformatizim. Kur nuk ka rezultate sa duhet, duhet të kemi një rifreskim. Unë them që ka pasur sektorë ku ka pasur punë shumë të mirë. Por ndoshta ka edhe sektorë që nuk kanë performuar sa duhet dhe një riformatizim do të ishte i mirëseardhur. Unë tash nuk e di prej nga po vinë këto ide, pasi nuk kam dëgjuar asgjë konkrete”, ka deklaruar ai në emisionin DPT në T7.

Kjo nuk është hera e parë që kërkohet një riformatim i tillë. Ndryshimet në qeveri janë kërkuar edhe më herët.

Por, pretendimet  më herët i kishte mohuar Ministri i Bujqisisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, i cili po ashtu vjen nga Lista Guxo.

Ditëve të fundit kam parë [riformatimi] të përfolet në nivelin medial, por në nivel të Qeverisë nuk është shtruar kjo dhe as në aspektet e partneritetit që kemi ne me Vetëvendosjen”, pati pohuar Peci.

Procesi i riformatimit të kabinetit qeveritar ka qenë proces normal për disa qeveri të mëhershme në Kosovë.

Tjera nga autori:
1