<b></b> Kina e ka fuqinë që ta marrë Tajvanin, por do t’i kushtonte shumë shtrenjtë

Kina e ka fuqinë që ta marrë Tajvanin, por do t’i kushtonte shumë shtrenjtë

02.06.2022 09:05

Në udhëtimin e parë në Azi si president i ShBA-së javën e kaluar, Joe Biden ia bëri paralajmërimin më të fuqishëm deri më tani Pekinit se Uashingtoni është i përkushtuar që ta mbrojë Tajvanin ushtarakisht në rast të një sulmi nga Kina.

Brad Lendon & Ivan Watson

Komentet e Bidenit, që e krahasuan sulmin e mundshëm kinez ndaj Tajvanit me pushtimin rus të Ukrainës, duket se devijojnë nga politika e vjetër me dekada e Uashingtonit – “paqartësia strategjike” – për këtë çështje dhe duket e se ngritën mundësinë për përplasje ushtarake mes ShBA-së e forcave kineze.

Është hera e tretë që Bideni bëri deklarata të ngjashme që nga ardhja në pushtet dhe, njësoj si në dy herët e kaluara, ato u tërhoqën shpejt nga Shtëpia e Bardhë, që këmbëngul se politika nuk ka ndryshuar. Megjithatë, kjo në mënyrë të pashmangshme e ngre pyetjen: nëse kina mundohet që ta marrë Tajvanin, a munden Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre që ta ndalin?

Përgjigjja alarmante është: Me goxha gjasë, jo. Analistët thonë se Kina ka më shumë trupa, më shumë raketa dhe më shumë anije se Tajvani ose se përkrahësit e tij të mundshëm, si ShBA-ja ose Japonia, që do të mund t’i sillnin në luftë. Kjo nënkupton që nëse Kina është absolutisht e vendosur që ta marrë ishullin, ndoshta mundet.

Por ekziston një paralajmërim: përderisa Kina, me gjasë, do të mund të triumfonte, çfarëdo fitore do të vinte me një çmim jashtëzakonisht të lartë për Pekinin dhe armiqtë e tij.

Shumë analistë thonë se pushtimi i Tajvanit do të ishte më i rrezikshëm dhe kompleks sesa lëshimi i “Ditës D të Aleatëve” në Francë në Luftën e Dytë Botërore. Sipas dokumenteve qeveritare amerikane, numri i të vrarëve, të lënduarve dhe të zhdukurve nga të dyja palët gjatë fushatës gati tre muaj të gjatë në Normandi ishte gati gjysmë milioni ushtarë.

Pasojat ndaj civilëve do të mund të ishin shumë, shumë më të rënda.

Popullsia prej 24 milionë njerëzish e Tajvanit është e grumbulluar në zona të dendura urbane si kryeqyteti Taipei, me mesatare prej 9.575 banorësh për kilometër katror. Krahasuar me Mariupolin e Ukrainës – i shkatërruar në luftën me Rusinë – që kishte mesatare prej 2.690 banorësh për kilometër katror.

Pavarësisht nga përparësitë numerike në forcat detare, ajrore e tokësore në rajon, Kina ka “thembra të Akilit” në secilën fushë të luftës, që do të mund ta detyronin Pekinin që të mendonte gjatë dhe fort nëse pushtimi ia vlen në raport me koston e jashtëzakonshme njerëzore.

Më poshtë po paraqesim disa skenarë se si do të mund të zhvillohej pushtimi kinez i Tajvanit.

Lufta detare

Kina ka forcat detare më të mëdha në botë, me rreth 360 anije luftarake, më shumë se Shtetet e Bashkuara, që kanë pak më pak se 300.

Pekini gjithashtu e ka flotën më të avancuar të anijeve komerciale në botë, numër të madh të pjesëtarëve të rojës bregdetare dhe, sipas ekspertëve, një grup barkash që jozyrtarisht janë të lidhura me ushtrinë.

“Që Pekini të ketë mundësi të arsyeshme të fitores, ushtria kineze do të duhej të lëvizte mijëra tanke, pushkë artilerie, automjete të blinduara për personel dhe raketahedhës bashkë me ushtarët. Shumë pajisje e karburante do të duhej të kalonin me ta”, tha Ian Easton, drejtor në Institutin “Project 2049”.

Lufta ajrore

Me gjasë, Kina do të synonte epërsi në ajër në fazën fillestare të konfliktit, thonë analistët, dhe mund t’i duket se ka përparësi në qiell.

Besohet se Kina ka gati 1.600 aeroplanë luftarakë, ndërsa Tajvani më pak se 300. ShBA-ja thuhet se ka mbi 2.700 aeroplanë luftarakë, por këta ndodhen në pjesë të ndryshme të botës, ndërsa të gjithë aeroplanët luftarakë të Kinës gjenden në rajonin e saj.

Megjithatë, edhe në qiell, Kina do të përballej me vështirësi të konsiderueshme. Tajvani ka pasur kontakte me Shtetet e Bashkuara për t’u furnizuar me raketa kundërajrore, “Stinger”, dhe bateri raketore, “Patriot”.

Lufta tokësore

Edhe nëse Kina do të ishte e gatshme që të rrezikonte me të gjitha sfidat dhe nëse do të arrinte që të dërgonte numër të konsiderueshëm ushtarësh në territorin tokësor të Tajvanit, forcat e saj do të përballeshin me një problem tjetër.

Tajvani ka rreth 150.000 trupa dhe 2.5 milionë rezervistë dhe e tërë strategjia kombëtare e mbrojtjes është e mbështetur në kundërpërgjigjen ndaj pushtimit të mundshëm nga Kina.

Së pari, ushtria kineze do të duhej të gjente pikë të përshtatshme për arritje në territor tokësor. Ekspertët kanë identifikuar 14 plazhe që do të ishin të përshtatshme për këtë gjë dhe Tajvani është i vetëdijshëm për këtë. Inxhinierët e tij me dekada kanë hapur tunele e bunkerë për t’i mbrojtur këto plazhe.

Sa janë gjasat që Kina të sulmojë?

Bonnie S. Glaser, analiste e Fondit Gjerman “Marshall”, mendon se ka pak gjasë që Kina ta pushtojë Tajvanin. “Mendoj se ushtrisë kineze i mungon vetëbesimi i plotë se mund ta marrë dhe ta kontrollojë Tajvanin. Vetë ushtria flet për disa mangësi në aftësitë e saj”, tha ajo.

Ajo gjithashtu theksoi se rezistenca e fuqishme e Ukrainës mund t’u japë arsye banorëve të Tajvanit për të luftuar për tokën e tyre.

 

Tjera nga autori:
1