<b></b> Kjo është pasuria e Zyrës së Presidentes së Kosovës

Kjo është pasuria e Zyrës së Presidentes së Kosovës

14.06.2022 15:40

Agjencia kundër Korrupsion (AKK) ka publikuar të dhënat për pasurinë e zyrtarëve të shtetit. Në kuadër të kësaj janë publikuar edhe formularët e deklarimit të pasurisë së anëtarëve të Zyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës.  

Presidentja Osmani ka deklaruar se mban para të gatshme nëpër disa banka, përfshirë edhe paratë që mbahen në emër të bashkëshortit të saj. Mbi 73 mijë euro i ka nëpër banka familja presidenciale e Kosovës. 

Ndërkaq, pasurisë së tyre i kontribuojnë edhe pasuritë e paluajtshme që përfshijnë dy shtëpi, dy banesa, garazhë e parcelë, dhe të cilat presidentja dhe bashkëshorti i saj i kanë vlerësuar me mbi 260 mijë euro.

Shefi i Stafit të Presidentes, Blerim Vela, ka deklaruar si pasuri të paluajtshme një truall me vlerë 36 mijë euro, të cilin e ka blerë me kursime, ndërkaq pasuri të luajtshme ka deklaruar një veturë në vlerë 38 mijë euro, po ashtu e blerë me kursime personale. 

E para të gatshme, shefi i kabinetit të presidentes ka deklaruar mbi 310 mijë euro, përfshirë edhe paratë e bashkëshortes së tij dhe fëmijëve.  

Ndërkaq, Zëvendës-Shefi i stafit të Kabinetit, Artan Murati, ka deklaruar si pasuri të paluajtshme një banesë që e ka vlerësuar 45 mijë euro. Ndërkaq, ka deklaruar edhe një veturë në vlerë prej 14 mijë eurove. 

E para të gatshme në llogaritë bankare të tij dhe të bashkëshortes, ka deklaruar mbi 3 mijë euro. Ndërkaq, të hyra vjetore, së bashku me bashkëshorten, Murati ka 42 mijë euro. 

Ndërsa këshilltari i presidentes, Bekim Kupina, ka deklaruar një banesë në vlerë 55 mijë euro, por të cilën e ka shitur, e duke marrë një kredi, ka arritur të blejë një banesë tjetër me vlerë 120 mijë euro. Po ashtu, ka deklaruar një banesë të bashkëshortes në vlerë 30 mijë euro, si dhe një veturë në vlerë 11 mijë euro. 

Këshilltari Kupina ka të ardhura vjetore mbi 36 mijë euro, përfshirë edhe ato të bashkëshortes. 

Ndërkaq, këshilltarja Egnesa Vitia ka deklaruar se në pronësi të saj s’ka asnjë pronë të paluajtshme, mirëpo, ka deklaruar një shtëpi e një truall që janë në pronësi të prindit të saj. Në anën tjetër, si pasuri të luajtshme ka deklaruar një veturë në vlerë 18 mijë euro. E të ardhura vjetore, Vitia i ka mbi 23 mijë euro. Para të gatshme ka afër 1 mijë euro. 

Këshilltari tjetër i presidentes, Vehbi Miftari, ka deklaruar një shtëpi në vlerë 280 mijë euro, si dhe një veturë në vlerë 13,500 euro. Ndërkaq, këshilltari ka mbi 19 mijë euro para të gatshme në një insitucion financiar. Të dhënat për të hyrat vjetore nuk gjenden në formularin e këshilltarit Miftari. 

Këshilltarja tjetër e presidentes Osmani, Learta Hollaj, ka deklaruar se në bankë ka mbi 25 mijë euro, si dhe në pronësi ka një veturë me vlerë prej afër 9 mijë eurosh. Ndërkaq, pronë të paluajtshme ka deklaruar vetëm shtëpinë e prindit, në vlerë prej 280 mijë eurosh. Hollaj ka deklaruar afër 40 mijë euro të hyra vjetore.

Tjera nga autori:
1