Komunat që qeverisen nga Lista Serbe zero transparencë në tetë fusha të qeverisjes - NACIONALE

Komunat që qeverisen nga Lista Serbe zero transparencë në tetë fusha të qeverisjes

1 vit më parë

nga NACIONALE

Indeksi për transparencë në qeverisjen komunale i KDI-së ka treguar se komunat që qeverisen nga subjekti politik Lista Serbe janë komunat më jo transparente në vend. Sipas indeksit, këto komuna kanë zero transparencë në tetë fusha të qeverisjes lokale.

Instituti Demokratik i Kosovës sot ka publikuar indeksin e transparencës në qeverisjen komunale për vitin 2021, i cili ka treguar përkushtim e komunave për rritje të transparencës.

Me qëllim të stimulimit të komunave për sa më tepër transparencë, KDI ka adaptuar dhjetëra tregues nga metodologjia e Transparency International të shtrirë në tetë politika publike.

Gjetjet e hulumtimit tregojnë se komunat që qeverisen nga Lista Serbe qëndrojnë më së keqi në këtë drejtim.

Sipas raportit të publikuar, këto komuna kanë zero transparencë në fushën e prokurimit publik, buxhetim dhe financa publike, qasjen në dokumente dhe informacion publik, pjesëmarrjen publike, grantet dhe subvencionet, etikën profesionale dhe konfliktin e interesit, menaxhimin e pronës publike dhe ndërmarrjet si dhe organizatat komunale.

Në shtyllën prokurimit publik, Leposaviqi, Ranillugu, Shtërpca, Zubin Potoku, Zveçani, kanë marrë 0 pikë nga 15 të mundshme.

Ngjashëm edhe në shtyllën e pjesëmarrjes publike, komunat e drejtuara nga Lista Serbe çaluan. Kllokoti, Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zveçani, Novo Bërda, Parteshi, nuk ia dolën të marrin as edhe një pikë në indeksin vlerësues.

Po ashtu, në shtyllën ndërmarrjet dhe organizatat komunale, këto komuna dolën me një rezultat jo të admirueshëm. Leposaviqi, Mitrovica e Veriut, Zubin Potoku, Zveçani, dështuan të arrijnë ndonjë rezultat tjetër mbi zeron.

Edhe në shtyllat tjera, pikët me të cilat këto komuna u vlerësuan, janë të pakta. Më tepër se aq, ato pikë flasin për problemet reale që këto komuna kanë në procesin menaxhues.

Prishtina komuna më transparente

Indeksi i transparencës për qeverisjet lokale gjatë vitit 2021, e ka vendosur Prishtinën si komunën më transparente me 82.02 pikë nga 100 të mundshme, në 87 treguesit e matur.

Komuna e Prishtinës arriti pikët maksimale shtyllat e prokurimit publik, duke marrë 15 pikë nga 15; menaxhim të pronës komunale dhe ankande, duke marrë 10 pikë nga 10 të mundshme.

Ndërsa, pak më keq qëndroi buxhetimi dhe financat publike, ku nga 15 pikë, komuna mori vetëm 11.54; në qasje në dokumente dhe informacionin publik nga 15 pikë mori 13.85; në pjesëmarrje publike 15/10.5; në grantet dhe subvenvionet nga 10 pikë në 8.89; në shtyllën e etikës profesionale dhe konflikti i interesit, mori 6 pikë nga 10; në ndërmarrjet dhe organizatat komunale 6.25 pikë nga 10.

Kryeqyteti ndiqet nga komuna e Rahovecit me 80.97 pikë, Gjakova me 80.27 pikë, nga Mitrovica e Jugut 79.52 pikë, nga Lipjani me 78.72 pikë, Ferizaj me 78.08 pikë, nga Kaçanikut 76.22 pikë, nga Peja me 75.87 pikë, Drenasi me 72.10 pikë, Podujeva me 72.04 pikë, Vushtrri me 68.91 pikë, Prizreni me 67.64 pikë, Shtime me 66.46 pikë, Gjilani me 65.80 pikë, Skenderaj me 65.23 pikë, Suhareka me 64.33 pikë, e kështu me radhë.

Trendi rritës

Po ashtu, nga të dhënat e dala nga ky hulumtim mund të përfundohet se trendet në kuptimin e transparencës janë në rritje. Komunat, përgjithësisht, në shumicën e shtyllave ose çështjeve që lidhen me transparencën, po tregojnë shenja të përmirësimit vit pas vit. Kësisoj, transparenca është duke u rritur vazhdueshëm.

Lajme të ngjashme