<b></b> Konjufca këtë muaj udhëton në Hagë, a do ta pranojnë në takim Thaçi e Veseli?

Konjufca këtë muaj udhëton në Hagë, a do ta pranojnë në takim Thaçi e Veseli?

03.06.2022 12:21

Fundi i muajit qershor, do të jetë koha kur kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, pritet të udhëtojë drejt Hagës. Atje, Konjufca synon t’i takojë ish-pjesëtarët e UÇK-së që po akuzohen nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Lajmin për gazetën Nacionale, e ka konfirmuar shefi i kabinetit të Konjufcës, Ilir Kërçeli. Ai ka thënë se do t’i takojnë të gjithë të akuzuarit që janë në Qendrën e Paraburgimit në Hagë.

“Do të udhëtojmë bashkë me kryetarin, besoj kah fundi i këtij muaji, dhe do t’i takojmë të gjithë”, ka thënë Kërçeli për Nacionalen.

Se do të udhëtojë drejt Hagës, e kishte konfirmuar edhe vetë Konjufca gjatë ditës së djeshme në një intervistë për televizionin publik.

“Ndonëse na kërkohet të mos i komentojmë vendimet e organeve të drejtësisë si përfaqësues i institucioneve të Kosovës, nuk kam se si të mos e them, se isha i befasuar për të keq nga vendimet e Gjykatës Speciale, për rastin e Haradinajt dhe Gucatit”, pohoi Konjufca.

“Relacionet që i kemi nuk duhet të jenë peng i grindjeve tona që i kemi pasur rreth politikave shtëpiake që kanë pasur të bëjnë me Republikën e Kosovës në të kaluarën. Ne që kemi qenë në politikë, qoftë edhe ata në të kaluarën të cilët kanë bartur pozicionet më të rëndësishme të Republikës së Kosovës, qoftë këta që jemi tani për shkak të vullnetit të qytetarëve, duhet të udhëhiqemi vetëm nga një princip. Ne jemi një popull, ne kemi interesa të përbashkëta dhe në interesat tona të përbashkëta nuk do të mund të arrijnë të na përçajë askush. E aq më pak Serbia me Gjykatën Speciale e raportin e Dick Martyt, ne jemi të bashkuar si gishtat e dorës”, ka thënë Konjufca.

Mundësinë për vizitë e ka lënë të hapur edhe vetë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Ai ka thënë megjithatë, se për të më e rëndësishmë është që të mbajë kontakte me avokatët.

A do ta pranojnë Konjufcën në takim Thaçi e Veseli?

Kjo nuk është hera e parë që zyrtarë të partisë në pushtet, shkojnë drejt Hagës për takime në Qendrën e Parbaurgimit.

Megjithatë, në dy herat e kaluara, Hashim Thaçi e Kadri Veseli nuk i pritën në takim.

Fillimisht, zëvendësministrin e Drejtësisë, Blerim Sallahu, e muaj më parë, Thaçi e Veseli e refuzuan edhe takimin me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Ministrja e Drejtësisë kishte udhëtuar bashkë edhe me nënkryetaren e Kuvendit, Saranda Bogujevci, kryetarin e Komisionit për Legjislacion, Adnan Rrustemi, si dhe deputetin Erxhan Galushi.

Një letër që ishte publikuar javë më parë në media nga analisti Mero Baze, tregonte pse Thaçi nuk e kishte pranuar në takim delegacionin e Ministrisë së Drejtësisë.

“Ato nuk erdhën të interesohen për ne, por donin të përdornin takimin me mua, në kulmin e fushatës elektorale në Kosovë. Qeveria e Kosovës nuk na ndihmoi duke na sjellë kafe apo duke na pyetur a ju dhemb koka këtu ku jemi. Këto i sigurojmë vetë. Ata na ndihmojnë me qëndrime publike, por pikërisht nga këto qëndrime na kanë dëmtuar sa kanë mundur. Përveç qeverisë së Shqipërisë, askush nuk na ka ndihmuar”, citohet nga Baze të ketë thënë ish-presidenti.

Vizitë zyrtare apo familjare?

Dilema tjetër është nëse vizita e kryeparlamentarit Konjufca, do të llogaritet si vizitë zyrtare, apo të akuzuarve do t’u merret nga koha e vizitave familjare. Gjykata Speciale në një përgjigje për Nacionalen, në vazhdimësi ka treguar se vizitat e tilla janë personale të të akuzuarve, dhe nuk llogariten si zyrtare.

“Për arsye të privatësisë, ne nuk mund të ofrojmë informacione në lidhje me kërkesat specifike të të paraburgosurve. Udhëzimi mbi Vizitat e bën dallimin mes vizitave personale dhe zyrtare. Në vizita zyrtare përfshihen ato nga Ombuspersoni, Komiteti i Kryqit të Kuq si dhe vizitat konsullore, vizita e një gjyqtari, sekretarit apo anëtarëve të stafit. Për sa i përket procedurës, të gjitha vizitat e tjera janë vizita personale”, thuhet në përgjigjen e Speciales për Nacionalen.

Ditë më parë, ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin, e kishte vizituar edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Tjera nga autori:
1