<b></b> Kosova e kundërshton 'Ballkanin e Hapur' shkaku i Serbisë, por ekonomia e saj varet nga Serbia

Kosova e kundërshton 'Ballkanin e Hapur' shkaku i Serbisë, por ekonomia e saj varet nga Serbia

31.05.2022 18:27

Kosova në treg të lirë me Serbinë s’ka çka të humbasë. Statistikat tregojnë se ekonomia e Kosovës në fakt varet nga ajo e Serbisë. Në këtë krizë ekonomike, Kosova duke kundërshtuar Ballkanin e Hapur, mund të mbetet i vetmi shtet ballkanik jashtë organizatës.

S’është zor të dihet se një ekonomi më e zhvilluar e përmirëson mirëqenien. Por, nëse këmbëngulja e Kosovës për të mos u integruar në organizatën ekonomiko-politike “Ballkanin e Hapur”, a na e përmirëson apo vështirëson jetën?

Në rrafshin ekonomik, statistikat tregojnë se Kosova më shumë varet nga Serbia sesa kjo e fundit nga ne.

Nëse marrim referencë shifrat e vitit 2018, ku s’kishte tarifë, reciprocitet dhe pandemi, Kosova eksportonte 389 milionë euro drejt Serbisë.

Krahasuar me shtetet e tjera të CEFT-as që Kosova u eksporton mallra dhe shërbime, del se 9.1% e mallrave kosovare shiten në Serbi. Edhe më shqetësues është fakti se ky numër çdo vit po shkon duke u zvogëluar.

Sipas Doganave të Kosovës, vlera e importit nga Serbia - nga 450 milionë euro sa ka qenë në vitin 2017, ka rënë në 389 milionë euro më 2018, në 6 milionë më 2019, ndërsa është ringritur në 174 milionë më 2020 dhe në 305 milionë më 2021”, thuhet në komunikatat e ASK-së.

Në anën tjetër, Serbia gjatë vitit 2018 ka eksportuar 13.6 miliardë dollarë drejt këtyre vendeve, sipas China-cee.eu.

Kur krahasojmë shifrat del se ekonomia e Serbisë nuk varet nga ajo e Kosovës, sepse vetëm 2.9% të mallrave të Serbisë eksportohen drejt Kosovës.

Ama në sytë e Kurtit para se të bëhej kryeministër, Kosova në raportin e tregtisë së lirë me Serbinë, dilte humbëse.

Forca dominuese në kuptimin e prodhimtarisë në Ballkan është Serbia. Nga tregu i lirë, Gjermani – Francë, përfitojnë të dyja. Nga tregu i lirë, Gjermani – Somali, dihet kush përfiton...”, deklaronte Kurti në Top Channel, kur fliste për “mini-shengenin”.

Thënë troç, ekonomia e Kosovës varet trefish më shumë nga ajo e Serbisë, sesa kjo e fundit nga e jona.

Kosova po ec vetëm kundër Ballkanit të Hapur

Megjithatë Kosova s’e ka ndërmend të qëndrojë ortodokse, karshi vendeve tjera të Ballkanit.

Me Malin e Zi që së shpejti do të bëhet pjesë e Ballkanit të Hapur, dhe ndërrimin e qëndrimit të Bosnjës dhe Hercegovinës me përfundimin e zgjedhjeve atje, Kosova mund të mbetet i vetmi vend në Ballkan jashtë kësaj organizate.

Këmbëngulja e Kosovës në kundërshtimin e kësaj ideje nuk po shihet si pozicion i favorshëm për shtetin më të ri në Evropë.

Njohësit e proceseve integruese kanë bërë me dije se Kosova duhet të reflektojë në këtë drejtim.  

Analisti politik Ilir Ibrahimi, ka thënë për gazetën Nacionale se Kosova po e kundërshton këtë nismë vetëm për shkak të autorëve të saj.

“Me qeverinë e re, Mali i Zi po kthehet në rirreshtim me aleatët perëndimorë, pas një sfide që patën me qeverinë e kaluar pro-serbe dhe pro-ruse. Edhe qëndrimi pro Open Ballkan në këtë rast është i natyrshëm. Integrimi dhe bashkëpunimi rajonal është vlerë perëndimore dhe përkrahet nga këto qendra”, ka thënë ai.

Sipas tij, Kosova duhet të bëhet pjesë e çdo tavoline ku trajtohet në mënyrë të barabartë.

“Kundërshtimi që i është bërë Open Ballkan më tepër është bërë për të kundërshtuar ideatorët sesa idenë. Unë kam mbajtur qëndrimin që Kosova të bëhet pjesë e çdo tavoline ku përfaqësohet si e barabartë dhe të mos ndihet inferiore”, është shprehur ai.

Ballkani i Hapur përplas Osmanin dhe Abazoviqin

Lëvizja e Malit të Zi në drejtim të hyrjes në Ballkanin e Hapur nuk është pritur mirë nga Kosova.

Kjo ka nxitur një debat ndërmjet Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministrit të Malit të Zi, Dritan Abazoviq, në Samitin e Demokracisë në Evropën Juglindore që po mbahet në Mal të Zi.

Kryeministri malazez ka deklaruar se vendi i tij këtë nismë rajonale e ka kritikuar vetëm për shkak që është propozuar nga Serbia.

“Për mendimin tim, një pjesë e shoqërisë në Mal të Zi e kundërshton, vetëm sepse është kundër çdo gjëje që është Serbia. Ata nuk e kanë problem nismën, por kanë problem personal”, ka deklaruar Abazoviq.

Ai ka vlerësuar se problemet personale në politikë shpeshherë nuk japin mundësi për ndonjë lloj vizioni.

“Unë nuk po angazhohem për ‘Ballkanin e Hapur’ ose për Procesin e Berlinit apo ndonjë nismë tjetër. Unë po angazhohem për bashkëpunimin rajonal. Çdo nismë që ka për qëllim bashkëpunimin rajonal, gjithçka që mund të shfrytëzojmë për bashkëpunim, është sukses”, ka deklaruar Abazoviq.

Këto komente nuk i kanë pëlqyer presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka akuzuar presidentin serb.

“Se a është dikush lider i zgjedhur në mënyrë demokratike, që beson në vlerat e sundimit të ligjit, të drejtat e njeriut dhe në demokraci dhe a është dikush ish-ministër i propagandës së regjimit të Millosheviqit, kjo duhet të ketë rëndësi. Në të kundërtën, porosia që po dërgojmë është se nuk ka rëndësi nëse je Zelensky apo Putin”, theksoi Osmani.

Kundërshtimi i Open Ballkan është prej pak çështjeve që në Kosovë bashkon pozitën dhe opozitën. Sikurse pushteti dhe partitë opozitare mendojnë se Kosova duhet të përfaqësohet si e barabartë, gjegjësisht si shtet i pavarur edhe në këtë nismë.

Mali i Zi ka paralajmëruar se do të marrë pjesë në takimin e radhës të Ballkanit të Hapur, i cili do të mbahet në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Çfarë është Ballkani i Hapur?

Plani për krijimin e Ballkanit të Hapur është bërë më 10 tetor të vitit 2019 në Novi Sad të Serbisë, ku kanë marrë pjesë udhëheqësit e Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Synimi i kësaj nisme rajonale, e cila fillimisht është quajtur “Mini Schengen”, është rritja e bashkëpunimit në mes të vendeve të rajonit, duke lehtësuar qarkullimin e mallrave dhe lëvizjen e njerëzve.

Tri shtetet themeluese deri më tani kanë mbajtur disa takime, ku kanë nënshkruar edhe marrëveshje dhe memorandume që kanë për qëllim lëvizjen e lirë të qytetarëve, lehtësimin e importit dhe rritjen e bashkëpunimit për qasje të lirë në tregun e punës.

Themeluesit e kësaj nisme vazhdimisht i kanë ftuar edhe tri vendet tjera që t’i bashkohen kësaj nisme rajonale, por deri më tani, Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja, kanë kundërshtuar.

Tjera nga autori:
1