<b></b> Kosova të synojë këtë vit marrëveshjen me Serbinë, vonesat krijojnë vështirësi

Kosova të synojë këtë vit marrëveshjen me Serbinë, vonesat krijojnë vështirësi

11.06.2022 17:56

Viti 2022 është momentumi i duhur për arritjen e marrëveshjes përfundimtare me Serbinë. Harmonizimi i qëndrimeve të SHBA-së dhe BE-së për këtë çështje duhet të shfrytëzohet nga institucionet e Kosovës, kanë bërë me dije monitoruesit e procesit të dialogut Kosovë-Serbi.
Ata kanë vlerësuar se Kosova nuk duhet t’i ndihmojë Serbisë për ta zvarritur këtë proces, por duhet të insistojë mbylljen e këtij procesi deri në fund të vitit

Monitoruesit e procesit të dialogut Kosovë-Serbi kanë ftuar institucionet e Kosovës që ta shfrytëzojmë momentimin aktual për arritjen marrëveshjes përfundimtare me Serbinë.

Ata kanë bërë me dije se uniteti i SHBA-së dhe BE-së pas agresionit rus në Ukrainë krijon kushte të favorshme për Kosovën rreth ujdisë përfundimtare me Serbinë.   

Sipas tyre, pala kosovare duhet të insistoj që marrëveshja të arrihet këtë vit.

Drejtori Ekzekutiv i Grupit për Ballkanin, Naim Rashiti, ka deklaruar për gazetën Nacionale se nga vonesat e kësaj marrëveshje humb vetëm Republika e Kosovës.

Nëse vonohemi, do të bëhet më e vështirë, ne e pamë se u bë më e vështirë. Tani erdhi një mundësi e re, sepse deri para 24 shkurtit ishte shumë vështirë. Në aspektin e qeverisjes e kemi parë se përgjegjësi e këtij kryeministri dhe kryeministrave tjerë ka qenë dhe është dialogu. Dialogu nuk duhet të jetë lajmi kryesor. Dialogu duhet të bëhet fuqishëm që sa më pak të bëhet lajm dhe sa më pak të jetë brengë e shoqërisë sonë”, ka thënë ai.

Sipas tij, Kosova duhet të bëjë përpjeke që ujdinë me Serbinë ta bëj para së të fillojnë negociatat për përfundimin e luftës Rusi-Ukrainë.

Ky vit është një mundësi e mirë për marrëveshjen finale me Serbinë. Çdo fazë para një marrëveshjeje Rusi-Ukrainë është brilante për Kosovën. Sepse atëherë do të jetë fokusi atje. Atëherë, Gjermania do të shikojë kah marrëveshja Rusi-Ukrainë. Ne nuk e përcaktojnë dinamikën e marrëveshjes, ne e përcaktojmë vendosjen e Kosovës në një agjendë tjetër në Bruksel, Uashington, Paris e Berlin. Pra, ne e përcaktojmë një dinamikë të re, ne nuk e përcaktojmë fatin e marrëveshjes”, është shprehur ai.

Edhe politologu Agon Maliqi ka thënë se Kosova duhet ta shfrytëzojë momentin e harmonisë së SHBA-së dhe BE-së për këtë çështje.

Ai ka treguar edhe parimin të cilin duhet ta ndjek Kosova në këtë proces.

Kosova nuk duhet të jetë pala që i ndihmon Serbisë për ta zhagitur dialogun por duhet të insistojë që dialogu i Brukselit të përmbyllet brenda një afati të afërt (fund të vitit?) sipas parimit “nuk ka marrëveshje për asgjë pa u arritur marrëveshje për gjithçka”. Duhet shfrytëzuar momenti i harmonisë SHBA-BE, i pamundësisë së Rusisë për t’u imponuar shumë në proces si mbështetëse e Serbisë dhe i opozitës e cila ka premtuar të jetë konstruktive”, ka shkruar Maliqi në profilin e tij në “Facebook”.

Ditë më parë, edhe profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Hasani, ka deklaruar se Kosova duhet të dalë me propozim konkrete për çështjen e hapur me Serbinë.

Në një intervistë për gazetën Nacionale, ai ka thënë se Kosova duhet të krijoj një qëndrim unik për këtë çështje. “Mundësitë për kreativitet janë pa fund. Pala jonë duhet të dalë me propozime konkrete për çështjet e hapura me Serbinë, por kjo nuk mund të bëhet pa një marrëveshje të brendshme në mes të forcave kryesore politike. Kjo sepse dialogu është kthyer në pikë referimi për rënie dhe ngritje politike në Kosovë, jo zhvillimi socio-ekonomik i vendit dhe reformimi i sistemit të drejtësisë, arsimit dhe kulturës”, ka thënë Hasani.

Ai ka deklaruar se sa më herët të arrihet marrëveshja me Serbinë aq më mirë për Kosovën. “Nuk mund të shmanget presioni, sepse bëhet fjalë për një detyrim ndërkombëtar dhe kushtetues. Duhet t’i dilet para këtij detyrimi, duke përpiluar statutin dhe aktet tjera juridike, sipas përcaktimeve kushtetuese të vendit. Çdo gjë është e qartë këtu! Sa më herët, më mirë”, ka thënë Hasani.

Edhe Gjermania insiston në njohje reciproke

Gjatë vizitës në Kosovë, kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, ka deklaruar se dialogu midis Kosovës dhe Serbisë duhet të zgjidhë çështjen e njohjes së Kosovës.

Në një konferencë për medie me kryeministri Albin Kurti, ai kërkoi që palët të jenë konstruktiv në dialog.

"E qartë është që marrëveshja në fund duhet të zgjidhë edhe çështjen e njohjes së Kosovës, sepse është e paimagjinueshme që dy vende, të cilat nuk e njohin njëra-tjetrën të bëhen anëtare të BE-së", ka deklaruar ai.

Edhe kur shkoi në Beograd, ai shprehur nevojën që palët të shprehen ta gatshme për përparime në dialogun për normalizim të marrëdhënieve.

Shpresoj se do të marrim një raport për këtë progres. Hap pas hapi, të dyja palët duhet të kontribuojnë në të dhe janë përgjegjëse për të mos bllokuar asgjë, për të mos shtyrë takimet dhe për të bërë një sërë hapash të vegjël që do të çojnë në qëllimin përfundimtar”, ka thënë ai në Beograd.

Ndërsa, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u shpreh i shqetësuar më kërkesën gjermane për njohjen e Kosovës.

Ne sot dëgjuam se po kërkohet njohja reciproke. Ne kurrë më herët nuk kemi dëgjuar nga askush nga Evropa se po kërkohet njohja reciproke. Këtë e dëgjuam sot në konferencën për gazetarë në Prishtinë”, ka deklaruar Vuçiq.

Ai ka deklaruar se deri me tani vetëm amerikane ia kanë kërkuar njohjen e Republikës së Kosovës.

 

Tjera nga autori:
1