<b></b> Kosovës e Shqipërisë nuk iu bën më për Luginën e Preshevës, liderët preshevarë ankohen për shpërfillje

Kosovës e Shqipërisë nuk iu bën më për Luginën e Preshevës, liderët preshevarë ankohen për shpërfillje

12.06.2022 17:40

Shqiptarët e Luginës së Preshevës po ndihen të lënë anash nga Kosova dhe Shqipëria. Përfaqësuesit politik të Luginës së Preshevës kanë deklaruar se injorimi dhe neglizhimi i problemit politik të Luginës nga Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë është i papranueshëm. Sipas tyre, këto vende duhet të kenë në qasje strategjike ndaj Luginës  

Përfaqësuesit politik të shqiptarëve të Luginës së Preshevës kanë kërkuar interesim më të madh të qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë për të drejtat e tyre.

Ata kanë treguar se shqiptarëve të kësaj pjese po iu shkelen të drejtat e tyre elementare nga autoritete serbe, derisa Kosova dhe Shqipëria s’po marrin asnjë veprim.

Kryetar i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve të Luginës së Preshevës, Ragmi Mustafi, ka thënë për gazetën Nacionale se Kosova dhe Shqipëria duhet t’i dalin në ndihmë shqiptarëve të asaj pjese.

“Shqipëria dhe Kosova duhet të rreshtohen në mbrojtjen dhe avancimin e shqiptarëve në Luginë jo vetëm si nevojë por domosdoshmëri e kohës. Ruajtja e substancës kombëtare, realizimi i të drejtave individuale dhe kolektive, si dhe përmirësimi i pozitës së shqiptarëve në Luginën e Preshevës si imperativ i domosdoshëm”, ka thënë ai.

Mustafi, i cili katër herë me radhë është paditur nga gjykata serbe për siç thuhet “kryerjen e veprës kundërvajtje ngritja e flamurit kombëtar”, ka thënë se Serbia po bënë shkelje sistematike të të drejtave të tyre. “Deri më tani, në 20 vitet e fundit, nuk kemi pasur qasje serioze, si dhe vullnet politik të qeverisë në Beograd, ndaj zgjidhjes së çështjes politike të Luginës së Preshevës. Edhe në inaugurimin e betimit të presidentit të ri/të vjetër, zotit Vuçiq, me dashje apo pa dashje, ai përmendi të gjitha pakicat që do të përfshihen në qeveri përveç shqiptarëve. Pra, përballë diskriminimit e shtypjes nga Beogradi, refuzimit të vazhdueshëm të integrimit, përfaqësimit të pamjaftueshëm në institucionet rajonale dhe republikane të komunitetit shqiptar, procesit të pasivizimit e tendencës për ta paraqitur atë si një problem ekonomik dhe jo si një situatë e trashëguar nga lufta e UÇPMB-së nga viti 2001”, ka thënë ai.

Sipas tij, Kosova dhe Shqipëria duhet të kenë një strategji në raport me shqiptarët e kësaj pjese.

“Shqipëria dhe Kosova në bashkërendim e bashkëpunim me Luginën duhet që përmes një qasjeje strategjike e programatike në një platformë të përbashkët të japin përgjigje. Injorimi dhe neglizhimi i problemit politik të Luginës së Preshevës është po aq i papranueshëm sa edhe durimi/pritja për demokratizimin e Serbisë dhe përballja me të kaluarën. Shqiptarët e Luginës duan të jenë të barabartë dhe të lirë dhe këtë e pamundëson mungesa e drejtësisë. Andaj, me të drejtë, Lugina edhe duhet të jetë pjesë e marrëveshjes përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë për të siguruar realizimin e aspiratave politike”, ka thënë Mustafi.

Edhe më i ashpër ndaj dy qeverive shqiptare ka qenë kryetari i Preshevës,  Shqipërim Arifi.

Në ceremoninë e cila është mbajtur për nder të përvjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në Prizren, ai ka apeluar për një përfshirje më të madhe të Qeverisës së Republikës së Kosovës dhe atë Shqiptare në Luginë.

“Ne duhet me qenë shumë më proaktiv, nuk duhet me e pa Preshevën vetëm si një jetim. Presheva është pjesë e kombësisë shqiptare. Shqiptarët në Luginë në presin Tiranën, presin Prishtinën, Tetovën, Prizrenin. Ata i presin Qeverinë e Kosovës dhe Qeverinë e Shqipërisë për me qenë shumë më prezent se sa janë. Unë këtu sot dua të apelojë që të punojmë më shumë se bashku”, ka thënë ai nga ceremonia e cila është mbajtur në Prizren.

Sipas tij, qeveritë e Kosovës dhe Shqipërisë më shumë po janë prezent në rajon se sa në Luginë të Preshevës. “Nivel qendror ka shumë hapësirë për tu kritikuar, sepse shumë është dobët me prezencën e tij në Preshevë, por është shumë prezentë në nivelet rajonale. Kemi një disbalanc”, ka thënë Arifi.

Në zgjedhjet e fundit parlamentare në Serbi, shqiptarët e Luginës nuk kanë mundur ta fitojnë asnjë deputetë.

Në këtë rezultat ka ndikuar ndarja e partive politike shqiptare në dy lisat zgjedhore.

Gjithashtu, ndikimin e vetë në këtë rezultat kishte pasivizimi i adresave të një numri shumë të konsiderueshëm të shqiptarëve të Luginës nga Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë.

Në këtë mënyrë, pas 15 viteve shqiptarët kanë mbetur pa përfaqësues në Parlamentin e Serbisë si pasojë e mos koordinimit brenda subjekteve politike shqiptare.

Tjera nga autori:
1