<b></b> “Krejt i kemi ka 2-3 milionë”: Mbi 10 milionë euro pasuria e deputetëve të PDK-së

“Krejt i kemi ka 2-3 milionë”: Mbi 10 milionë euro pasuria e deputetëve të PDK-së

19.06.2022 00:17

Deklarimi i pasurisë për vitin 2022, i bërë në Agjencinë Kundër Korrupsionit, ka zbuluar se shumë deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës janë milionerë.

Partia Demokratike e Kosovës, njëherësh partia më e madhe opozitare në vend, ka katër deputetë që në pasuri të paluajtshme e kalojnë milionëshin.

Hisen Berisha është deputeti më i pasur i kësaj partie, duke numëruar rreth 2 milionë e 400 mijë euro patundshmëri. Pas tij, renditet Blerta Deliu-Kodra, e cila posedon pasuri të paluajtshme në vlerë prej 1 milion e 340 mijë eurove.

Xhavit Haliti e Abelard Tahiri kanë më shumë se 2 milionë euro pasuri të paluajtshme, respektivisht, njëri 1 milion e 176 mijë, kurse tjetri 1 milionë e 20 mijë.

Fundja, siç kishte deklaruar Haliti kohë më parë: “krejt i kemi ka 2-3 milionë”.

Bërë bashkë, pasuria e paluajtshme e grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës për vitin 2022 kalon shifrën e 10 milionë eurove.

Në krahasim me pasurinë e Lëvizjes Vetëvendosje, Partia Demokratike e Kosovës, në patundshmëri është rreth 14 milionë euro më e varfër. Sigurisht, faktor që mund të ndikojë për këtë është edhe fakti që PDK është më e ‘varfër’ edhe në numër të deputetëve.

Në pasuri të paluajtshme, përfshihen shtëpitë, tokat e banesat që këta deputetë kanë.

Pasuria e luajtshme, ku përfshihen gjërat me vlerë, siç mund të jenë makinat, pikturat apo dhuratat nga të afërmit, Grupi Parlamentar i PDK-së kalon vlerën e 450 mijë eurove.

‘Makinën më të fortë’ nga kjo parti e ka deputetja Floretë Zejnullahu, e cila për një pajisje bujqësore ka investuar plot 55 mijë euro.

Kur vjen puna tek paratë e gatshme, PDK-ja s’e ka xhepin thatë. Bërë së bashku, deputetët e kësaj partie kanë më shumë se 420 mijë euro në dispozicion.

Më së shumti prej tyre ka Xhavit Haliti, i cili në rast nevoje, i ka të gatshme plot 138 mijë euro.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka deklaruar 270 mijë euro pasuri të paluajtshme, 42 mijë euro pasuri të luajtshme si dhe më shumë se 11 mijë euro para të gatshme.

Kjo e bën Krasniqin, për nga pasuria e deklaruar, më ‘modest’ se shumë deputetë tjerë të këtij grupi parlamentar.

Ndërkaq, emra të shumëpërfolur të partisë, të cilët janë mjaft aktivë në skenën e debatet politike, nuk kanë deklaruar hiç pasuri të paluajtshme. Ndër ta janë Mërgim Lushtaku, Ganimete Musliu e Eliza Hoxha.

Deklarimet e pasurisë së deputëtëve të PDK-së, të publikuara në uebfaqen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, mund t’i gjeni si vijon, nga A-ja tek Xh-ja:

Abelard Tahiri – Pasuri e paluajtshme: 1 milion e 176 mijë € | Pasuri e luajtshme: s’ka | Para të gatshme: 4,832€;

Ardian Kastrati – Pasuri e paluajtshme: 195 mijë € | Pasuri e luajtshme: s’ka | Para të gatshme: 1,007 €;

Ardiana Musliu-Shoshi – Pasuri e paluajtshme: 195 mijë € | Pasuri e luajtshme: 30 mijë € | Para të gatshme: 2,024 €;

Bekim Haxhiu – Pasuri  e paluajtshme: 415 mijë e 802 € | Pasuri e luajtshme: 74 mijë e 800 € | Para të gatshme: 17 mijë e 237 €;

Blerta Deliu-Kodra – Pasuri e paluajtshme: 1 milion e 340 mijë € | Pasuri e luajtshme: 50 mijë €| Para të gatshme: 48 mijë e 387 €;

Eliza Hoxha – Pasuri e paluajtshme: s’ka | Pasuri e luajtshme: 6 mijë e 800 € | Para të gatshme: 27 €;

Elmi Reçica – Pasuri e paluajtshme: 400 mijë e 760 € | Pasuri e luajtshme: 22 mijë e 500 € | Para të gatshme: 20 mijë e 734 €;

Enver Hoxhaj – Pasuri e paluajtshme: 541 mijë e 956 € | Pasuri e luajtshme: 9 mijë e 500 € | Para të gatshme: 6 mijë e 119 €;

Ferat Shala – Pasuri e paluajtshme: s’ka | Pasuri e luajtshme: 35 mijë €  | Para të gatshme: 77 mijë €;

Floretë Zejnullahu – Pasuri e paluajtshme: 823 mijë e 800 € | Pasuri e luajtshme: 82 mijë € | Para të gatshme: 8 mijë e 353 €;

Ganimete Musliu – Pasuri e paluajtshme: s’ka | Pasuri e luajtshme: s’ka | Para të gatshme: 933 €;

Hajdar Beqa – Pasuri e paluajtshme: 968 mijë € | Pasuri e luajtshme: s’ka | Para të gatshme: 8 mijë €;

Hisen Berisha – Pasuri e paluajtshme: 2 milionë e 410 mijë € | Pasuri e luajtshme:   61 mijë €  | Para të gatshme: 1 mijë e 759 €;

Isak Shabani – Pasuri e paluajtshme: 110 mijë  € | Pasuri e luajtshme: 8 mijë e 150 € | Para të gatshme:  27 mijë e 715 €;

Memli Krasniqi – Pasuri e paluajtshme: 270 mijë € | Pasuri e luajtshme: 42 mijë €  | Para të gatshme: 11 mijë e 655 €;

Mërgim Lushtaku – Pasuri e paluajtshme: s’ka | Pasuri e luajtshme: 9 mijë e 900 € | Para të gatshme:   35 mijë e 500 €;

Rashit Qalaj – Pasuri e paluajtshme:  145 mijë €  | Pasuri e luajtshme: 12 mijë e 500 € | Para të gatshme:18 mijë e 872 €;

Xhavit Haliti – Pasuri e  paluajtshme: 1 milion  e 20 mijë € | Pasuri e luajtshme: 30 mijë € | Para të gatshme: 138 mijë e 193 €.

Për të verifikuar informacionet e publikuara në këtë artikull, ju ftojmë që të klikoni KËTU.

Tjera nga autori:
1