<b></b> Edhe këtë vit njëjtë, kryeministri Kurti i mbështet homoseksualët vetëm në gjuhën angleze

Edhe këtë vit njëjtë, kryeministri Kurti i mbështet homoseksualët vetëm në gjuhën angleze

17.05.2022 22:00

Tema e homofobisë, por edhe kërkesa për barazi ligjore dhe mos diskriminim ndaj komunitetit LBGTQ+ gjithnjë ngjall reagime të shumta në Kosovë. Duket se këtë kontekst e njeh mirë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili gjithmonë e përkujton ditën ndërkombëtare të homofobisë vetëm në gjuhën angleze. Madje, ai me kujdes përzgjedh edhe rrjetin social ku uron për këtë ditë. Është Twitter-i, platformë në të cilin Kurti ka saktësisht 440 mijë ndjekës më pak se në Facebook.

Njëjtë Kurti ka vepruar edhe më këtë 17 maj, datë në të cilën shënohet dita ndërkombëtare kundër homofobisë, biofobisë, interfobisë dhe transfobisë, që njihet me akronimin IDAHOBIT.

Në mbrëmje, Qeveria e Kosovës është ‘ngjyrosur’ me ngjyrat e flamurit të komunitetit LBGTQ+.

E për këtë Kurti ka shkruar në gjuhën angleze në Twitter, duke postuar fotografinë me një mbishkrim se kjo ditë kujton që të gjithë janë të barabartë pavarësisht orientimit seksual.

“Sot, ne shënojmë #IDAHOT, një ditë që na kujton se jemi të gjithë të barabartë – pavarësisht nga orientimi ynë seksual apo identiteti gjinor. Le të qëndrojmë së bashku kundër padrejtësive dhe paragjykimeve, sot dhe çdo ditë”, shkroi Kurti në Twitter në gjuhën angleze.

Por, Kurti nuk veproi njëjtë edhe në Facebook, rrjet social ku kreu i ekzekutivit është jashtëzakonisht popullor.

510 mijë ndjekësve të tij në Facebook, e ku përgjithësisht ndiqet nga shqiptarët, nuk u tregoi se ndërtesa e Qeverisë që ai udhëheqë është stolisur me ngjyrat e flamurit të komunitetit LBGTQ+. Këtë ai nuk e bëri as në gjuhën shqipe e  as në atë angleze. Pra, Kurti nuk uroi farë për nder të ditës ndërkombëtare kundër homofobisë.

Të njëjtën politikë ‘urimi’ e ‘përkujtimi’, Kurti e ka ndjekur vazhdimisht në lidhje me temën e homoseksualëve. Për çdo vit e kurdo që përkujtohet dita ndërkombëtare kundër homofobisë, Kurti shkruan vetëm në gjuhën angleze, duke anashkaluar gjuhën shqipe.

Por, Kurti vepron ngjashëm edhe për ditën e krenarisë, gjatë secilës komuniteti LGBTQ+ marshon në Prishtinë. Ndonëse vitin e kaluar Parada e Krenarisë ishte organizuar nën patronatin e Zyrës së Kryeministrit, Kurti si kryeministër nuk kishte marrë pjesë në të dhe vetëm pas presionit publik ishte ndriçuar ndërtesa e Qeverisë.

Madje, marshuesit i dërguan mesazh kryeministrit Kurti duke e pyet se pse nuk ka marrë pjesë në këtë paradë.

E Kurti kishte përzgjedhur rrjetin social Twitter, ku është i ndjekur nga 70 mijë persona, të shkruante në lidhje me këtë ngjarje. Përsëri, vetëm në gjuhën angleze, duke anashkaluar gjuhën të cilën e flasin votuesit e tij.

Kujtojmë që Kurti vazhdimisht i është shmangur deklarimit në lidhje me çështjen e komunitetit LGBTQ+. Megjithatë, së fundmi, ai e bërë të qartë qëndrimin e tij përkitazi me këtë temë.

Ishte çështja e bashkësisë civile të seksit të njëjtë që e ‘detyroi’ Kurtin të fliste për punën e të drejtave të këtij komuniteti.

Projekt-kodi Civil, një nismë ligjore e Ministrisë së Drejtësisë, e cila u kundërshtua nga shumë deputetë të VV-së, parti që e udhëheqë Kurti, parashihte të drejtën e bashkësisë civile të seksit të njëjtë.

Në deklarimin e tij, Kurti i ftoi deputetët të votonin projekt-kodin civil.

“Pra, Kodi nuk mjafton. Kjo është plotësisht në përputhje me Kushtetutën e cila nuk lejon asnjë diskriminim, përfshirë këtu edhe diskriminimin gjinor. Duhet të theksoj gjithashtu se Kodi nuk rregullon martesat mes të njëjtës gjini. Kjo ndryshon nga shoqëria civile e regjistruar sepse kjo e fundit mundëson vetëm bashkëjetesë, e jo forma të tjera të funksionit familjar”, ​ theksoi kryeministri Kurti.

Kujtojmë që projekt-kodi civil nuk u miratua pasi shumë deputetë të Vetëvendosjes nuk e dëgjuan Kurtin dhe votuan kundër kësaj nisme.

Ndryshe, më 17 maj 1990, Organizata Botërore e Shëndetësisë kishte larguar nga lista e sëmundjeve mendore homoseksualitetin.

Kjo ditë shënohet si Dita Ndërkombëtare kundër homofobisë, bifobisë, interfobisë dhe transfobisë, që njihet me IDAHOBIT.

Në Kosovë për herë të parë është mbajtur në vitin 2007, kur personat e komunitetit ende vepronin nën hije, nga frika e diskriminimit dhe paragjykimit.

Ndërsa, në vitin 2014, 2015 dhe 2016 pikërisht në ketë ditë janë mbajtur marshime në sheshin e Prishtinës, ku dhe i ka paraprirë Paradës së parë të Krenarisë, e cila tashmë është rikthyer në një manifestim të përvitshëm.

Tjera nga autori:
1