<b></b> Kryetari i Gjilanit u fut ku s’duhej, akuza të rënda për bursat e studentëve në Gjilan

Kryetari i Gjilanit u fut ku s’duhej, akuza të rënda për bursat e studentëve në Gjilan

13.06.2022 17:59

Gentrit Murseli, LDK, ka akuzuar udhëheqjen komunale në Gjilan për ndërhyrje në procesin e shpërndarjes së bursave për studentë. Murseli, që është anëtar i Komisionit të Bursave, i ka treguar gazetës Nacionale se procesi i punës është ndaluar. 

Deri te kjo ka ardhë pasi në zyren ku ka punuar komisioni janë futur persona të paautorizuar dhe kanë prekur dosjet e aplikantëve. E personi që është futur aty është vetë i pari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni.  

“Kryetari i Komunës, Alban Hyseni, ka mbajtur takim në zyrën e Komisionit të Bursave, më datë 8 qershor. Në atë zyrë kanë qenë dosjet e studentëve aplikues, të cilat janë zhvendosë, e po ashtu edhe llaptopi ku kanë qenë të proceduara disa prej dosjeve,” tha Murseli për Nacionalen, duke shtuar se deri në atë moment afër 40 për qind të dosjeve ishin proceduar në llaptop. 

Ai shton se pos që zhvendosja e dosjeve ka kthyer procesin në pikën fillestare, kjo edhe ka ngritur dyshime tek ta. E duke u gjendur në këto rredhana, Murseli insiston se komisioni s’mund të vazhdojë punën sikur mos të kishte ndodhur asgjë, pasi dikush duhet të marrë përgjegjësi dhe kështu të mos kompromentohet puna e komisionit. 

Gentrit Murseli tha se futja e kryetarit Alban Hyseni është e dëshmueshme edhe me fotografi, e po ashtu as kryetari s’është që e ka mohuar se është futur në Zyrën e Komisionit të Bursave. 

Futjen e kryetarit Hyseni në zyrën ku ishte duke punuar komisioni e ka pohuar edhe Ismajl Kurteshi, anëtar i Vetëvendosjes dhe Kryesues i Komisionit për Bursa. 

“Ditën që zyra ka mbetur e hapur për shkak të harresës time, ishte përdorur nga Kryetari i Komunës, i cili e kishte mbajtur një takim me persona me nevoja të veçanta, me ç’rast dokumentet e shpërndara në tavolinë i kishin bërë bashkë në një tavolinë tjetër brenda zyrës, pa e ditur se në atë zyrë nuk do të duhej të hynte askush. Për këtë veprim të paqëllimshëm, Kryetari i Komunës dhe Kryesuesi i Kuvendit i kanë kërkuar falje Komisionit”, ka thënë Ismajl Kurteshi.  

Anëtarët e LDK-së në Komisionin e Bursave kanë kërkuar që të bëhet një procesverbal dhe të merret përgjegjësi për këto ndodhi.   

“Ne i kemi kërku kryesuesit Kurteshi që të bëhet një procesverbal që duhet të nënshkruhet nga të gjithë akterët [që kanë zhvendosë dosjet] në mënyrë që komisioni të vazhdojë punën dhe të bëhet sa më shpejt publikimi i listës me studentët fitues të bursave”, tha Murseli për gazetën Nacionale. 

Sipas tij, në këtë mënyrë do të merrej përgjegjësia nga ata që prekën dosjet, dhe kjo do të largonte dyshimet se mund të ketë pasur keqpërdorime apo ndërhyrje të tjera. 

Ndërkaq, Vetëvendosje ka akuzuar LDK-në se përmes këtij veprimi po tentojnë të përfitojnë politikisht, duke dëmtuar studentët. 

"Qëllimi i tyre [Vetëvendosjes] është të na lënë fajin se s'po dojmë të punojmë dhe t’i shpërndajmë bursat. Çka nuk është aspak e vërtetë. Ne po kërkojmë rregull, respektim të Rregullores [për shpërndarjen e bursave] dhe të hiqen dyshimet e të merret përgjegjësia nga ata që prekën dosjet", i tha Nacionales Gentrit Murseli, anëtari i Komisioni të Bursave nga LDK-ja.

Tjera nga autori:
1