Mëngjesi i 21 qershorit, ishte pjellor. Ai solli një marrëveshje të re mes Kosovës e Serbisë, e që për synim ka faturimin e energjisë elektrike të shpenzuar në veri të vendit. Por, e marta ishte edhe dita kur kryeministri Albin Kurti u përballë edhe një herë me të kaluarën e tij. Më saktësisht, me deklaratat e kritikat që i kishte bërë në adresë të Qeverive Thaçi e Mustafa.
Pasdite, kryeministri Kurti i doli edhe një video sa ishte opozitar, teksa fliste për KEDS-in dhe mbledhjen e faturave të energjisë në veri të vendit.
“Nëse KEDS-i nuk i mbledh faturat nëpër Veri, atëherë duhet të kthehet në pronë publike shpërndarja dhe furnizimi. Nëse se bën KEDS-i, duhet ta bëjë qeveria”, deklaronte Kurti atëbotë.
Por, faturat nuk do t’i mbledh as KEDS-i e as Qeveria si theksonte Kurti dikur se duhej të behej.
Kompania që do të bëjë faturimin e rrymës në komunat veriore është nga Serbia.
Siç ka shkruar Nacionale, kompania “JP Elektroprivreda Srbije Beograd”, që do të inkasojë paratë e energjisë së shpenzuar në veri, është pronare e operatorit Elektrosever. Aksionare kryesore del të jetë hiç më pak se Republika e Serbisë.
Ndërsa, marrëveshja e re që u arrit sot, u bazua në dy marrëveshjet e mëparshme, të cilat Lëvizja Vetëvendosje e Kurti i kritikonin ashpër sa ishin në opozitë.
Në fakt, atëbotë VV opozitare e kishte shpallur “legalizimin” e Serbisë në Kosovë, e cila gjë, sipas tyre, po arrihej pas marrëveshjes së vitit 2015.
Nga legalizimi i Serbisë në “shtrat” me Thaçin e Mustafën
Ishte shtatori i vitit 2015, kur në një konferencë për media, VV kishte kritikuar të njëjtën marrëveshje, mbi të cilën u bazua marrëveshja e nënshkruar nga kryenegociatori Besnik Bislimi dhe ai serb, Petar Petkoviq.
“Marrëveshja për energjinë legalizon ndikimin e Serbisë, pamundëson unifikimin me Shqipërinë”, shkruante VV me SHKRONJA TË MËDHA.
“Lidhur me çështjen e pronës brenda territorit të Kosovës, që theksohet në këtë marrëveshje, Qeveria e Kosovës ka pranuar që të jenë dy mendime të kundërta për pronësinë, mendime këto që sipas marrëveshjes kanë legjitimitet të barabartë dhe të plotë”, shkruante tutje VV.
7 vite më pas, VV në pushtet ka tjetër qëndrim. Ata tashmë marrëveshjet që dikur legalizonin Serbinë, i kanë pranuar si platforma mbi të cilat duhet të bazohet marrëveshja e arritur sot.
Por, pranimi i marrëveshjeve të mëparshme të nënshkruara nga qeveritë e kaluara, simbolikisht ka “pajtuar” Kurtin me ish-presidentin Hashim Thaçi e ish-kryeministrin Isa Mustafa.
Kapërcimi i madh
Kurti ka bërë edhe një kapërcim të madh politik, të përmasave të Rubikonit.
Megjithatë, ky kapërcim u tentua të kamuflohej nga figura të rëndësishme të VV-së, të cilët harruan çfarë kishin deklaruar vite më parë, duke shpërthyer në urime për marrëveshjen.
Por, kritikët e tij i përmendën të kaluarën kryeministrit.
“Por, Kryeministri Kurti në kohën kur ishin arritur këto dy marrëveshje, i kishte cilësuar si marrëveshje që legalizojnë ndikimin e Serbisë në Kosovë. Sot, qytetarët e Kosovës, duhet ta dëgjojnë nga vet ai, nëse këto dy marrëveshje, të pranuara pa asnjë ndryshim e të proklamuara me plot meritë, do ta legalizojnë apo jo ndikimin e Serbisë në Kosovë”, shkroi kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.
“E shoh edhe si lajm i mirë edhe si lajm i keq. Lajm i mirë është se përfundimisht kryeministri i Kosovës bashkë me këtë Qeveri po e kuptojnë që ata që e kemi bërë në të kaluarën, që është në dobi të qytetarëve të Kosovës, dhe e shoh si lajm të keq se kundërshtimi i tyre dhe pasiguria e tyre politike e kanë zvarritur procesin 7 vjet. Kjo është marrëveshje që e kemi diskutuar prej vitit 2015 kur e kemi nënshkruar dhe kur është miratuar dhe konsideroj që zbatimi i saj do të mundësoj integrimin e plotë të sistemit energjetik duke përfshirë edhe faturimin e drejtë. Shpresoj që detajet t’i japë Qeveria dhe jo ne”, tha Memli Krasniqi, kryetar i PDK-së.