<b></b> Kurti fluturoi mbi dhjetë herë jashtë Kosovës më 2022: Darka në Berlin, takimi më i rëndësishëm

Kurti fluturoi mbi dhjetë herë jashtë Kosovës më 2022: Darka në Berlin, takimi më i rëndësishëm

07.06.2022 17:03

Viti 2022 filloi goxha mbarë sa i përket numrit të vizitave që kryeministri Kurti i zhvilloi nëpër vende të ndryshme të botës. Themi mbarë, sepse që nga data 18 shkurt e këtij viti, kur ishte edhe vizita e parë e tij për vitin kalendarik të ri, kryeministri Kurti, gjithsej për 5 muaj, ka zhvilluar mbi dhjetë udhëtime. Por, shtrohet pyetja, sa të frytshme ishin këto shkuarje e ardhje?

Muaji janar i vitit 2022 kryeministrin nuk e gjeti në aeroplan, zakonshëm siç jemi mësuar ta shohim muajt e fundit. Në këtë muaj, Kurti kishte vendosur që të mos udhëtonte, ose të paktën nuk ishte ftuar nga askush për ndonjë vizitë ose pjesëmarrje në ndonjë forum.

18 shkurt

Konferenca e Mynihut ishte ajo e datës 18 shkurt, kur Kurti udhëtoi për të marrë pjesë në të, e ku qëndroi për dy ditë.

Në këtë vend të Gjermanisë, kryeministri u takua me ministra të dikastereve të ndryshme, që i takonin shtetit gjerman. Por, asnjëri nga liderët, as Kurti e Osmani nuk u takuan me krerët e lartë të SHBA-së, më saktësisht presidentin Joe Biden, zëvendëspresidenten Kamala Harris dhe sekretarin Antony Blinken, të cilët po merrnin pjesë në këtë Konferencë.

E kjo bëri që politikanët e analistët në vendin tonë, të cilësojnë këtë mostakim si “injorim” të radhës të Shteteve të Bashkuara, ndaj tyre.

FOTO 1: Kurti në Konferencë të Mynihut

28 shkurt

Dhjetë ditë pas këtij udhëtimi, më 28 shkurt, Kurti ishte nisur për në Londër, për të marrë pjesë në Samitin e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

E tek pas dy javësh, ishte Turqia destinacioni i radhës i kryeminstrit për të marrë pjesë në ditën e dytë të Forumit për Diplomaci në Antalia, vetëm për një ditë. Kjo pasi që ditën e parë, Kurti anuloi shkuarjen atje, si shkak i ngritjes së çmimeve në Kosovë, gjë kjo e cila krijoi një situatë paksa të jashtëzakonshmë në vend.

28 mars dhe 7 prill

Ndërsa më 28 mars dhe 7 prill, kryeministri i vendit, Albin Kurti, udhëtoi për vizita zyrtare në Norvegji dhe Greqi.

Në Norvegji takimi i tij ishte me kryeministrin norvegjez, Jonas Gahr Store, dhe zyrtarë të tjerë të lartë. Ndërsa në vendin që ende nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, Greqinë, ishte për të marrë pjesë në Forumin Ekonomik Delphi, ku qëndroi për tri ditë.

Veçanërisht i çuditshëm ishte takimi në Norvegji, ku kryeministri i këtij vendi i kishte shprehur zhgënjimin në fytyrë – gjë e cila nuk shihet si sjellje aq diplomatike.

Kurtit i ndodh më zi se Besnik Bislimit: KM i Norvegjisë shpreh zhgënjimin me të pas takimit

FOTO 2: Kurti në takim me kryeministrin norvegjez

27 prill

Vdekja e ish-sekretares amerikane të Shtetit, Medeleine Albright, ishte arsyeja pse Kurti vizitoi Amerikën për herë të parë si kryeministër i Kosovës më 27 prill. Por, veç për të marrë pjesë në këtë ceremoni njëditore dhe për t’i zhvilluar disa muhabete të shkurtra në korridoret e Katedrales, me sekretarin e Shtetit, Blinken, ish-presidentin Bill Clinton dhe persona të tjerë, ku edhe shfrytëzoi rastin që të bënte fotografi me ta.

Kjo vizitë njëditore ishte parapërgatitje për vizitën 18-ditore të tij të ardhshme në këtë vend. Pasi që ngjashëm, takimet e tij në udhëtimin më të gjatë të ndonjë kryeministri ndonjëherë, u zhvilluan në korridore me pak e hiç njerëz të rëndësishëm të SHBA-së.

FOTO 3: Kurti dhe Osmani në koridorin e Katedrales gjatë ceremonisë së vdekjes të Medeleine Albright

4 maj

Por, paraprakisht, kryeministri i Kosovës kishte udhëtuar edhe drejt Berlinit ku kishte takuar kancelarin e Gjermanisë Olaf Scholz.

Në mbrëmjen e asaj dite, ai do të takohej joformalisht për darkë me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiqin dhe me ndërmjetësin Mirosllav Lajçak.

6 maj

Udhëtimi i tij i 6 majit për në Amerikë, mund të themi se është një ndër udhëtimet më të komentuara ndonjëherë, të një kryeministri nga Kosova.

Kjo pasi që për 15 ditë qëndrimi atje, kryeministri nuk ia doli të zhvillojë takime me presidentin Biden, zëvendëspresidenten Kamala Harris, ose edhe sekretarin Antony Blinken.

Takimi i tij i vetëm pak më “madhor”, ishtë ai me këshilltarin për Siguri Kombëtare, Jake Sullivan.

Por, Sullivan e priti Kurtin jo në zyrën e tij, e cila gjindet në Shtëpinë e Bardhë, por në një zyrë tjetër që është në kompleksin e Shtëpisë së Bardhë.

FOTO 4: Kryeministri në takim me këshilltarin për Siguri Kombëtare

Kjo vizitë e gjatë e kryeministrit në SHBA, mund të mbahet në mend për takimet me korporata amerikane, mërgatën, si dhe një dasëm në të cilën kishte marrë pjesë Kurti si kryeministër.

FOTO 5: Kurti në një ahengë në Amerikë me mërgimtarë

21 maj

E pak ditë para se të përfundonte vizita e tij në Amerikë, Kurti ishte pjesëmarrës edhe në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës.

Gjatë kësaj pjesëmarrje në këtë Forum, Kurti ishte takuar me disa drejtues të ndërmarrjeve atje si dhe kishte vizituar një prodhues Zviceran të çokolatës, dhe mërgatën.

FOTO 6: Kurti bashkë me gruan, Rita, në një fabrikë të çokolatave në Zvicër

3 qershor

3 qershor Kurti kishte udhëtuar drejt Sllovakisë për të marrë pjesë në Forumin e Bratisllavës GLOBSEC.

Në këtë forum kryetemë ka qenë invazioni dhe agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës, ashtu siç ishte edhe në vizitat e tjera.

6 qershor

Tek 3 ditë pas këtij udhëtimi, kryeministri u nis fluturim për në Britani të Madhe.

Zyra e Kryeministri ka njoftuar se do të zhvillojë takime të larta të nivelit të lartë, gjë për të cilën pritet të shihet.

Sot, Kurti është pritur nga ministri i Forcave të Armatosura të Mbretërisë së Bashkuar.

Nga krejt kjo përmbledhje e vizitave të liderit të vendit, shihet se takimet e nivelit të lartë kanë munguar. Madje edhe rezultatet për këto takime të realizuara.

Në vitin 2021 kur mori detyrën e kryeministrit, Kurti vizitën e nisi me Brukselin.

Udhëtimin e parë si kryeministër i ri i vendit, Kurti e kishte nisur më 28 prill, një muaj pas marrjes së mandatit, në Bruksel. Madje, Kurti ishte lavdëruar nga përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borell, që kishte zgjedhur Brukselin si udhëtimin e parë.

Pas këtij takimi, kryeministri kishte zhvilluar edhe 10 takime të tjera, si në Greqi, Kroaci, Paris, Bruksel, etj.

Tjera nga autori:
1