Kurti edhe më tutje nuk shkeli në Shtëpi të Bardhë, ky është vendi ku u mbajt takimi me Sullivan - NACIONALE

Kurti edhe më tutje nuk shkeli në Shtëpi të Bardhë, ky është vendi ku u mbajt takimi me Sullivan

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka 13 ditë që është duke qëndruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Të martën e 17 majit, Kurti pati një takim të rëndësishëm për nga profili i zyrtarit që e priti shefin e ekzekutivit kosovar. Ai takoi këshilltarin për Siguri Kombëtare, Jake Sullivan, për të cilin takim informuan edhe Qeveria e Kosovës dhe Shtëpia e Bardhë nëpërmjet komunikatave për media.

Por, ajo që ra në sy ishte vendi ku Kurti e Sullivan u fotografuan së bashku. Ndonëse zakonisht fotografitë ndodhin në zyrë gjatë takimit, ajo e Kurtit e Sulliven është shkrepur në një korridor pranë shkallëve.

Përveç kësaj, Kurti nuk hyri as në Shtëpi të Bardhë, ku është Zyra Ovale e Presidentit Biden.

Siç merr vesh Gazeta Nacionale, Sullivan e priti Kurtin jo në zyrën e tij, e cila gjindet në Shtëpinë e Bardhë, por në një zyrë tjetër që është në kompleksin presidencial.

Kryeminsitri Kurti u prit në objektin tjetër që është afër Shtëpisë së Bardhë. Kurti e realizoi takimin me këshilltarin e Presidentit Joe Biden saktësisht në zyrën ekzekutive të vjetër.

Por, çfarë u tha pas takimit?

Dy komunikata u lëshuan pas takimit.

Qeveria Kurti përmes një komunikate theksoi se gjatë takimit me Sullivan, Kurti thuhet të ketë theksuar nevojën e një dialogu parimor mes Kosovës dhe Serbisë. Ky dialog parimor, sipas komunikatës, duhet të respektojë barazinë e palëve në bisedime dhe në qendër të marrëveshjes duhet të ketë njohjën e ndërsjellë.

Duke theksuar se Qeveria e Kosovës është e vendosur se kushtetutshmëria, integriteti territorial, sovraniteti dhe ligjshmëria të ngelen të pacenuara, kryeministri Kurti ritheksoi se dialogu ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë dialog parimor që respekton barazinë e palëve në bisedime dhe që në qendër të marrëveshjes ka njohjen e ndërsjellë”, thuhet në komunikatën e Qeverisë së Kosovës.

Tutje, aty përmendet edhe çështja e agresionit rus në Ukrainë.

Gjatë takimit u diskutua për invazionin dhe agresionin në Ukrainë dhe përpjekjet destabilizuese të Rusisë dhe të zgjatimeve të saj në rajon. U bisedua për rreshtimin e Republikës së Kosovës me ShBA-në dhe botën demokratike në dënimin e invazionit dhe agresionit ushtarak rus në Ukrainë dhe vendosjen e sanksioneve ndaj Federatës Ruse", thuhet tutje në komunikatë.

Adrien Wastson, zëdhënësja e Jake Sullivan, ka lëshuar një komunikatë për media, duke ofruar detaje nga takimi ndërmjet këshilltarit kryesor të presidentit amerikan dhe Kurtit.

Në komunikatë, theksohet se Sullivan priti kryeministrin Kurti për t’i shprehur mirënjohjen për pritjen e refugjatëve afgan në Kosovë.

Tutje, sipas komunikatës, në takim është diskutuar edhe për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, duke theksuar se Sullivan ka shprehur përkrahjen e SHBA-së për dialogun e drejtuar nga BE-ja.

Njëjtë si komunikata e Qeverisë Kurti, edhe ajo e amerikanëve sqaron se dialogu duhet të bëhet me synim për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit të raporteve ndërmjet dy shteteve.

Ata diskutuan gjithashtu stabilitetin në Ballkanin Perëndimor, me z. Sullivan i cili ka shprehur mbështetjen e SHBA-së për Dialogun e lehtësuar nga BE-ja për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe nevojën për përparim të mëtejshëm në çështjet kyçe të pazgjidhura”, thuhet në komunikatë.

Kujtojmë që kryeministri Kurti po qëndron që nga 6 maji në ShBA, ku ka takuar biznese amerikane, mërgatën kosovare dhe ka realizuar pak takime zyrtare.

Megjithatë, Kurti është lavdëruar për “gjatësinë” e vizitës së tij në Amerikë, duke theksuar se qëndrimi i tij në “tokën e premtuar” është më e gjata ndonjëherë e ndonjë kryeministri kosovar.

Lajme të ngjashme