Kurti, ministrave për udhërrëfyesin me Serbinë: Kemi trashëguar gjëra që s'i kemi dashur

Kurti, ministrave për udhërrëfyesin me Serbinë: Kemi trashëguar gjëra që s'i kemi dashur

22.06.2022 11:44

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur për herë të parë për marrëveshjen që u nënshkruar të martën mes Kosovës dhe Serbiës për energjinë.

Kryeministri Kurti në mbledhjen e qeverisë, tha disa fjalë edhe për udhërrëfyesin e nënshkruar të martën.

Kurti përsëri fajsoi qeveritë e kaluara për marrëveshjet që i kanë trashëguar nga ta duke përfshirë edhe marrëveshjen për energjinë.

Udhërrëfyesi i dakorduar në takimin e djeshëm në Bruksel do ta mundësojë këtë. Bashkimi Evropian do ta mbikëqyrë zbatimin e këtij dakordimi. E me zbatimin e këtij udhërrëfyesi, do të mundësohet përfundimi definitiv i një problematike të trashëguar, tё pagesës sё energjisë nё katër komunat nё veri tё vendit. Kemi trashëguar shumë gjëra që nuk kemi dashur. Po bëjmë më të mirën me atë çfarë kemi trashëguar. Siç jemi zotuar, pas 20 vitesh po e ndalim një padrejtësi dhe gjakderdhje financiare në atë pjesë të vendit dhe po përfundojmë një problematikë në sektorin e energjisë”, tha Kurti. 

Kurti tha se në Strategjia e Energjisë 2022 – 2031 e Qeverisë e ka si pikë edhe zbatimin e udhërrëfuesit të nënshkruar me Serbinë.

Kurti po ashtu, premtoi se do të punojë për një të ardhme me të qëndrueshme në sektorin e energjisë.

Ndërkohë, delegacioni serb dhe ai kosovar kanë arritur marrëveshje për sektorin e Energjisë, bazuar në dy marrëveshjet e arritura në vitin 2013 dhe 2015. Kjo është titulluar si “udhërrëfyes” për zbatimin e marrëveshjeve në fjalë.

Ky udhërrëfyes ka gjithsej nëntë pika e në të cilën përfshihet operatori i energjisë nga Serbia, Elektroserver, e i cili do të ofrojë shërbime të distribuimit, mbledhjes, mirëmbajtjes dhe lidhjes fizike të konsumatorëve të rinj për katër komunat me shumicë serbe në veri të vendit.

Sipas të dhënave të Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës [ARBK], kompania “JP Elektroprivreda Srbije Beograd” është pronare e operatorit Elektrosever. Kjo e fundit do të faturojë rrymën në veri, dhe aksionare kryesore del të jetë hiç më pak se Republika e Serbisë.

Në faqen zyrtare të kësaj ndërmarrjeje, nëse klikoni për të kuptuar më shumë në informatat për kompaninë e cila do t’i mbledhë faturat në veri, thuhet se ajo është themeluar nga Qeveria e Serbisë.

Themelues i Elektroprivreda Srbije është Republika e Serbisë, dhe të drejtat ushtrohen nga Qeveria e Republikës së Serbisë. Organet e ndërmarrjes Publike të Industrisë së Energjisë Elektrike janë Bordi dhe Drejtori. Bordi mbikëqyrës dhe Drejtori emërohen nga Qeveria e Republikës së Serbisë. Ndërmrrja ka shtatë anëtarë të zgjedhur nga Drejtori”.

Ndërkohë, pala serbe e ka parë si fitore nënshkrimin e këtij udhërrëfyesi.

Kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, ka komentuar sërish udhërrëfyesin për zbatimin e marrëveshjes së energjisë.

Mediat serbe citojnë televizionin publik, ku Petkoviq ka thënë se kanë marrë zotime nga Besnik Bislimi për nisjen e diskutimeve për Asociacionin.

“Besnik Bislimi ka thënë hapur para Lajcak se Kosova është e gatshme të fillojë diskutimin për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, kur të arrihet marrëveshja për energjinë”, ka thënë Petkoviq, shkruan portali Kosovo-Online.

Ne arritëm të biem dakord për energjinë me udhërrëfyesin, që do të thotë se rruga është e hapur për bisedimet për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe”, deklaroi më tutje ai.

Edhe Lista Serbe dje theksoi se zbatimi i marrëveshjes për energjinë, i hap rrugën Asociacionit.

Ndërkaq, Kurti iu publikuan deklaratat kur e quante si të dëmshme marrëveshjen për energjinë me Serbinë. 

“Marrëveshja për energjinë legalizon ndikimin e Serbisë, pamundëson unifikimin me Shqipërinë”, shkruante VV në vitin 2015.

“Lidhur me çështjen e pronës brenda territorit të Kosovës, që theksohet në këtë marrëveshje, Qeveria e Kosovës ka pranuar që të jenë dy mendime të kundërta për pronësinë, mendime këto që sipas marrëveshjes kanë legjitimitet të barabartë dhe të plotë”, shkruante tutje VV.

Tjera nga autori:
1