<b></b> Kurti përballë parimeve apo Albini që ndryshoi

Kurti përballë parimeve apo Albini që ndryshoi

21.06.2022 23:11

Zbrapsja nga parimet dhe insistimi i Vetëvendosjes për tu krenuar me diçka që e kundërshtonte ashpërsisht, është pothuajse kritika kryesore që e përballë kryeministrin Albin Kurti me kundërshtarët e tij.

Deklaratat dhe parimet e VV-së e Kurtit si opozitar, u ballafaquan përballë një sfide edhe sot dhe është përsëri Brukseli, që shpërfaq një Vetëvendosje tjetër për dallim nga ajo opozitare.

Delegacioni serb dhe ai kosovar kanë arritur marrëveshje për sektorin e Energjisë, bazuar në dy marrëveshjet e arritura në vitin 2013 dhe 2015. Kjo është titulluar si “udhërrëfyes” për zbatimin e marrëveshjeve në fjalë.

Ky udhërrëfyes ka gjithsej nëntë pika e në të cilën përfshihet operatori i energjisë nga Serbia, Elektroserver, e i cili do të ofrojë shërbime të distribuimit, mbledhjes, mirëmbajtjes dhe lidhjes fizike të konsumatorëve të rinj për katër komunat me shumicë serbe në veri të vendit.

Pa u hequr asnjë pikë dhe asnjë presje, zëvendëskryeministri i Kosovës Besnik Bislimi tha që do të zbatoheshin dy marrëveshjet e arritura nga Qeveria Thaçi II (2013) dhe Qeveria Mustafa (2015).

Mirëpo, dokumentet e nënshkruara nga kryeministrat paraardhës të Kurtit, kundërshtoheshin ashpërsisht.

Bazikisht, Vetëvendosje konsideronte që këto marrëveshje e rrisnin varësinë e Kosovës nga Serbia.

“Sa i përket çështjes së energjisë Serbia e do rrjetin, e do nënstacionin e Vallaqit, e do hidrocentralin dhe e do tërë liqenin e Ujmanit. Ndërkaq pozicioni i Kosovës, formaliteti i pronësisë së KEDS-it përmbi asetet e distribuimit të energjisë atje, kompania virtuale (Elektroserveri) e cila do të merr përsipër faturimin e energjisë elektrike, do ta merr përsipër edhe blerjen e energjisë elektrike, edhe furnizimin me energji elektrike, edhe do të ketë pronësi asetet, dhe si e tillë pra do ta merr çështjen e energjisë në duar të veta, për sa i përket asaj pjesë”, – shkruante Vetëvendosje në komunikatën e 9 shtatorit 2013 të quajtur “Nga marrëveshja me Serbinë tek lista “Srbija”.

I prerë në kundërshtim kishte qenë edhe vetë Kurti.

 “Nëse KEDS-i nuk i mbledh faturat nëpër Veri, atëherë duhet të kthehet në pronë publike shpërndarja dhe furnizimi. Nëse se bën KEDS-i, duhet ta bëjë qeveria”, deklaronte Kurti në atë botë.

Mirëpo, nëntë dhe përkatësisht shtatë vite pas kësaj marrëveshje, interpretimi i Vetëvendosjes dhe Kurtit për këtë marrëveshje, tashmë merr kahje tjetër. Marrëveshja e Bilsimit dhe Petkoviq-it, sipas Kurtit pretendohet se është bërë në baza parimore.

“Kjo është rezultat i punës sonë të palodhshme dhe i qëndrimeve tona parimore”, deklaroi Kurti para gazetarëve sot në lidhje me këtë marrëveshje.

Mirëpo, në të njëjtin deklarim, Kurti disi e pohon se kjo marrëveshje është në kundërshtim me qëndrimet e tij dhe të Lëvizjes Vetëvendosje në opozitë.

“Kemi trashëguar shumë gjëra që nuk i kemi dashur, por e kemi bërë më të mirën që mundemi e dimë në rrethanat që jemi”, deklaroi Kurti, duke e tradhëtuar gjuha disi, se megjithatë, kjo marrëveshje nuk është rezultat i qëndrimeve parimore.

Ç‘thoshte Kurti për ndryshim qëndrimesh

Parimi, si definicion në emërtim, është një përgjithësim themelor i pranuar si i vërtetë që përdoret si bazë për arsyetimin e sjelljeve njerëzore.

Mirëpo, në bazë të një deklarate të vitit 2019, sipas Kurtit, parimet vlejnë varësisht nga një kontekst i caktuar. Sipas tij, ato nuk kanë vlerë jashtë kohore.

Kur pyetej se a i qëndron një deklarate të vitit 2016, kur thoshte se nga ish-kryeministri Isa Mustafa nuk ofendohet “nga dikush që ka respekt” e që në negociata me LDK-në i referohej Isa Mustafës si “profesor Mustafa”, Kurti thoshte se “nuk pretendon që një deklaratë e tij në një kontekst të caktuar ka vlerë jashtë kohore”.

“Unë jam politikan, që vepron në një rrethanë të caktuar. Unë kam ndryshuar, por mua nuk më kanë ndryshuar idealet. Problemet që i kemi në Kosovë, nuk i kemi që kanë ndryshuar njerëzit, por që i kanë braktisur idealet”, thoshte Kurti, i cili më pas lëshohej në disa interpretime filozofike për t’i sqaruar apo arsyetuar ndryshimet e qëndrimeve.

“Janë dy rryma kryesore, por jo të vetme të etikës; Njëra është e Kantit (filozof gjerman) është Imperativi kategorik, pra normativiteti, deontologjia, dhe në anën tjetër është utulitarizimi i John Stuart Mill-it (filozof anglez). Pra, a jam unë në njërën prej këtyre?! Nuk mund të them që jam në asnjërën prej këtyre. Pra, po parimet, por jo i verbër ndaj dobisë. Për mu, parimi është i dobishëm, por jo e gjithë dobia. Vetëm provoni edhe një fije merrni vesh, se po provoj ta shpalos ta shpalos qenien time, sinqerisht”, deklaronte Kurti.

Kritikët e opozita i përmendën të kaluarën kryeministrit.

Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, deklaroi se qytetarët e Kosovës e meritojnë një sqarim nga Kurti për ndryshim qëndrimesh për marrëveshjen e sotme.

“Qytetarët e Kosovës, duhet ta dëgjojnë nga vet ai, nëse këto dy marrëveshje, të pranuara pa asnjë ndryshim e të proklamuara me plot meritë, do ta legalizojnë apo jo ndikimin e Serbisë në Kosovë”, shkroi kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Ndërkaq, kreu opozitar, Memli Krasniqi, tha se kjo marrëveshje është “edhe lajm i mirë edhe i keq”. Sipas tij, Kurti po e kupton se marrëveshjet e kaluara kanë qenë në dobi të Kosovës, mirëpo kundërshtimi i Kurtit si opozitar, sipas Krasniqit e ka zvarritur procesin shtatë vjeçar.

 

Tjera nga autori:
1