Kurti flet përsëri për 25 mijë të punësuar, s'përmend çmimet e larta e shtrenjtimin e jetës - NACIONALE

Kurti flet përsëri për 25 mijë të punësuar, s'përmend çmimet e larta e shtrenjtimin e jetës

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kryeministri Albin Kurti ka ripërsëritur një fjali që sa herë e thotë shkakton valë reagimesh të shumta, shpeshherë e karakterizuar me kritikë të ashpër, e dorën në zemër edhe qeshje ironike. Këtë të hëne, i pari i ekzekutivit ka ri-thënë se gjatë qeverisjes së tij 1 vjeçare janë punësuar mijëra persona në Kosovë. Krahas saj, shefi i qeverisë kosovare nuk harroi të potencojë se nën udhëheqjen e VV-së, Kosova ka rritje ekonomike dyshifrore.

Këtë qëndrim qeveritar, Kurti e ritheksoi në një takim me presidentin e Këshillit të Bashkimit Evropian, Charles Michel, i cili qëndroi sot në Kosovë në një vizitë zyrtare.

I pari i Këshillit të BE-së ka mundur të mbetet i befasuar nga një deklaratë e Kurtit në takim. Pra, ajo se Kosova ka shënuar rritje ekonomike dyshifrore, përkundër krizës së madhe globale të shkaktuar nga pandemia.

Edhe investimet e huaja direkte, i tha Kurti mysafirit të tij, kanë pasur rritje gati një çerek si pasojë e qeverisjes së tij stabile.

Ky stabilitet ka sjellë edhe rritjen e indikatorëve ekonomikë, tha kryeministri dhe përmendi rritjen ekonomike prej 10,53 për qind, ngritjen e eksporteve për mbi 83 për qind, ndërsa të investimeve të huaja direkte rreth 22 për qind. Po ashtu janë rritur për 30 për qind të hyrat tatimore, të hyrat doganore për 31 për qind, ndërkohë që ekonomisë i janë shtuar 25,000 vende pune”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Qeveria Kurti.

E gjitha këto arritje që i thekson Kurti, duket ta kenë rritur apetitin e kryeministrit. Ai ia bëri të qartë shefit të Këshillit të BE-së se Kosova synon të aplikojë për statusin e vendit kandidatit për në BE deri në fund të vitit.

Kryeministri Kurti theksoi vullnetin dhe bindjen e fuqishme të popullit të Kosovës për të ardhmen evropiane dhe në Bashkimin Evropian dhe e njoftoi Presidentin Michel për aplikimin për statusin e vendit kandidat, që planifikohet të bëhet deri në fund të vitit. Ai tha se Qeveria e Republikës së Kosovës po angazhohet dhe është e përkushtuar për implementimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit”, shkruhet tutje në komunikatën e Qeverisë.

Por, Kurti ka kohë që nuk ka përmendur rritjen e çmimeve të shportës së konsumatorit kosovarë, që është një e vërtetë e përditshme.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës inflacioni është rritur në 12.5 për qind, teksa sipas indeksit të harmonizuar të çmimeve të konsumit është rritur për 0.9 për qind.

Në bazë të logjikës ekonomike, inflacionit i rritur nënkupton ngritje të çmimeve të konsumit dhe shërbimeve për qytetarët.

Se një gjë e tillë ka ndodhur tashmë në Kosovë, e konfirmojnë edhe vetë statistikat e publikuara nga ASK.

Sipas këtij institucioni, ngritja e çmimeve vërehet më shumë në bukë dhe drithëra, që janë produkte të konsumuara përditë nga kosovarët.

Këto produkte u rritën për 1.8 për qind, pasuar nga mishi 4.3 për qind, qumështi, djathi dhe vezët 0.5 për qind, vajrat dhe yndyrat ushqimore 5.2 për qind, pemët 5.4 për qind, sheqeri, reçeli, mjalti, çokollata dhe ëmbëlsirat 1.3 për qind.

Indeksi i tërësishëm i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit është më i lartë në një mesatare prej 0.9 për qind në muajin maj 2022 krahasuar me muajin prill 2022. Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit të bukës dhe drithërave me 1.8 për qind, mishi me 4.3 për qind, qumështi, djathi dhe vezët me 0.5 për qind, vajrat dhe yndyrat ushqimore me 5.2 për qind, pemët me 5.4 për qind, sheqeri, reçeli, mjalti, çokollata dhe ëmbëlsirat me 1.3 për qind, prodhime të ndryshme ushqimore salca, erëza kripë, ushqim për fëmijë me 2.3 për qind dhe kafja, çaji dhe kakao me 1.9 për qind”, thuhet në raportin e fundit të ASK-së.

E rritje ka edhe në sektorin e karburanteve dhe lubrifikantëve për pajisjet e transportit personal, të cilat kanë shënuar ngritje çmimesh prej 5.5 për qind.

Kujtojmë që ASK nuk ka publikuar të dhënat e papunësisë prej marsit të vitit 2021.

Siç ka shkruar kohë më parë Nacionale, për këtë mos publikim, ky institucion i pavarur nuk ka dhënë asnjë arsyeje se pse nuk i ka nxjerr këto të dhëna për më shumë se një vit.

Lajme të ngjashme