Kurti shprehet shumë i kënaqur me qeverisjen, në një fjalim ku fytyra e tij është thellë e pakënaqur (Video) - NACIONALE

Kurti shprehet shumë i kënaqur me qeverisjen, në një fjalim ku fytyra e tij është thellë e pakënaqur (Video)

1 vit më parë

nga NACIONALE

Këshilli i Përgjithshëm i Lëvizjes Vetëvendosje u mblodh sot me kryetarin e partisë Albin Kurti. Po ashtu, kjo mbledhje i dedikohej një-vjetorit të Qeverisë Kurti II dhe zgjedhjeve të brendshme në Vetëvendosje. Sidoqoftë, asgjë nuk është ashtu siç duket në shikim të parë!

Kryesuesi i këtij Këshilli ishte politikani i moçëm Hydajet Hyseni, i cili u shpreh i mallëngjyer për mungesën e Kurtit gjatë tri javëve të kaluara në vendin tonë.

“Edhe ai qëndrim i shkurtër, por i frytshëm përtej oqeanit bënte në një farë mënyre që të ndjehet mungesa, por unë jam i bindur që ajo që është sjellur pastaj vërtet është një fryt, një rezultat që na bën të gjithëve që të jemi krenar dhe këtë çështje do ta diskutojmë pak më vonë”, tha Hyseni.

Menjëherë më pas, fjala iu dha kryetarit të Vetëvendosjes.

“...ka qenë një vit sfidues për shkak të pandemisë, krizës globale energjetike, agresionit rus në Ukrainë dhe pasojave që të gjitha këto së bashku kanë prodhuar por megjithatë kemi arritur rezultate të mira duke i tejkaluar edhe parashikimet tona,” – u shpreh fillimisht kryeministri.

Ajo që la përshtypje të theksuar në këtë paraqitje të z. Kurti ishte fytyra e tij më e ngrysur se herëve tjera.

Më pas, ai vazhdoi duke treguar se sa e suksesshme kishte qenë Kosova në menaxhimin e pandemisë, në rritjen ekonomike, në drejtësi, luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe rritjen e aleancave me shtetet mike.

“Jam shumë i kënaqur,” – tha Kurti praktikisht me fytyrë mosvet të pakënaqur

Dhe, të gjitha këto i bëri po me atë fytyrë të ngrysur e cila shumicën dërmuese të kohës ishte e përqendruar te fjalimi që e lexonte.

Një sukses tjetër i përmendur nga Kurti ishte edhe “koordinimi i shkëlqyer institucional mes presidencës (Vjosa Osmani), Kuvendit (Glauk Konjufca) dhe kryeministrisë (Albin Kurti).”

Të nderuar delegatë, Kosova është bërë fanar i demokracisë dhe zhvillimit në rajon,” – ishte një tjetër fjali interesante e lexuar nga kryeministri Kurti.

Për ta mbështetur një pretendim të tillë, kryeministri përmendi edhe World Justice Project, në një rangim me të cilin dikur lavdërohej – ndër tjerë – edhe Kadri Veseli gjatë kohës sa partia e tij ndodhej në pushtet.

Po ashtu, Kurti foli edhe për hapjen e 25 mijë vendeve të reja të punës dhe përmirësimin e kushteve të punës për të gjithë punëtorët ekzistentë duke provuar – me të drejtë – të rriste besimin qytetar në shtetin e Kosovës, por përsëri duke shprehur pakënaqësi të thellë me fytyrën e tij.

“Të nderuar anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm, për një vit qeverisje, Kosova ka shënuar një sukses të jashtëzakonshëm dhe kjo falë punës dhe qëndrueshmërisë që kemi treguar të gjithë ne në tejkalimin e sfidave si institucione dhe si shoqëri.” - vazhdoi më tej Kurti me fjalë përgjithësuese.

Sipas tij, të gjitha matjet tregojnë në rritjen e besimit të qytetarëve në shtet. Por, nëse do të kishte matje me shprehjet fytyrore, atëherë ato s’do të ishin dhe aq të mira.

“Qytetarët nuk e kanë thjesht mendjen se paratë e tyre nuk po vidhen më, por po shohin që edhe po shpenzohen ato për ngritjen e mirëqenies dhe shanseve për të gjithë,” – vazhdoi Kurti me fytyrë të pakënaqur.

Amerikaaaa

Kryeministri përmendi edhe takimet që ka pasur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës duke e cilësuar vizitën (sic) dyjavore në këtë shtet si “të frytshme”.

Ai përmendi disa prej senatorëve, kongresmenëve dhe përfaqësuesve të administratës Biden që i kishte takuar në Amerikë, por duke e mbyllur fjalinë me “e tjera”.

“Në Kosovë do të shtohen edhe investimet, edhe siguria,” – përmbylli fjalën e tij për vizitën në Amerikë po me fytyrë të ngrysur z. Kurti.

Njofton ata që duhej ta njoftonin

Në pjesën e fundit të fjalimit z. Kurti foli për zgjedhjet e brendshme në Vetëvendosje.

Dhe... pikërisht në këtë pikë del një çështje mjaft e çuditshme në pah.

Kryeministri njofton anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm të partisë së tij për procesin zgjedhor të deritashëm në parti, ani pse do të duhej që ai të njoftohej nga ndonjëri prej anëtarëve për këtë çështje.

Është kryeministër, apo jo? Dhe më e rëndësishmja, anëtarët e partisë do të duhej ta dinin se si po shkon puna në parti e të informoheshin nga kryeministri për punën në kryeministri.

“Procesi ka filluar në dhjetë qendra, dhe janë organizuar zgjedhje në dyzet pika. Në të gjitha këto pika janë zgjedhur edhe drejtuesit dhe delegatët...” - njofton Kurti për zhvillimet në parti, partinë e tij.

Për më shumë, ju lëmë me videon e mëposhtme:

Lajme të ngjashme