<b></b> Kush është Vlora Çitaku, ministrja e jashtme në Qeverinë nën hije të PDK-së

Kush është Vlora Çitaku, ministrja e jashtme në Qeverinë nën hije të PDK-së

17.05.2022 23:38

Javë më parë, nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, në një audio-bisedë (podcast) për Gazetën Nacionale, paralajmëroi intensifikim të kundërshtimit të partisë më të madhe opozitare ndaj Qeverisë Kurti.

E gjatë ditës së sotme, Partia Demokratike e Kosovës njoftoi për themelimin e Kabinetit të Qeverisjes së Mirë duke theksuar se do të tentojë të ofrojë një alternativë qeverisëse të mirëfilltë kundrejt Qeverisë së kryeministrit Albin Kurti.

Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, ashtu siç edhe ishte konfirmuar ditë më parë, ka publikuar departamentet për Qeverisje të Mirë.

Ky kabinet do t'i ketë 15 departamente, të ndara, me secili përfaqësuesin e vet, por duke specifikuar faktin se drejtues nuk do të jenë vetëm anëtarë të Partisë Demokratike të Kosovës.

I pari i PDK-së ka bërë të ditur se Vlora Çitaku do të jetë në krye të departamentit për Punë të Jashtme në “Qeverinë në hije”.

Kush është Vlora Çitaku?

Vlora ÇItaku u emërua ambasadore e Kosovës në SHBA më 6 janar 2015.

Ajo ka punuar si gazetare dhe përkthyese për disa media perëndimore gjatë luftës së Kosovës 1998-1999.

Madje, në rolin e përkthyeses, ajo mori pjesë në Konferencën e Rambujesë.

Ajo e filloi karrierën e saj politike në PDK në vitet 1999-2000 si zyrtare e protokollit të Qeverisë dhe zëdhënëse e PDK-së në qeverinë e përkohshme.

Çitaku ka diplomuar në filozofi në Universitetin e Prishtinës dhe ka magjistruar në gazetari në vitin 2007. Ajo ka mbajtur poste të rëndësishme në qeveritë e Kosovës.

Çitaku ka shërbyer si deputete e PDK-së në Kuvendin e Kosovës nga viti 2007 deri në vitin 2010.

Ajo mori postin e udhëheqëses së komunikimit në ekipit negociator të procesit të Ahtisaarit në vitin 2007.

Para se të merrten pozitëm e ambasadores në SHBA, Çitaku shërbeu si Ministre e Punëve të Jashtme nga viti 2007 deri në vitin 2009 dhe si ushtruese detyre e ministres së Punëve të Jashtme nga viti 2009 deri në vitin 2010.

Ajo shërbeu si Ministre e Integrimit Evropian nga viti 2010 deri në vitin 2014. Çitaku ishte negociatorja kryesore për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit nga viti 2013 deri në 2014.

Gjithashtu, Çitaku ishte shefe e misionit diplomatik të Kosovës në Washington. 

Ajo u riaktivizua politikisht, duke u rikthyer në PDK, ku pas zgjedhjeve të 2021, ajo mori postin e nënkryetares.

Ndryshe, sot Memli Krasniqi, kryetar i PDK-së, ka prezantuar departamentet kryesore të Qeverisë nën hije të partisë që udhëheq. Por, ende nuk dihen emrat që do të drejtojnë këtë nismë të partisë më të madhe opozitare.

Tjera nga autori:
1