<b></b> LDK për skandalin e ryshfetit: Po e përcjellim me shqetësim, dyshimet për korrupsion janë bërë përditshmëri

LDK për skandalin e ryshfetit: Po e përcjellim me shqetësim, dyshimet për korrupsion janë bërë përditshmëri

02.06.2022 16:36

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka reaguar për herë të parë mbi skandalin me ryshfet që e zbardhi mbrëmë në episodin e tretë të Ditarit të Buzhalës, gazeta Nacionale.

Të pyetur nga Nacionalja për qëndrimin e tyre në lidhje me këtë skandal, partia opozitare thonë se “po e përcjellin me shqetësim ngjarjen”.

“Lidhja Demokratike e Kosovës është duke e përcjellë me shqetësim ngjarjen e fundit të raportuar nga mediat lidhur me skandalin e ryshfetit, i cili ka të bëjë me 30 mijë euro ryshfet veç për dërgimin e një emaili tek autoritetet se është kryer puna nga kompania ‘Infratek’ në rrugën Gjakovë-Dollc.” – thuhet në përgjigjen e kësaj partie politike për Nacionalen.

LDK shton se “rastet me dyshime korruptive kanë filluar të bëhen përditshmëri nga partia në pushtet, e cila erdhi në krye të vendit pikërisht si rezultat i premtimeve që qeverisja e tyre do të jetë ndryshe”.

Kujtojmë që për skandalin në fjalë Prokuroria ka nisur hetimet, derisa vazhdon heshtja nga ministri Liburn Aliu dhe kryeministri Albin Kurti.

Në anën tjetër nuk ka asnjë veprim institucional në formë shkarkimi të ministrit e madje as këshilltarit të tij.

LDK ka përshëndetur edhe nisjen e hetimeve nga Prokuroria në lidhje me çështjen në fjalë:

“LDK mirëpret nisjen e hetimeve nga Prokuroria dhe shpreson që sa më shpejt të zbardhet kjo aferë korruptive. Raportimet e mediave duhet të jenë një burim i mjaftueshëm dhe i rëndësishëm për të zbardhur të vërtetën jo vetëm në rastet si kjo!”, thuhet më tej në përgjigje.

Kjo parti politike vazhdimisht ka akuzuar qeverinë e Kosovës se ka përdorur standarde të dyfishta në gjykim të aferave korruptive. 

Vetëvendosje aktualisht është nën presion publik që të denoncojë rastin në fjalë në të cilin përgjimet për ryshfet janë më se të qarta. 

Së fundi, në objektin e Qeverisë së Kosovës u pa derisa po hynte një ndër protagonistët e këtij skandali, Florent Ramqaj, që është edhe këshilltar i Liburn Aliut në Ministrinë e Planifikimit Hapësinor, Mjedisit dhe Infrastrukturës. 

Në qendër të skandlit është kompania Infratek, në të cilën këshilltari i Aliut kishte punuar dhe për më tepër me pronarët e të cilëve kishte marrëdhënie familjare. 

Tjera nga autori:
1