<b></b> Lamtumirë Amerikë! Kurti niset për në Zvicër pas turit rekord në SHBA

Lamtumirë Amerikë! Kurti niset për në Zvicër pas turit rekord në SHBA

23.05.2022 10:39

Tash e tetëmbëdhjetë ditë prej që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mori rrugë për në Amerikë, dhe tashmë ka thyer çdo rekord të përparmë të kryeministrave të mëhershëm sa i përket gjatësisë së vizitës. Por, çka t’i bëjmë cilësisë?  

Pas qëndrimit 18-ditor në Shtetet e Bashkuara të Amerikës [SHBA], Albin Kurti, tashmë ka marrë udhë për në Zvicër.

Edhe atje, njëjtë si në Amerikë, Kurtin e presin ligjërata e forume të ndryshme. Kurti do të jetë pjesë e një paneli, dhe pastaj do të takohet edhe me mërgimtarët që jetojnë atje.

Sipas njoftimit të Zyrës së Kryministrit, Kurti do të takohet me liderë politikë dhe me përfaqësues të kompanive të ndryshme.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar për në Zvicër për të marrë pjesë në Forumin Ekonomik Botëror që mbahet në Davos/Klosters. Aty do të takohet me përfaqësues të kompanive të ndryshme dhe liderë politikë si dhe do të marrë pjesë në panelin “Dialogu i Diplomacisë për Ballkanin Perëndimor.

Gjatë qëndrimit në Zvicër, kryeministri Kurti gjithashtu do të zhvillojë takime me mërgatën tonë”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

Çka prej vizitës së Kurtit në Amerikë?

Kurti muaj më parë ishte pyetur në lidhje me mundësinë që të vizitonte SHBA-të.

U nis më 6 maj, pasi as nëntori (2021) e as ‘fillimi i janarit’ siç thoshte, nuk e çuan në Amerikë.

Për këto ditë, Kurti më shumë u tha se ishte i fokusuar në vizitat e ndërrmarjeve teknologjike dhe inovative.  Ai ka zhvilluar takime me biznese amerikane, pjesëtarë të diasporës shqiptare dhe kongresistë e senatorë amerikanë.

Në pjesën e fundit të vizitës së tij, ai ka qëndruar në Uashington, ku është takuar me këshilltarin e presidentit Joe Biden për sigurinë kombëtare, Jack Sulivan.

Ky po konsiderohet si takimi më i rëndësishëm i Kurtit në qëndrimin e tij të gjatë në tokën amerikane.

Fotoja e këtij takimi, e bërë në një korridor të një ndërtese, ka nxitur reagime të shumta në debatin publikë në vend.

Për tri ditë qëndrim në Uashington, Kurti në faqen e tij në Facebook publikoi mbi 41 fotografi, duke lënë të kuptohet për agjendën e ngjeshur që pati.

Kurti ka pasur takime të ndara me kongresistët Mondaire Jones, Robert Aderholt, Jim Himes, Lisa McClain, Ritchie Torres, Bill Keating, Jim McGovern, dhe Elissa Slotkin. Po ashtu, ka takuar edhe senatorët Jeanne Shaheen dhe Thomas Tillis, si dhe me senatorin Chris Murphy.

Po ashtu, Albin Kurti në vizitën e tij të gjatë në Amerikë është takuar me një prej republikanëve më problematikë për të majtën, Ted Cruzin.

E mungesa e takimeve me nivele më të larta me politikanë amerikanë, po shihet si shqetësim dhe lajm i keq për Kosovën.

Në anën tjetër, për vizitën e Kurtit, vartësit e tij filluan të përdornin një fjalor me fjalë gjithnjë e më subjektive, ku përfshinë “ëndrrën”, “përjetimin” dhe të tjera të ngjashme.

Kurti për vizitën e tij në Amerikë pati thënë se është më e gjata që ka pasur ndonjëherë ndonjë kryeministër i Kosovës.

“...Deri më tani kemi qenë në San Francisko, Dallas, Des Moines dhe do të kemi disa vizita të tjera në Detroit, Uashington, Boston dhe Nju Jork, duke e bërë këtë vizitën më të gjatë që një kryeministër i Kosovës ka bërë ndonjëherë në Shtetet e Bashkuara”, ka thënë Kurti.

Kutojmë që Kurti, para nisjes, kishte thënë se do të pyetet se kur do të kthehet nga Amerika.

“Jo që do të shkoj, por edhe do të kthehem. Do të shkoj të qëndroj më gjatë sesa në shtetet e BE-së. Do të më duhet ndoshta të qëndroj pak më shumë se zakonisht, kështu që ju do të mund ta bëni pyetjen se kur do të kthehet”, ka thënë ai më 9 mars, kur ishte pyetur se kur do të udhëtojë për në Amerikë.

Për qëndrimin e tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kryeministrit Albin Kurti i takojnë 5,280 euro mëditje, për të cilat u raportua nga zëdhënësi i Qeverisë se nuk do t’i marrë.

Tjera nga autori:
1