<b></b> Letra që për pak s’e pamë: Ambasadori i tha shefit të Miqësisë me Amerikën “të takoj kur të lirohem”

Letra që për pak s’e pamë: Ambasadori i tha shefit të Miqësisë me Amerikën “të takoj kur të lirohem”

19.05.2022 14:27

Marrëdhëniet e Kosovës me SHBA-të kanë qenë gjithnjë të mira, por duket se kemi nevojë që t'i thellojmë më tej, e për këtë mision, në krye është deputeti Dimal Basha. 

Duket se shefi i Grupit të Miqësisë me Amerikën, Dimal Basha, i ka dërguar një letër ambasadorit të Amerikës në Kosovë, z. Jeff Hovenier, por të cilën megjithatë nuk e ka ndarë me publikun.

Megjithatë, deputeti dhe shefi i kësaj miqësie ka ndarë letrën që ambasadori Hovenier i ka shkruar atij më 17 maj, dy ditë më parë.

Duket se z. Basha është ‘matur’ mirë para se të publikonte këtë letër, edhe pse Hovenier me gjuhën e zakontë diplomatike e uron për detyrën e marrë, për rolin e tij në të dhe për themelimin e Grupit Parlamentar të Miqësisë Kosovë-Amerikë.

Sidoqoftë, një fjali duket të mos jetë edhe aq e këndshme për shefin e këtij grupi. “Falemnderit përsëri, dhe kur të më lejojë koha (orari), do të kem kënaqësi të takohem me ty dhe Grupin Parlamentar kur të jem herën e ardhshme në Kuvend.”

Përshkrimi që i ka bërë vetë Basha kësaj letre, është si vijon: “Si Kryetar i Grupit të Miqësisë, dje kam pranuar letrën falënderuese nga Ambasadori i SHBA-së, shkëlqësia e tij, z. Hovenier.”

Ky grup është themeluar para vizitës së kryeministrit Kurti drejt Shteteve të Bashkuara, e të cilën do ta vazhdojë deri më 23 maj.  

Çka thuhet në letër?

Po e përkthejmë të gjithën për lexuesit tanë:

“I nderuar z. Basha:

Ju falemnderit shumë për letrën tuaj mbi themelimin e Grupit Parlamentar të Miqësisë Kosovë – Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Lusim të pranoni urimet e mia mbi themelimin e grupit dhe për rolin tuaj si lider. Ekipi im dhe unë do të vazhdojmë bashkëpunimin e afërt dhe raportet e përzemërta me Grupin tuaj Parlamentar të Miqësisë në Kuvend.

Falemnderit përsëri, dhe kur më lejon koha, do të kem kënaqësinë të takohem me ju dhe grupin parlamentar herën tjetër që jam në Kuvend.”

Çka do të bëjë ky grup?

Z. Basha në përshkrimin e tij të fundit për këtë grup miqësie është shprehur si vijon: “Ky grup do të shërbejë si urë për thellimin e komunikimit dhe bashkëpunimit mes nesh!”

Ndërkohë, në ditën e themelimit të grupit, më 28 prill, Basha kishte shkruar se “ky grup është i rëndësisë së veçantë, siç është e veçantë edhe lidhja jonë historike me Shtetet e Bashkuara”.

Një specifikë z. Basha e shprehte duke thënë se arsyeja ishte që të thelloheshin marrëdhëniet tona në mes të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe “homologëve tanë në SHBA”, ku ndoshta mendonte për Senatin dhe për Kongresin.

Kujtojmë që z. Basha po bën disa aktivitete me dy deputetë të tjerë në shtetin mik të Kanadasë kohët e fundit. 

Tjera nga autori:
1