<b></b> Liburn Aliu dhe Halil Jahaj janë pjesë e një bordi në Fakultet të Ndërtimtarisë

Liburn Aliu dhe Halil Jahaj janë pjesë e një bordi në Fakultet të Ndërtimtarisë

02.06.2022 17:55

Përgjimet e që u publikuan dje në Nacionale tregojnë se 30 mijë euro ryshfet janë kërkuar nga kompania “Infratek”, që udhëhiqet nga Halil Jahaj – dajë i këshilltarit të Liburn Aliut, Florent Ramqaj.

Por, Insajderi mëson se ministri Liburn Aliu dhe Halil Jahaj janë pjesë Bordit Industrial të Fakultetit të Ndërtimtarisë.

Dokumenti i mëposhtëm thotë se Jahaj dhe Aliu ishin të ftuar për një takim në këtë bord gjatë majit të vitit të kaluar.

Përmes përgjimit të publikuar nga Nacionale, dëshmoheshin në detaje lidhjet e Këshilltarit të Liburn Aliut me kompaninë në emër të të cilëve u kërkuan 30 mijë euro ryshfet.

Kujtojmë që dje Gazeta Nacionale nxori në publik një skandal të madh.

Nëpërmjet emisionit Ditari i Buzhalës, u publikuan përgjime të cilat dëshmojnë ryshfetin e korrupsionin në Ministrinë e Infrastrukturës që drejtohet nga Liburn Aliu. Një lidhje në gjithë këtë aferë, doli se e ka edhe këshilltari i Aliut, Florent Ramqaj. Përgjimet tregonin duke bërë pazar dajtë e Ramqajt. “20 qetash, 10 mijë ma vonë”.

Është fjala për kompaninë e quajtur “Infratek”, në të cilën kishte punuar këshilltari i Liburn Aliut. Dhe, madje jo veç që kishte punuar, por edhe kishte lidhje familjare me pronarët. Ata ishin dajtë e tij.

Emri i këtij këshilltari është Florent Ramqaj. Emri i ministrit është Liburn Aliu. Emri i dajës është Halil Jahaj. Mbiemri i ministrisë është “e Infrastrukturës”. Shuma e ryshfetit? Eh, këtu ju lusim që të mbani frymën: bëhet fjalë për 30 mijë euro. Pra, bëhet fjalë për 20 mijë euro që jepen një herë, e 10 mijë të tjera më vonë.

 SHUMË REAGIME 

Vetë Ramqaj, e mohoi se ka ndonjë lidhje me këtë aferë, por nuk ofroi ndonjë fakt. Tha se do të bëjë padi, por sërish pa treguar për çka. Ai madje, i fshiu të gjitha komentet ku qytetarët e kishin quajtur “hajn”, duke i lënë vetëm komentet pozitive. E i përgjuari, Idriz Shala, e mbylli Facebook-un.

Në mbrojtje Ramqajt i doli zëdhënësi i qeverisë, Përparim Kryeziu. “Po mundohen ta krijojnë një Pronto 2”, tha ai. E së fundmi, zëdhënësi i Vetëvendosjes, Arlind Manxhuka, doli me një analizë psikologjike.

“Shpeshherë montazha përdoret për të manipuluar të vërtetën, por kur montazhës i duhet edhe një interpretim atëherë nuk do koment ajo punë. Pra, kinse afera nuk po i fliste dhe duhej gjithsesi një psikanalizë deklaratash, se filani kur tha kështu në fakt po mendonte ashtu. Kjo nuk është gazetari, por psikologji. E në psikologji ka emër sëmundja pikërisht për këta që kanë një realitet veç për veten, që veç vetë e përjetojnë”, ka shkruar Manxhuka.

E nëpër këto postime, nuk kanë munguar pëlqimet nga ministra, deputetë e zyrtarë të lartë të Vetëvendosjes, që publikisht i kanë dalë në mbrojtje këshilltarit të Liburn Aliut, i përfshirë në këtë aferë korruptive.

Betim Gjoshi nga Partia Demokratike e Kosovës, e vlerësoi shqetësues faktin që kryeministri Kurti nuk po flet rreth kësaj afere. “Merreni me mend, dy super-afera korruptive dhe Albin Kurti, miku i sekserit Martin Berishaj, po hesht”, ka shkruar Gjoshi në Facebook.

Zëdhënësi i AAK-së në anën tjetër, përmendi shefin e tij, Haradinajn, duke thënë se kur ky i fundit fliste për tenderët njëburimorë brenda kësaj ministrie, e majta ekstreme i kundërvihej.

"Pas skandalit 120 milionësh të ambasadorit Berishaj, gazetaria hulumtuese filloi të zbardhë korrupsionin astronomik në Ministrinë e Liburnit dhe ati Durmishit. Kur kryetari Haradinaj, para rreth 1 viti, filloi të shpjegonte për tenderët njëburimorë të kësaj ministrie, e majta ekstreme i kundërvihej me demagogji, ashtu siç e kanë zanat", ka shkruar Blaka.

Nëpërmjet një videoje reagoi edhe kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj. “Një përgjim, i cili e konfirmon korrupsionin, ryshfet, keqpërdorim, saktësisht në Ministrinë e drejtuar nga Liburn Aliu. Ky konfirmim është ajo të cilën më kohë e kemi thënë, pikërisht se kemi qenë të bindur”, tha Molliqaj.

Reagimet ishin të shumta edhe nga analistët, të cilët kërkuan hetim të këtij rasti.

Tjera nga autori:
1