Liburn Aliu i konfirmon të gjitha shkrimet e Nacionales, por thotë se Florent nipi nuk ka faj - NACIONALE

Liburn Aliu i konfirmon të gjitha shkrimet e Nacionales, por thotë se Florent nipi nuk ka faj

1 vit më parë

nga NACIONALE

Është intervista e tij e parë pas publikimit të aferës “Jaranat e Liburnit” nga Gazeta Nacionale. Liburn Aliu, ministër i Ministrisë së Infrastrukturës, u shfaq aspak komod në intervistën në Pressing në T7.

Pas një buzëqeshjeje gjysmë të ngrirë në fillim të emisionit dhe disa falënderime klishe për ftesën, drejtuar moderatorit, Aliu e humbi ‘toruan’. Nervoz, i paartikuluar mirë, viktimizim, përsëritje e fjalive të njëjta që dukeshin të keqmësuara, e lëvdata të pafundme për këshilltarin e tij, Florent Ramqaj, dajallarët e të cilit u përfshinë në përgjimet e publikuara nga Nacionale. Natyrisht, nuk mungoi as pohimi i Aliut rreth njohjes së "dajës së Vetëvendosjes".

Pesëmbëdhjetë minutat e para të emisionit u rezervuan për çështjen e mostransparencës së Qeverisë Kurti, e cila po përzgjedh televizionet për t’u shfaqur në intervista.

Në pyetjen e moderatorit rreth mungesës së transparencës së Qeverisë, Aliu e shfrytëzoi një togfjalësh të Albin Kurtit, që ky i fundit ka kohë që nuk e ka përdorur.

Transparencë radikale”, ishte togfjalëshi që Aliu përzgjodhi si përgjigje.

Po ashtu, në qeveri ekziston një politikë në raport me mediat. Ajo s’ka të bëjë fare me mostransparencën. Transparenca në ministritë e qeverisë aktuale është shumë më e lartë se në cilëndo nga qeveritë e kaluara”, deklaroi Aliu rreth transparencës.

E kur u kry çështja e transparencës, filloi ajo për të cilën u ftua. Liburn Aliu nisi të përgjigjej rreth përgjimeve të publikuara nga Gazeta Nacionale.

Aliu përdori një gjuhë tashmë të njohur të politikanëve, që këta e përdorin kurdo që përballen me skandale të mëdha.

Është e motivuar politikisht”, deklaroi Aliu.

Madje, përgjimet autentike ku shfaqen njerëz të afër të tij, i quajti "situatë qesharake".

U ndërtu një fluskë e madhe, krejt pritshmi kur del ministri në përgjim duke marrë pare ose duke dhënë pare ose ndonjë këshilltar i tij. Unë i njoh këshilltarët e mi. Para se me dalë emisioni, filloi një fushatë kundër Florent Ramqajt, këshilltarit për financa, dhe se duhet ta shkarkosh atë. Dhe pastaj kur e dëgjuam atë incizimin e famshëm, i cili kërkonte orë të tëra interpretim për ta bërë të duket serioz, doli një situatë tejet qesharake”, tha ai.

Duket se nervoza e bëri Aliun ta luajë edhe rolin e hetuesit, duke folur rreth autenticitetit të përgjimeve.

"Në incizim nuk dihet se kush ishte, nuk dihet se kush po fliste, dhe kjo u bë të dukej sikur të ishin dy persona të një kompanie që po flisnin", ka thënë Aliu në Pressing.

Por, gjatë intervistës, ai filloi t’i konfirmonte të gjitha gjërat për të cilat raportoi Nacionale.

E para nga ato që u konfirmuan ishte njohja e Aliut me Halil Jahën, “dajën” e famshëm të Vetëvendosjes, kompania e të cilit ishte kryepersonazh i përgjimeve.

Ai tha se e njeh Jahën, duke shtuar se e ka takuar në zyret e Lëvizjes Vetëvendosje.

Halil Jahajn e kam takuar në Vetëvendosje. Është inxhinier i ujërave, kemi diskutuar për ujërat. E para, ky nuk është në përgjim, se krejt keni mendu që unë ka me qenë në përgjim. Pastaj jo këshilltari, pastaj as ai s’doli, e s’doli as daja”, tha Aliu.

Ndonëse në siklet, Aliu nuk harroi ta çonte në qiell të shtatë këshilltarin e tij, Florent Ramqajn. I pari i Ministrisë së Infrastrukturës, e konfirmoi se Ramqaj ka punuar në kompaninë e dajës së tij.

Ka punuar te firma e dajës së vet, në tjetër firmë, por jo në Infratek. Te kjo kompani s’ka punuar asnjëherë. Florent Ramqaj ka punuar në kompaninë Alfa, pronë e Halil Jahajt. Por kjo tjetra nuk është e Halil Jahajt me sa e di. Mund të jetë familjar. Është kompani tjetër në të cilën nuk ka punuar Florenti”, tha Aliu.

Ramqaj, që është aktivist i VV-së e këshilltar i Aliut, sipas këtij të fundit e ka një sy të mprehtë.

Në të gjitha projektet e mbrapshta që i kemi ndalë, duke filluar prej Hanit të Elezit, prej bllokimit të Terminalit te Hani i Elezit, e deri te projektet rend, si këshilltar financiar ka qenë personi më i zellshmi dhe më i përpikti në këtë pikë. Falë syrit të tij të mprehtë ne kemi arritë me i kuptu do gjëra sot”, shtoi ai.

Kujtojmë që Nacionale ka botuar ditë më parë episodin e tretë të “Ditarit të Buzhalës”, ku u shfaqën përgjimet që inkriminojnë në korrupsion dajallarët e Florent Ramqajt, këshilltarit të Liburn Aliut.

Lajme të ngjashme