<b></b> Liburn Aliu thotë se i mori gati 100 mijë euro të hyra në kohën e rëndë të pandemisë

Liburn Aliu thotë se i mori gati 100 mijë euro të hyra në kohën e rëndë të pandemisë

05.06.2022 12:35

Emri i Liburn Aliut është bërë kryetemë e javës në Kosovë pas publikimit të përgjimeve nga Gazeta Nacionale që zbardhnin ryshfetin e kërkuar nga kompania e dajëve të këshilltarit të tij financiar në ministri. Por, a është z. Liburn Aliu më i pasur se mesatarja e përgjithshme në Kosovë?

Marrë parasysh deklaratën e të dhënave të pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsionit (AKK), del se prania e Liburn Aliut me familje në lagjen Marigona Hill nuk është e rastësishme.

Banesën e tij në Marigona Hill ai thotë se e ka blerë (çmimin e saktë të së cilës deklaroi se nuk e dinte) në mënyrë që ta shiste më pas.

Me kompaninë “Marigona Hill”, Aliu pretendon se ka lidhur parakontratë për blerje të banesës me vlerë prej 103 mijë eurove më 19 tetor 2020 dhe të cilën ka afat që ta paguajë deri në dhjetorin e vitit 2023.

Banesa në Marigona Hill është 90.48 metra katrorë derisa terasa është edhe 21.26 metra, çka e bën çmimin e saj mjaft të leverdisshëm për ministrin nga Vetëvendosje. Aliu thotë t’i ketë borxh kësaj kompanie edhe 83 mijë euro.

Por, gjërat nuk qëndrojnë keq për Liburn Aliun me familje. Ai ka nëpër banka të Kosovës edhe 9148 euro.

Sidoqoftë, pjesa më interesante e deklarimit të tij të pasurisë është te të hyrat vjetore për vitin 2020.

Ai ka deklaruar se ka marrë rreth  97 mijë euro gjatë vitit 2020.

Prej tyre, 22 mijë e 639 përbëjnë pagën vjetore si deputet, ndërkohë që 25 mijë e 350 janë marrë në emër të kompensimit për ish të burgosurit politikë.

Në anën tjetër, bashkëshortja e tij në një projekt me USAID ka marrë 46 mijë e 682 dollarë ose mbi 43 mijë euro.

Aty janë futur edhe të dhënat nga Trusti, ose 10 përqindëshi i tij. Aliu i kishte tërhequr plot 2658 euro nga kursimet pensionale.

Deklarimet e Pasurisë në AKK për vitin 2022 – e që reflektojnë të hyrat vjetore për vitin 2021 – nuk janë publikuar ende.

Kujtojmë që viti 2020 ishte një vit i rëndë për shumicën dërmuese të familjeve kosovare, të cilat u përballën me pandeminë dhe me restriksionet e rënda të imponuara në atë kohë nga Qeveria Kurti I dhe Qeveria Hoti.

Liburn Aliu ka mohuar se është i përfshirë në skandalin e ryshfetit të publikuar para disa ditësh nga Gazeta Nacionale. Sidoqoftë, diskursi i tij i mëhershëm mbi varfërinë e qytetarëve është kontestuar pas blerjes së banesës në lagjen Marigona Hill dhe po ashtu pas daljes së këtyre të hyrave marramendëse për standardin e Kosovës, madje edhe nga aktivistë të cilët protestonin dikur bashkë me të. 

 

Tjera nga autori:
1