“Ballkani Hapur” e bën llugë Ballkanin, shqiptarët dhe malazezët të ndarë, vetëm serbët janë unik

“Ballkani Hapur” e bën llugë Ballkanin, shqiptarët dhe malazezët të ndarë, vetëm serbët janë unik

18.05.2022 21:51

Politika në Ballkanin Perëndimor është një çështje e komplikuar. Rrallëherë politikanët bien dakord për ndonjë temë. Madje përçarjet ekzistojnë edhe brenda vetë udhëheqësve të një shteti. Së fundmi, ‘sindroma e përçarjes” e ka prekur edhe Malin e Zi.

Kryeministri i vendit fqinj, Dritan Abazoviq, dhe presidenti Millo Gjokanoviq nuk pajtohen në lidhje me inisiativën rajonale të “Ballkanit të Hapur”. 

Madje politikani i ri dhe veterani i politikës malazeze qëndrimet kundërshtuese në lidhje me këtë temë i kanë bërë publike.

Në vizitën zyrtare që e filloi sot në Kosovë, Gjokanoviq, që është president i Malit të Zi nga viti 2018, tha se është kundër “Ballkanit të Hapur”, duke theksuar se ai vazhdon të respektojë Procesin e Berlinit, të cilën e cilësoi si të vetmen alternativë të duhur për Ballkanin Perëndimor.

“Jemi shumë të vetëdijshëm për mundësinë e bashkëpunimit rajonal ekonomik. Ky orientim parimor nuk do të thotë se i kemi sytë mbyllur. Por, ne mendojmë se në këtë temë kemi një iniciativë të mirë të Procesit të Berlinit. Kjo iniciativë është komplementare në rrugën drejt integrimit evropian”, tha Gjukanoviq.

Me të u pajtuar presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila e priti me ceremoni shtetërore Gjokanoviqin këtë të mërkure. Në konferencë, Osmani theksoi se bashkëpunimi rajonal duhet të ndodh vetëm në kuadër të Procesit të Berlinit.

“Ne si Kosovë vazhdojmë të mbajmë qëndrimin e njëjtë se bashkëpunimi rajonal e shohim si kyç, por atë do të zhvillojmë në kuadër të iniciativave tashmë ekzistuese, ku Kosova është anëtare dhe veçanti e Procesit të Berlinit”, tha qartas Osmani.

Në fakt, Gjukanoviq ka kohë që është shprehur kundër “Ballkanit të Hapur”, të cilën e cilësonte si projekt që synon të realizohet duke respektuar standarde gjysmë evropiane.

“Pra, Procesi i Berlinit është i lansuar në Berlin, siç ia thotë emri, dhe është nën mbikëqyrjen e fuqishme të BE-së. Nëse më pyesni, nëse do të bashkëpunoj, nëse do të vendos a duhet t’i besoj më shumë iniciativës që është e lansuar nga Berlini e Brukseli apo iniciativës së ngjashme të lansuar nga rajoni ynë, e cila nuk nënkupton se atë që duam ta realizojmë e realizojmë duke i respektuar standardet evropiane, por duke i respektuar disa standarde gjysmevropiane, disa standarde ballkanike”, thoshte kohë më parë Gjukanoviq.

Por, me Osmanin e Gjokanoviqin nuk pajtohen dy liderë tjerë ballkanas. Njëri nga ta është Dritan Abazoviq, kryeministri i ri i Malit të Zi, i cili tashmë e ka të qartë qëndrimin në lidhje me “Ballkanin e Hapur”.

Ditë më parë, Abazoviq e ritheksoi përkrahjen e tij për këtë nismë rajonale.

““Ballkani i Hapur” është i bërë për gjashtë shtete, nuk është i bërë për pesë shtete e gjysmë ose tre shtete e gjysmë, ose për 4.7 shtete, por për gjashtë shtete. Gjithkush kush participon, reprezanton vetveten dhe shtetin e vet. Mendimi im, ndoshta jam gabim, se interesi më i madh në rajon është që të jetë në çdo iniciativë rajonale”, tha ai gjatë një interviste në Klan Kosova.

Kohë më parë, Lëvizja Qytetare “Aksioni i Bashkuar Reformist”, të cilën e udhëheq Abazoviqi, nëpërmjet një postimi në rrjetin social “Twitter”, ka sqaruar qëndrimet rreth politikës së jashtme përfshirë “Open Balkan”.

“Ne do të shqyrtojmë iniciativat rajonale. Ekzistojnë tri shtylla të politikës së jashtme të SHBA-së në Ballkanin Perëndimor: BE, NATO dhe Ballkan i Hapur”, thuhej në postim.

Deklaratat e sotme të Osmanit e Gjukanoviqit e kanë shtyrë të reagojë kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

Ai, përmes një cicërime në Twitter, ka shprehur mllefin e tij ndaj personave të cilët nuk e përkrahin Ballkanin e Hapur.

Sipas kryeministrit shqiptar, Ballkani i Hapur, nxit paqen dhe përshpejton Procesin e Berlinit.

“Kushdo është kundër Ballkanit të Hapur është në të drejtën e vet që as mos të shohë, as mos të dëgjojë dhe as mos të kuptojë se kjo nisëm nxit paqen, bashkëpunimin, integrimin dhe e përshpejton Procesin e Berlinit! Ballkani i Hapur nuk do të ndalet sepse e ardhmja nuk ndalet dot”, shkroi Rama.

Kujtojmë që kundër “Ballkanit të Hapur” është edhe kryeministri Albin Kurti. Në një linjë me Kurtin është edhe presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, i cili “profetizoi” mossukses të “Ballkanit të Hapur” nëse në të nuk përfshihen të gjitha shtetet e rajonit.

“Qëndrimi im është se mund të jetë vetëm një nga mjetet për përmirësimin tregtar e ekonomik, por jo edhe politik, mund të jetë vetëm pjesë e Procesit të Berlinit, por jo ta zëvendësojë atë. Procesi i Berlinit është nismë që ka institucione, ka burime, që Ballkani i Hapur nuk i ka”, tha zoti Pendarovski.

Maqedonia e Veriut është njëra ndër themelueset e “Ballkanit të Hapur”, kryeministri aktual i sëcilës, Dimitar Kovaçevski, e quan këtë projekt si nismë të shkëlqyer dhe impuls shtesë për bashkëpunim rajonal.

Në linjë me kryeministrin maqedonas është Serbia, udhëheqësit e sëcilës, Aleksandër Vuçiq e Ana Bërnabiq, janë përkrahës të “Ballkanit Perëndimor”.

 

Tjera nga autori:
1