<b></b> Luftëtarë të varfër e me rrudha, qeveritarë të pispillosur: Fjalët e VV-së për veteranët përmes komunikatave të fshira

Luftëtarë të varfër e me rrudha, qeveritarë të pispillosur: Fjalët e VV-së për veteranët përmes komunikatave të fshira

06.06.2022 14:07

Gjendja e rëndë ekonomike e veteranëve të UÇK-së dikur ishte vazhdimisht në gojën e VV-së. Përshkrimet e bëra për këtë gjendje të rënduar ekonomike e sociale ishin të zjarrta, dhe me të drejtë. Më poshtë keni disa prej fragmenteve nga komunikata të fshira nga VV që i drejtoheshin kategorisë që protestoi sot kundër tyre.

Përveç veteranëve të rremë, ekzistojnë edhe veteranët e vërtetë! Këta veteranë protestuan sot për rritjen e pensioneve të tyre për 80 euro. Asnjëri prej veteranëve të vërtetë nuk ka faj që institucionet e vendit nuk e kanë bërë punën si duhet në procesin e verifikimit të veteranëve, çka prodhoi – siç thuhet – mijëra veteranë të rremë. Dhe pikërisht veteranët e rremë përbëjnë arsyen pse 80 euro shtesë nuk do t’i jepen asnjërit prej tyre, muaj për muaj.

Qeveria e rriti pagën minimale nga 130 dhe 170 në 250 euro. Por, është e vështirë të gjendet qoftë edhe një punëtor i vetëm që punonte me 130 euro apo me 170 euro. Kjo bën që numri i njerëzve që përfituan të jetë krejtësisht i papërfillshëm. As Qeveria Kurti nuk posedon statistika për një gjë të tillë, megjithëse e përmend Ligjin e Pagës Minimale vazhdimisht për t’u krenuar me rritjen e saj.

Në anën tjetër, veteranët e vërtetë me përfaqësuesit e tyre kanë përmendur vazhdimisht ndërlidhjen e pensionit të tyre me Pagën Minimale. Meqë më herët Paga Minimale ishte 170 euro, ata i merrnin nga 170 euro. Veteranët për vite me radhë kanë avokuar që të rritej Paga Minimale, meqë përmes saj rritej edhe pensioni i tyre. Tash që kjo po ndodh, pensioni i tyre megjithatë nuk po rritet.

Në mënyrë që ta kuptojmë më mirë qëndrimin e Qeverisë, vendosëm që t’i referoheshim disa komunikatave të Vetëvendosjes që tashmë janë fshirë nga faqja zyrtare e saj.

Një komunikatë e tillë është publikuar më 14 qershor 2011 e të titulluar “Greva midis luftëtarëve”. Në atë kohë, veteranët madje edhe po bënin greva kundër Qeverisë Thaçi II, dhe mbështetësi më i madh i tyre ishte kryeministri i tanishëm, Albin Kurti.

Në këtë komunikatë, ilustrohej në mënyrë mjaft interesante greva derisa bëhej edhe një përshkrim dhembshurie për veteranët.

“Në grevë kemi luftëtarë të varfër e me shkallë të ndryshme të invaliditetit, të veshur me rroba të grisura e me mbathje prej këpucësh të vjetra. Ata tanimë janë në rrugë dhe me këtë grevë vetëm sa kanë ndërruar vendqëndrimin. Ata ecin me vështirësi, lëkurën e kanë të regjur nga dielli e era, fytyrën përplot rrudha në shpërputhje me moshën kurse duart me vështirësi i bëjnë grusht meqë u janë plasaritur nga punët e rënda fizike. Lart në qeveri vrapojnë poshtë e lart zyrtarë të pispillosur me kostume të lëmueshme që ndoshta kushtojnë më shtrenjtë se rrogat e tyre. Ata nuk i heqin nga dora celularët e shtrenjtë dhe buzëqeshjen plastike thuajse janë duke xhiruar një reklamë që s’përfundon kurrë sepse ajo është vetë jeta e tyre.”  - shkruhet ndër tjerash në këtë komunikatë.

Ndërkohë, në komunikatën e titulluar “Të përbuzurit” përsëri kishim një përshkrim të gjendjes socio-ekonomike të çlirimtarëve të Kosovës.

“Po bëhen pesëmbëdhjetë vite nga përfundimi i luftës. Në vend të mirënjohjes, ish pjesëtarët e UҪK-së u përballën me gjëra të paparamenduara, duke filluar nga gjendja e tyre shëndetësore e deri te përballja me varfëri të skajshme. Kemi parë të qarkullojnë storje të ndryshme nëpër portale lidhur me gjendjen e rëndë ekonomike të disa ish ushtarëve, por përveç dhembshurisë momentale, tash e sa vite, nuk është ndërmarrë asnjë veprim konkret për të zgjidhur problemet e tyre.”

Më tej, në këtë komunikatë flitet edhe se si janë mbi 40 raste të vetëvrasjeve të ish ushtarëve të UÇK-së për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike. Por, përshkrimi më domethënës është ai në lidhje me arsyen pse ka një përbuzje nga shoqëria ndaj luftëtarëve veteranë.

“Mbase kjo ndodh për faktin se dikur moti kur i ftoi mëmëdheu, këta njerëz kishin vendosur që vullnetarisht të heqin dorë nga jeta. Jo pse nuk e kishin vlerësuar jetën, por kishin vendosur që lirinë e vendit ta paguanin me çmimin më të lartë – jetën e tyre. Mbivlerësimi i mëmëdheut në raport me jetën e tyre, ka krijuar një perceptim të shtrembëruar te të tjerët. Në këtë pikë zë fill keqkuptimi se këta njerëz nuk e dashkan jetën, vetëm për faktin se nuk i druhen vdekjes.” – shkruhet më tej.

Komunikata të tjera në të cilat denoncohej qasja e Qeverive të Kosovës ndaj veteranëve të luftës ishin edhe “Shet gjak për të blerë miell” dhe “Pushteti i pavlerë”, “Mjerimi për vetëvrasje”, “Luksi politik karshi popullit të varfër” etj.

Tjera nga autori:
1