Profil: Lukthi i Presidentes Osmani - NACIONALE

Profil: Lukthi i Presidentes Osmani

1 vit më parë

nga Berat Buzhala

Vjosa Osmani është sikur Hashim Thaçi, me pak më shumë shkollë, e me shumë më pak histori.

Berat Buzhala

Lloj-lloj liderësh kemi pasur në vendin tonë, por Presidentja Osmani është unike në atë që të gjitha privilegjet personale provon t’i shesë si sakrifica të dhimbshme. Dhe pret prej nesh që t’i besojmë.

Zotësia e saj për t’i thënë gjërat e kota në mënyrë dramatike është mbresëlënëse. Edhe kur kapet me pelë për dorë duke abuzuar me naftë, edhe kur bashkëshorti i saj sillet në rrjete sociale si huligan i rëndomtë, ajo pret prej publikut që t’i japë mirënjohje. Se për çka, as ajo vetë nuk e di.

Si duket fakti që gjithë karrierën e saj e ka ndërtuar duke u marrë me njerëzit e luftës, e ka bindur atë që edhe ajo vetë e ka njëfarë merite për luftën. Prandaj, prej saj, është e pakuptueshme arroganca dhe mungesa e modestisë. Vjosa Osmani intelektualisht është bazike, politikisht polarizuese, shoqërisht toksike. Me fjalë të tjera, Vjosa Osmani është sikur Hashim Thaçi, me pak më shumë shkollë, e me shumë më pak histori.

Vjosa kur ishte deputete fliste si Presidente dhe fliste në emër të popullit, kurse tash kur është bërë Presidente flet si deputete dhe flet në emër të partisë, që nuk është as e saja. Në intervistat e pakta për media, ajo është shumë më partizane sesa zëdhënësi i qeverisë. Tek ajo nuk ka asgjë presidenciale, përveç zyrës ku qëndron. Gjuha e Osmanit ndaj mediave dhe sjelljet e saj në konferenca për shtyp janë të padenja edhe për një kryetar të komunës, e lëre më për institucionin e Presidentit.

Presidentja Osmani dhe stafi i saj në çdo llugë e shohin një armik, kurse kur i kanë përpara dhjetëra gazetarë atyre u dukën qindra armiq. Vazhdimisht jetojnë në një paranojë dhe në një realitet paralel, që besoj është gjendje e dëmshme edhe për shëndetin mendor, që ndaj saj po përgatitet një komplot, por se për çka, kjo nuk dihet ende.

Mllefi i Presidentes Osmani është i madh, por është i paadresuar. Për të arritur në këto konstatime mjafton t’i dëgjojmë dy tri intervista të saj të dhëna për televizionet e Kosovës. Një gjuhë trupore e sikletshme, nënqeshje cinike, aludime të ndërtuara në konspiracione. Fjalitë e ndërtuara prej saj janë të nivelit të një gjimnazisti mesatar. Ajo ka mundësi që e di ku duhet vënë pika dhe presja, por nuk e di se çka duhet shkruar në mesin e këtyre shenjave të pikësimit.

Nëse nga fjalori i Vjosa Osmanit i heqim fjalët “krim, korrupsion, rend dhe ligj, zhvatje.... dhe Hashim Thaçi” krejt çfarë mbetet janë disa lidhëza. Do ta dekoroja secilin prej jush me medaljen e Ramush Haradinajt, nëse arrini të mbani në mend së paku një fjali gjysëminteresante që Vjosa Osmani e ka thënë gjatë gjithë karrierës së saj. Më shumë ka ofshama se thellësi të mendimit. Pothuajse çdo e dyta fjali e saj fillon “po ju e dini”. Jo nuk e dimë, a mundesh me na tregu?!!!

Ardhja e saj në pushtet ka qenë e domosdoshme, nëse për asgjë tjetër, atëherë për shkak të konsistencës dhe gabimeve të atyre që ishin përpara saj, por kjo nuk e bën atë heroinë dhe të paprekshme. Kosova, me largimin nga pushteti të forcave të PAN-it, le të themi me largimin e komandantëve nga pozitat udhëheqëse, e ka kaluar një test të madh, që si duket Vjosa nuk e ka lexuar në mënyrën e duhur. Por për t’i lexuar këto mesazhe, duhet një thellësi e të menduarit, e që kjo nuk e ka. Për t’i lexuar dhe kuptuar këto mesazhe dhe këto dinamika shoqërore, nuk mjafton leximi mekanik i disa librave të Fakultetit Juridik. Çdo gjë përtej këtyre librave për Presidenten Osmani është terra incognita, është një xhungël ku ajo nuk ka qenë kurrë më parë.

Veç flamuri i Rugovës në zyrë, nuk e bën atë një Ibrahim Rugovë, e bën atë, në rastin më të mirë, një adhuruese të Ibrahim Rugovës, e që në vendin tonë janë qindra-mijëra të tillë, të cilin kjo kurrë nuk e ka kuptuar dhe kurrë nuk ka për ta kuptuar. Rugova, në shumicën e herëve antipopullist, kurse kjo antipopullizmin e Rugovës e ka shndërruar në popullizëm personal. Më shumë flet kjo për Rugovën, sesa që kishte folur Rugova për vete. Prezentimi që kjo ia bën figurës më të rëndësishme politike të Kosovës është thjesht dhe vetëm një karikaturë.

Disa intervista në CNN dhe BBC, një anglishte korrekte por e thatë, nuk janë vlera të jashtëzakonshme në politikë, e posaçërisht jo në vitin 2022 kur çdo i dyti fëmijë e flet anglishten në nivelin e zonjës Osmani ose më mirë. Për vetë faktin që gati gjysmë-milioni veta e votuan një grua, siç bënë me Vjosa Osmanin, është një tregues i rëndësishëm, por është tregues i rëndësishëm për votuesin dhe kulturën e tij politike e jo për zonjën Osmani dhe punën e saj politike. Votuesit duke e votuar atë kanë investuar në të, kurse se çfarë do të jetë ky investim do ta shohim pas disa vitesh. Me shumë gjasa një balonë krejtësisht e zbrazët.

Në përputhje të plotë me pritjet e mia ishte edhe sjellja e saj, e kabinetit të saj, lidhur me një ndërhyrje kirurgjike në Turqi, për të cilën gjë së pari raportuan mediat turke. Edhe këto raportime kabineti i Presidentes dhe ajo vetë do t’i shohin si pjesë e një lufte speciale, për ta defokusuar lartmadhërinë e saj nga misioni i shenjtë i vizitës në Amerikën Qendrore, ku siç tha edhe ajo vetë, kishte shkuar në Kosta Rikë për t’i çuar në nivele edhe më të larta raportet tashmë briliante me këtë shtet dhe aleat të pazëvendësueshëm.

Ka kohë që të gjithë ne e kemi vërejtur që Presidentja Osmani po humbiste peshë, por me të drejtë kemi qëndruar në heshtje, për ta respektuar privatësinë e saj. Në mungesë të fakteve nuk kemi pasur të drejtë morale që ta pyesim atë pse po dobësohej. Mirëpo në momentin që raportohet prej mediave të një shteti tjetër që kreu i shtetit tonë i ishte nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjike, ne si media e kemi obligim për t’i bërë edhe disa pyetje shtesë, që tashmë nuk paraqesin kurrfarë problemi etik.

Nisur nga e kaluara, është vështirë që të presim përgjigje të sinqerta prej zonjës Osmani, mirëpo çdo gazetar, në çdo konferencë për shtyp, duhet ta pyesë atë se sa ka kushtuar ai operacion në Turqi; kush e ka paguar atë operacion në Turqi dhe si pasojë e kësaj a do t’i ketë borxh sistemi ynë shëndetësor sistemit shëndetësor turk, të cilit deri më tash ia kemi paguar dhjetëra miliona euro, në mos qindra miliona euro.

Presidentja Osmani duhet ta dijë që prej ditës kur është betuar si presidente, e deri më tash, ka kaluar rreth një 1 vit. Më shumë sesa peshë fizike, gjatë kësaj kohe ajo ka humbur peshë politike. Nesër po të mbaheshin zgjedhjet, nëse ajo do t’i printe partisë së saj Guxo, sipas sondazheve të porositura nga vetë Lëvizja Vetëvendosje, zonja Osmani dhe partia e saj do të merrnin dikund në mes 0 dhe 1 për qind.

Lajme të ngjashme