<b></b> Marrëveshja e Serbisë për armët tregon që ajo po largohet nga Rusia e po afrohet me Kinën

Marrëveshja e Serbisë për armët tregon që ajo po largohet nga Rusia e po afrohet me Kinën

11.05.2022 15:58

Shkruan: Vuk V A K S A N O V I C 

Ndërsa sytë e dynjasë janë të përqendruar te Rusia dhe invazioni i saj në Ukrainë, një transaksion i madh ushtarak ndodhi mes Serbisë dhe Kinës. Më 9 prill, gjashtë avionë transportues Y-20 të Ushtrisë Çlirimtare të Popullit kinez ateruan në Aeroportin Nikolla Teslla në Beograd, me dërgesën e sistemit raketor FK-3 për ushtrinë serbe.

Marrëveshja u nënshkrua në vitin 2019 dhe publikisht u bë e ditur një vit më vonë. Në muajin mars, ushtria serbe formoi një njësi të re që kishte për detyrë të merrte sistemin FK-3. Koha kur ndodhi ky transaksion është domethënëse marrë parasysh luftën në Ukrainë. Për Pekinin, kjo është pjesë e ambicies së mirënjohur për të hyrë në tregjet evropiane të mbrojtjes përmes Serbisë. Për Beogradin, marrëveshja është financuar mbi nevojën për të modernizuar sistemet e saj të vjetruara të mbrojtjes, imperativ i politikës së jashtme serbe për balancimin e fuqive të mëdha, dhe nga dëshira e lidershipit për të fituar mbështetje nga brenda.

Kina ka pasur ambicie që të bashkëpunonte sa i përket industrisë së mbrojtjes me Evropën për dekada me radhë, një përpjekje e penguar nga embargoja evropiane e armëve ndaj Kinës si përgjigje ndaj shtypjes së protestave në Tiananmen. (Kjo embargo është ende në fuqi, edhe pse shtete të caktuara evropiane po përdorin zbrazëti të teknologjisë për përdorim të dyfishtë që të bëjnë pazar me Kinën.) Serbia si kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian është një subjekt i vyeshëm testimi për Pekinin që kërkon mënyra për t’u futur në tregun evropian të mbrojtjes.

Ky prokurim është blerja e parë e ditur e Evropës e sistemit FK-3. Ngjashëm, më 2020, dërgesa e dronëve CH-92A e Kinës drejt Serbisë ishte eksporti i saj i parë i pajisjeve të aviacionit ushtarak për në Evropë. Në marsin e vitit 2021, ministri kinez i mbrojtjes Wei Fenghe u nis drejt një turi rajonal në Evropën Jug-lindore, duke vizituar Serbinë, Hungarinë, Maqedoninë e Veriut dhe Greqinë – të gjitha vende të rëndësishme për Kinën dhe për lidhjen e mësyrë me Evropën.

Greqia është platformë detare që lidh Evropën me Lindjen e Mesme dhe Afrikën Veriore. Më larg në veri është Maqedonia e Veriut, një përçues për trafik tokësor pasi kufizohet me disa vende të Ballkanit, e ndjekur nga Serbia – një shtet që lidh Ballkanin me Evropën Qendrore përmes Hungarisë. Krejt këto shtete, përjashto Serbinë, janë anëtare të NATO-s e Greqia me Hungarinë janë edhe anëtare të BE-së. Vizita tregoi ambicien e Kinës për të fituar tregje tjera të mbrojtjes në fqinjtë e Serbisë, dhe dërgesa e sistemit FK-3 është pjesë e kësaj ndërmarrjeje.

Që Serbia të marrë sistemin ajror mbrojtës të Kinës është pjesë e përpjekjeve të saj për të modernizuar sistemet e saj të vjetra ushtarake – shumica prej të cilave janë të kohës së ish Jugosllavisë. Pjesë e madhe e arsenalit të saj daton qysh në ditët e industrisë së madhe shtetërore ushtarake të Jugosllavisë komuniste, që ishte pjesërisht e bazuar në standardet sovietike. Për një moment, kjo krijoi një forcë luftarake që suksesshëm pengoi NATO-n nga invazioni tokësor ndaj Jugosllavisë gjatë Luftës në Kosovë. Në atë kohë, nuk mjaftonte që të bëje luftërat e avancuara të ditëve të sotme. Logjikisht, teknologjia ka avancuar shumë prej atëherë.

Duke ndjekur aforizmat që gjeneralët gjithnjë kanë luftuar luftën e fundit, kontrolli i hapësirës ajsore serbe ka qenë në qendër të planifikimeve serbe të mbrojtjes. Dy herët e fundit që Serbia ishte e përfshirë në një konflikt me shtetet e mëdha, u përball me fuqi ajrore që s’mund ta përballonte, përfshirë edhe bombardimin nazist të Beogradit më 1941 dhe intervenimin ajror të NATO-s në Kosovë më 1999, ku Beogradi dhe qytete tjera serbe ishin bombarduar. Nevoja për të ofruar mbrojtje ajrore për kryeqytetin dhe qendrat tjera urbane ndihmon në nxitjen e modernizimit të mbrojtjes. Brenda këtij procesi dhe të nxitur nga përvojat historike e transformimet teknologjike, ushtria serbe ka interes për çdo sistem armësh që fluturon apo që gjuan çdo gjë që fluturon.

Prokurimi i armëve është pjesë e modelit të mirë-ndërtuar të Serbisë për diversifikimin e partneriteteve të saj mbrojtëse dhe në turrjen e fuqive globale dhe rajonale kundër njëra-tjetrës. Sistemi ushtarak i qasshëm për Serbinë e dëshmon këtë fakt. Në vitin 2019, Serbia mori nga Rusia dhe Bjellorusia avionët luftarakë MiG-29, por tashmë që këta avionë po vjetrohen, mund të zëvendësohen nga avionët Rafale të Francës. Përtej kësaj, Serbia ka blerë raketat Mistral nga Franca dhe sistemin Pantsir-S1 nga Rusia. Dhe përveç që mori dronët kinezë, Serbia po bisedon edhe me Turqinë që të marrë dronët Bayraktar TB2 e motivuar nga performanca e tyre në Nagorno-Karabakh, Etiopi dhe Ukrainë.

Duke marrë sisteme ushtarake nga Kina, qeveria serbe shpreson të rris fuqinë blerëse në Perëndim. Rusia hyn edhe në këtë ekuacion. Në dy vitet e fundit, Serbia e ka zëvendësuar Kinën si partner primar në lindje. Kur u njoftua arritja e blerjes së sistemit kinez FK-3, mediat ruse kishin reaguar me zemërim ndaj Serbisë që nuk kishte zgjedhur sistemin e tyre raketor S-300.

Edhe pse rusët kanë zhvilluar sisteme më të avancuara raketore mbrojtëse prej atëherë – si S-400shi dhe i porsapëruruari S-500 – origjinali S-300 ka status mitik në Serbi, siç ekziston edhe besimi se NATO nuk do të kishte intervenuar më 1999 nëse Serbia do ta kishte pasur këtë sistem në dispozicion. FK-3shi reprezenton valën e re të teknologjisë kineze ushtarake, dhe fakti që Serbia vendosi të merrte sistemin kinez në vend të atij rus, thotë shumë.

Me krejt sytë të drejtuar kah Rusia, Serbia me Kinën besojnë se kanë më shumë hapësirë për t’i zhvilluar raportet e tyre bilaterale. Lufta që po vazhdon në Ukrainë tashmë po e detyron Serbinë që t’i kthejë pak shpinën aleancës tradicionale me Rusinë. Pasi votoi në favor të suspendimit të anëtarësisë së Rusisë në Këshillin e OKB-së për të Drejta të Njeriut, Serbia megjithatë u lejua të mos i vinte sanksione kompanive ruse të naftës që do ta kishin ndaluar Serbinë së importuari naftë të papërpunuar, derisa industria kombëtare e naftës dhe gazit të Serbisë është pronë e Gazpromit rus.

Megjithëse Evropa ashiqare ka pushtet mbi Rusinë, është e vërtetë edhe se Pekini mund të mbush hapësirën e lënë zbrazët nga distancimi i Beogradit prej Moskës, siç shkruan politologu serb Stefan Vladisavljev. Ajo që po ndodh në Ukrainë mund ta shtyjë Serbinë që të shkojë kah Kina edhe më shumë.

Ani që marrëdhëniet serbo-ruse janë përshkruar zakonisht si aleancë e kombeve sllave e ortodokse, këto ishin marrëdhënie oportuniste që vareshin nga nevoja për pushtet gjeopolitik. Ndërsa mbetet e paqartë nëse Vuçiqi do t’i bashkohet sanksioneve të BE-së kundër Rusisë për të shmangur zemërimin e votuesve që simpatizojnë Rusinë, instinkti i tij i mbijetesës natyrisht që i thotë ta bëj Kinën shumë më të vlefshme.

Përveç kësaj, politika e brendshme na e tregon politikën e jashtme dhe politikat e sigurisë së Serbisë. Në Serbi, ushtria mbetet mes institucioneve më të besueshme. Prandaj, duke u perceptuar nga publiku si lider që po e forconte ushtrinë kjo i jepte pushtet nga brenda. Në këtë aspekt, regjimi serb i Vuçiqit, ndryshoi narrativën elektorale nga performanca ekonomike drejt idesë që Serbisë i duhej një lider i fortë e me përvojë për ta mbajtur vendin të sigurt në kohë pasigurish globale, siç thoshte edhe sllogani i thjeshtuar elektoral: “Paqe. Stabilitet. Vuçiq.”

Gjatë ushtrimeve ushtarke “Mburoja 2022” ku publiku mund të shihte (mes sistemesh tjera) sistemin FK-3 dhe dronët kinezë CH-92A, Vuçiqi tha: “Nuk më bën për Perëndimin e as për ambasadat e Lindjes. Nuk më bën për amerikanët, rusët, evropianët, apo këdo tjetër. Do të marrë vendime në përputhje me interesat e Republikës së Serbisë.” Një qeveri që kërkon armë të avancuara dhe e sheh veten si garante të sigurisë së shtetit në kohëra të turbullta përforcon pozicionin e regjimit për periudhën post-elektorale.

Me krejt këto në mendje, rikthimi i luftës në Ballkan është goxha i pamundshëm. Serbia rrethohet nga anëtarë të NATO-s. Kosova ka një prani të trupave të NATO-s në formën e KFOR-it paqeruajtës. Në Bosnje dhe Hercegovinë, misioni paqeruajtës Operacioni Althea, është rritur si përgjigje ndaj luftës në Ukrainë. Pavarësisht krejt mosmarrëveshjeve, Serbia është anëtare e programit të Partneritetit të Paqes së NATO-s. Ky shtet praktikon Planin e Aksionit të Partneritetit Individual, niveli më i lartë i bashkëpunimit të shteteve joanëtare të NATO-s.

Liderët e Serbisë mund t’i thonë tash Perëndimit: “Po distancohemi ngadalë prej Rusisë, kështu që na lini të qetë sa i përket Kinës.” Është një bast që mund të jetë i favorshëm për kohë të shkurtër por jo edhe për kohë të gjatë, derisa rivaliteti kinezo-amerikan ta mbërrijë Serbinë, duke e bërë luftën në Ukrainë të duket si piknik për Beogradin.

Autori është hulumtues i lartë në Qendrën e Beogradit për Politika të Sigurisë. Shkrimi është përkthyer nga Nacionale, dhe origjinalin në Foreign Policy mund ta lexoni duke klikuar KËTU. 

Tjera nga autori:
1