<b></b> Marrëveshja për energjinë me Serbinë, vezët që Albin Kurti u

Marrëveshja për energjinë me Serbinë, vezët që Albin Kurti u "detyrua" t’i hajë

21.06.2022 22:41

Ishte shtatori i vitit 2015, kur Lëvizja Vetëvendosje përdori vezët si mjet për të kundërshtuar një marrëveshje, që e cilësonin si të dëmshme. Atëbotë e drejtuar nga kryetari Visar Ymeri, VV po pengonte me vezë raportimin e kryeministrit të kohës, Isa Mustafës, rreth një marrëveshje për energji me Serbinë.

“Kjo pako është në përputhje me Kushtetutën e Republikë së Kosovës dhe ligjet e vendit”, deklaronte Mustafa, teksa vezët filluan të fluturonin në drejtim të tij.

Disa deputetë të VV-së e ndërprenë fjalën e kryeministrit. Në mesin e tyre, që nxirrnin vezë nga xhepi ishte edhe Glauk Konjufca, tash kryetar i Kuvendit, e Alblena Haxhiu, ministre e drejtësisë.

E disa vezë përfunduan edhe në prehrin e Hashim Thaçit, që atëkohë drejtonte Ministrinë e Punëve të Jashtme, e për t’u zgjedhur më vonë president i Kosovës.

Simbolikisht, përveç vezëve, në prehrin e Thaçit, ndonëse me 7 vite vonesë, përfundoi edhe vetë Albin Kurti, kryeministër i Kosovës.

Lideri i VV-së, në cilësinë e kryeministrit, u ‘detyrua’ të respektojë marrëveshjen të cilën e kundërshtoi edhe me vezë në vitin 2015. Krahas vezëve, VV kishte përdorur edhe mekanizma të tjerë për ta kundërshtuar.

Në një konferencë për media, Lëvizja Vetëvendosje e kishte kundërshtuar ashpër marrëveshjen për energji, të cilën u dakordua ta zbatojë sot në Bruksel.

Ishte shtatori i vitit 2015, kur gjatë një konference për media, VV e kishte kritikuar të njëjtën marrëveshje, mbi të cilën u bazua marrëveshja e nënshkruar nga kryenegociatori Besnik Bislimi dhe ai serb, Petar Petkoviq këtë të marte.

“Marrëveshja për energjinë legalizon ndikimin e Serbisë, pamundëson unifikimin me Shqipërinë”, shkruante VV me SHKRONJA TË MËDHA.

“Lidhur me çështjen e pronës brenda territorit të Kosovës, që theksohet në këtë marrëveshje, Qeveria e Kosovës ka pranuar që të jenë dy mendime të kundërta për pronësinë, mendime këto që sipas marrëveshjes kanë legjitimitet të barabartë dhe të plotë”, shkruante tutje VV.

7 vite më pas, VV në pushtet ka tjetër qëndrim. Ata tashmë marrëveshjet që dikur legalizonin Serbinë, i kanë pranuar si platforma mbi të cilat duhet të bazohet marrëveshja e arritur sot.

E pasditen e së martes, kryeministri Kurti i doli edhe një video sa ishte opozitar, teksa fliste për KEDS-in dhe mbledhjen e faturave të energjisë në veri të vendit.

“Nëse KEDS-i nuk i mbledh faturat nëpër veri, atëherë duhet të kthehet në pronë publike shpërndarja dhe furnizimi. Nëse se bën KEDS-i, duhet ta bëjë qeveria”, deklaronte Kurti atëbotë.

E marrëveshja mes Kosovës e Serbisë bëhet ende më tragjike, teksa Nacionale zbuloi se kush është kompania që do të faturojë shpenzimet e energjisë elektrike.

Kryeministri Kurti u “detyrua” të pranojë që mbledhjen e faturave të energjisë elektrike në veriun e vendit, të banuar me serbë, ta bëjë një kompani e zotëruar nga Serbia.

Pra, faturat, lexues të dashur, nuk do t’i mbledh as KEDS-i e as Qeveria si theksonte Kurti dikur se duhej të behej.

Siç ka shkruar Nacionale, kompania “JP Elektroprivreda Srbije Beograd”, që do të inkasojë paratë e energjisë së shpenzuar në veri, është pronare e operatorit Elektrosever. Aksionare kryesore del të jetë hiç më pak se Republika e Serbisë.

Ndryshe, presidentja Vjosa Osmani është deklaruar në mbrëmje për temën më të madhe të ditës. Marrëveshja për energjinë, e nënshkruar nga Besnik Bislimi në emër të Qeverisë Kurti, është vlerësuar si “progres” nga ana e shefes së shtetit.

Në një postim në gjuhën angleze në Twitter, Osmani e ka cilësuar marrëveshjen si një marrëveshje të një “rëndësie kruciale”.

“Progresi i arritur sot në dialogun Kosovë-Serbi përmes arritjes së marrëveshjes për udhërrëfyesin e energjisë është i një rëndësie kruciale. Si gjithmonë, Kosova ka treguar të jetë konstruktive dhe e angazhuar në mënyrë aktive në këtë proces”, ka shkruar e para e shtetit.

Tjera nga autori:
1