<b></b> Më në fund Lumiri flet për aferën “Jaranat e Liburnit”, e ti Memli kur?

Më në fund Lumiri flet për aferën “Jaranat e Liburnit”, e ti Memli kur?

07.06.2022 22:25

Saktësisht një javë kohë i janë dashur kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, që të reagojë për aferën “Jaranat e Liburnit”. 168 orë për të artikuluar një qëndrim për kryetemën e muajit qershor. Pra plot 7 ditë për ta bërë të qartë një pozicion politik karshi një skandali të madh, e ku u përfshi Ministria e Infrastrukturës.

Në emisionin Context të ATV-së, Abdixhiku e cilësoi si “aferë korruptive” publikimin e përgjimeve nga ana e Nacionales.

"Përgjegjësia shkon te ministri. Për që ka aferë korruptive në këtë përgjim ka. Narracioni në përgjim dhe ekzekutimi i pagesave përputhet plotësisht. Gjërat rastësisht nuk ndodhin”, deklaroi Abdixhiku në ATV.

Tutje, Abdixhiku theksoi se prokuroria e shtetit duhet të merret me rastin, duke thënë se përgjegjësia bie mbi ministrin Aliu.

Por tani prokuroria duhet ta marrë në duar rastin. Nëse ka të bëjë me kabinetin e ministrit, përgjegjësia bie mbi ministrin", shtoi Abdxihiku në ATV.

Por, një tjetër lider i opozitës, ende nuk ka thënë asnjë fjalë të VETME për aferën “Jaranat e Liburnit”.

Memli Krasniqi, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, vazhdon të jetë i heshtur për temën që ka kornizuar të gjithë debatin publik në javën e fundit.

Ndonëse kanë kaluar 7 ditë që kur Gazeta Nacionale ka publikuar aferën “Jaranat e Liburnit”, lideri i PDK-së ende nuk ka gjetur kohë të deklarohet për këtë çështje.

Prej 1 qershorit, data kur u publikua afera “Jaranat e Liburnit”, Krasniqi i PDK-së ka postuar saktësisht 11 postime në Facebook.

Ai ka shkruar për ditën e fëmijëve, për veteranët, për kombëtaren e Kosovës, Ditën e Mjedisit e ka uruar Bajram Begun për postin e presidentin të Shqipërisë. Gjithashtu ka bërë disa vizita në ndërmarrje të ndryshme në Shtime, e ku ka takuar edhe strukturat e PDK-së.

E krejt në mbrëmje, Krasniqi ka bërë publik një emër tjetër të Qeverisë nën Hije.

Arben Mustafa do të jetë Koordinator i Departamentit për Financa në Kabinetin për Qeverisje të Mirë”, ka shkruar Krasniqi në videon e postuar në Facebook.

Megjithatë, disa deputetë të PDK-së tashmë kanë kërkuar dorëheqjen e Liburn Aliut nga posti i Ministrisë së Infrastrukturës.

Në një konferencë për media, Eliza Hoxha, deputete e PDK-së, kishte kërkuar dorëheqjen e Aliut nga posti qeveritar.

Një të tillë e kemi parë jo më larg se para dy ditësh nga hulumtimi i gazetës Nacionale, ku janë prezantuar fakte e dëshmi të marrëveshjeve të kundërligjshme mes akterëve, të cilët kanë për referencë anëtarë të ngushtë të Kabinetit të Ministrit Aliu. Pra, pushteti i Qeverisë Kurti, Ministrinë e Infrastrukturës dhe jo vetëm, e ka shndërruar në burim të keqpërdorimit të parasë publike”, shtoi ajo.

Ndërsa, deputetja Ganimete Musliu kishte kritikuar Aliun, duke kërkuar po ashtu dorëheqjen e tij.

Liburn Aliu duhet me shku në shpi, me gjithë këto akuza që po I bëhen. Ai duhet me shku në shpi. S’ka kredibilitet”, ka thënë Musliu në T7.

Ndryshe, siç ka shkruar sot Gazeta Nacionale, VV ka filluar të përdorë një metodë të re në qasjen e tyre për të shpëtuar ‘kokën’ e Aliut dhe Florent Ramqajt, këshilltarit financiar në Kabinetin e Ministrisë së Infrastrukturës.

Aktivistë e përkrahës të VV-së kanë filluar të kërkojnë dorëheqjen e zëvendësministrit Hysen Durmishi, duke tentuar ta pastrojnë figurën e dyshes Aliu e Ramqaj.

Kjo qasje e re në planin për të ‘shpëtuar’ Aliun e Ramqaj, filloi që në mëngjesin e 7 qershorit.

Blend Zymi, përkrahës i zjarrtë i Lëvizjes Vetëvendosje, ishte ndër të parët që targetuan Durmishin.

Ai në Facebook shkroi se Liburn Aliu s’ka nevojë të fal askënd që nuk di, duke i kërkuar të parit të Infrastrukturës që ta shkarkojë zëvendësin e tij.

Zymi i kërkoi kryeministrit Albin Kurti që ta shkarkojë Hysen Durmishin, dyshin e Ministrisë së Infrastrukturës.

Por, kundër kësaj qasjeje ka dalë një përkrahës i moçëm i VV-së. Mentor Llugaliu, që njihet si ndër mbështetësit e mëdhenj të partisë në pushtet, në një postim në Facebook ka shkruar se ministri Aliu e ka bërë punën “me nder me thënë”.

Tutje, ai ka thënë se disa aktivistë po mundohen që të gjithë fajin t’ia veshin Durmishit, në mënyrë që të shpëtohet ministri Aliu.

Ndryshe, në media është raportuar edhe për një plasaritje ndërmjet Aliut e Durmishit, të cilat raportime i kanë mohuar në deklarimet e tyre publike.

 

Tjera nga autori:
1