<b></b> Mediumi i afërt me Trumpin: Grenell, kandidat për Zv. President të Amerikës, flet të mërkurën në Iowa

Mediumi i afërt me Trumpin: Grenell, kandidat për Zv. President të Amerikës, flet të mërkurën në Iowa

21.06.2022 16:39

Kundërshtari më i madh i kryeministrit Albin Kurti në ShBA, Richard Grenell, po përflitet gjithnjë e më shumë si një prej kandidatëve kryesorë të Partisë Republikane për Zv. President të Shteteve të Bashkuara.

Kjo është thënë nga mediumi më i afërt me ish presidentin amerikan Donald J. Trump, Newsmax.

Ish ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare, Ric Grenell është planifikuar që të flas në Iowa gjatë kësaj jave pas spekulimeve që e lidhnin me mundësinë për të garuar në një tiketë të përbashkët me Donald Trumpin në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024.

 

Ai pritet të flas të mërkurën para Klubit Konservator Westside në Urbandale të Iowas.

Edhe vetë Grenell tha se do të fliste duke shtuar se tema do të ishte “strategjia e Donald Trumpit për slloganin “Amerika e Para””.

Trumpi nuk ka thënë nëse do të garojë në zgjedhjet e vitit 2024, por në çdo përgjigje është shprehur se do të ishte “shumë i lumtur” me vendimin e tij në lidhje me çështjen.

FOTO I: Trump dhe Grenell 

Në muajin nëntor, prestigjiozja Politico raportoi se Grenell kishte rritur mbështetjen në mesin e njerëzve më të besueshëm të Donald Trumpit.

“Mos e anashkaloni Rikun. Trumpi e do atë, dhe për dallim nga Pompeo ose kushdo tjetër, ai nuk ka interes që të garojë për president. Kjo është një çështje shumë me rëndësi për Trumpin,” – ka thënë një këshilltar i Trumpit për Politicon.

Grenell kishte dalë në mbështetje të presidentit Trump edhe në pretendimet e këtij të fundit për manipulime serioze në zgjedhjet e fundit presidenciale më 2020.

Ish zv. Presidenti amerikan Mike Pence tashmë është linçuar nga të gjithë mbështetësit e ish presidentit Trump për shkak të çertifikimit të rezultateve të atyre zgjedhjeve.

FOTO II: Grenell dhe Mike Pence (ish Zv. Presidenti i ShBA)

Grenell kishte qenë përfaqësues special i ShBA-ve për dialogun me Serbinë gjatë kohës së Qeverisë Kurti I dhe Qeverisë Hoti.

Ai kishte pasur përplasje të ashpra politike me Kurtin, pasi ky i fundit u detyrua të jepte dorëheqje më 25 mars të vitit 2020. Këto përplasje po vazhdojnë edhe sot e kësaj dite, me Grenellin që reagon në lidhje me shumë çështje të ndryshme që prekin interesat amerikane në Kosovë.

FOTO III: Grenell dhe Kurti 

Kurti e kishte quajtur Grenellin, ndër tjerash, edhe "kauboj financiar". 

Në anën tjetër, raportet e tij me ish kryeministrin Avdullah Hoti kishin qenë më të shëndosha. Hoti kishte nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë marrëveshjen e 4 shtatorit të quajtur për "normalizim ekonomik", dhe e cila kishte marrë mbështetje më vonë edhe nga administrata e Joe Biden.

Tjera nga autori:
1