<b>Mehaj synon</b> të rekrutojë 20 mijë vullnetarë për FSK-në, ish-komandanti i saj skeptik

Mehaj synon të rekrutojë 20 mijë vullnetarë për FSK-në, ish-komandanti i saj skeptik

09.05.2022 21:58

Lufta tremujore mes Rusisë dhe Ukrainës, ka shtuar vëmendjen rreth kapaciteteve ushtarake të Kosovës, e cila ndihet më e rrezikuar marrë parasysh edhe të kaluarën me fqinjin verior Serbinë.

Për t’i rritur kapacitetet e forcave ushtarake, Qeveria e Kosovës, përkatësisht Ministria e Financave me autorizim të Kryeministrit, në fillim të muajit mars ka hapur një llogari zyrtare bankare për pranimin e fondeve të cilat i dedikohen për siguri. Përmes këtij Fondi mundësohet pranimi i donacioneve të qytetarëve, përfshirë edhe ata që jetojnë në mërgatë.

Së fundmi, për qëllim të rritjes së trupave ushtarake, Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, para anëtarëve të Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe të Mbrojtjes ka sjellë në fokus çështjen e  ngritjes së kapaciteteve të ushtarëve vullnetarë.

Gjatë raportimit ministri Meha tha se janë duke punuar rreth konceptit për rezervë vullnetare, duke përmendur faktin se Kosovës i nevojiten rreth 20 mijë ushtarë rezervë për të mbrojtur vendin nga agresioni i jashtëm.

A është e mundur një gjë e tillë? 

Që nga viti 2018 kur u aprovuan ligjet mbi ushtrinë dhe Ministrinë e Mbrojtjes, FSK ndodhet në fazën paraprake drejt formimit të një ushtrie plotësisht funksionale, i cili pritet të realizohet në një plan gjithëpërfshirës të tranzicionit 10 vjeçar.

Rezerva vullnetare për rritjen e këtyre kapaciteteve po del të jetë një ide e re, sepse sipas legjislacionit në fuqi kontingjenti rezervë i FSK duhet të jetë 3,000 ushtarë, i cili numër ky ende i paplotësuar.

Sipas ish-komandantit të FSK-së, Kadri Kastrati propozimet e ministrit mbetën vetëm deklarata, pasi që fillimisht, sipas tij, duhet të plotësohet numri që është i paraparë me ligjin aktual.

Kjo është e përcaktume me ligj që është miratu në vitin 2018, e përderisa nuk plotësohet ky numër nuk munden më u bo planifikimet tjera. Për momentin janë vetëm deklarata sepse nuk mundemi me përballu një numër të tillë me i stërvitë dhe me i pajisë”, i tha Nacionales Kastrati.

Sipas tij, Kosovës i duhen sa më shumë njerëz që stërvitin për ushtri, por që një gjë e tillë duhet të ketë një planifikim më afatgjatë se sa plani zhvillimor i tanishëm.

Ndoshta diku pas 2025-es apo 2027-es duhet të parashikohen që të rriten kapacitetet ushtarake që janë të parapara me ligj, e pastaj t’i përmbushim këto detyrime dhe atëherë mund të planifikohet një numër kaq i madh. Për një gjë të tillë duhet me ndryshu edhe infrastruktura komunale, duhet me u hapë njësitë, me u hapë databazat e me i evidentu kush për çka është stërvitur, çka është specializimi etj”, thotë Kastrati.

Sipas tij ky është një projekt shumë i komplikuar që Kosova tash për tash nuk mundet të arrijë.

“Është e pamundur të arrihet në mandat të këtij ministri, absolutisht është e pamundur”, thotë Kastrati i cili përmend se rishikimi strategjik është bërë në kohën kur ai ka qenë komandant i FSK-së.

Sipas tij, propozimi tjetër i ministrit që të futet lënda për siguri dhe mbrojtje është një gjë e mirë e cila mund të përshpejtohet si proces. Sipas tij është shumë e rëndësishme edukimi i të rinjëve në aspektin ushtarakë por edhe historik.

“Kjo është e mirë. Unë personalisht kam thënë se edukimi i të rinjve dhe të rejave nëpër shkolla të mesme dhe nëpër fakultete në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes është një gjë e mirë. Duhet me mbajt ligjërata edhe në shkolla të mesme edhe në fakultete dhe me i eduku të rinjtë si në aspektin ushtarakë ashtu edhe në aspektin historik, ka kemi ardh, qysh kemi ardh deri këtu, kush e ka pru deri këtu, sepse studentët që janë tash krejt kanë lind pas luftës dhe duhet me ua përkujtu pak qysh jemi ardhë deri këtu”, thotë Kastrati për gazetën Nacionale.

Kujtojmë që projekti i shërbimit të obligueshëm ushtarak ka qenë premtim elektoral i kryeministrit Kurti, madje qysh nga Qeveria Kurti 1.

Ministri Mehaj, ka thënë se janë duke punuar në këtë drejtim dhe janë duke u koordinuar edhe me ministritë e tjera.

“Së pari ju informoj se përmes punimeve ushtarake ndërlidhet çdo veprim me strategji… aty është harmonizuar edhe nevoja shtetërore sa i përket edhe shërbimit ushtarak, pra një vlerësim që do të bëhet”, thoshte ministri para Komisionit.

Këtë vit, Qeveria së Kosovës kishte rritur buxhetin për FSK-në, për vitin 2022, në 100 milionë euro. Mirëpo, buxheti i FSK-së, është aktualisht sa një e nënta e buxhetit të ushtrisë së Serbisë. Ndërkohë që Ushtria e Kosovës vazhdon të mos ketë në altirelinë e saj tankse dhe helikopterë. Për mungesën e këtyre kapaciteteve ushtarake, Kurti kishte thënë se para mjeteve ushtarake, në ushtri më i rëndësishëm është morali i ushtarëve

Ndërkohë Serbia konsiderohet fuqia më e fortë ushtarake në Ballkanin Perëndimor dhe në nivelin global është në pozicionin e 61-të me një indeks prej 1.0063, sipas listës për vitin 2021, të botuar nga organizata Global Firepoëer.

Me rishikimin e fundit të buxhetit, për Ministrinë e Mbrojtjes në Serbi, kjo shumë u rrit me 46 miliardë dinarë (391.2 milionë euro) në raport me planifikimet paraprake buxhetore. Me këtë rritje, buxheti për këtë ministri tashmë ka arritur në 148 miliardë dinarë (1.2 miliard euro).

 

Tjera nga autori:
1